MAP

2025.02.14 Membri della Fondazione "Gaudium et Spes"

Papa: Kisha duhet të jetë një familje vëllezërish, të gjithë me të njëjtin dinjitet

Françesku pret anëtarët e Fondacionit “Gaudium et Spes” në Shtëpinë e Shën Martës dhe kujton frymën e kushtetutës konciliare, që synon "vëllazërimin universal": ky impuls duhet të vijë "përmes Shpirtit Shenjt, i cili është Dashuri" dhe përmes Meshës së të Dielës, ku Kisha formon "një korp të vetëm"

R.SH. – Vatikan

Kushtetuta e Koncilit II të Vatikanit, Gaudium et Spes, na kujton se të gjithë anëtarët e Kishës, nga më të vegjlit dhe më të mënjanuarit, janë "të bashkuar në Krishtin" në një "vëllazërim universal", ku të gjithë kanë "të njëjtin dinjitet". Papa Françesku e theksoi këtë në fjalën para anëtarëve të Fondacionit “Gaudium et Spes”, organizatë që punon me projekte për mirëqenien shoqërore dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Porto Riko dhe në mbarë botën. Papa i priti paraditen e sotme, 14 shkurt, në Shtëpinë e Shën Martës dhe në fjalën e tij, kujtoi se  dokumenti konciliar, nga i cili ka marrë emrin Fondacioni, nxjerr në pah “shpirtin sinodal të Kishës”, që “shfaqet në solidaritetin me ata, që vuajnë më shumë”.

Puna për të varfërit

Papa shprehu mirënjohjen për punën e Fondacionit “Gaudium et Spes”, “në favor të më të varfërve”, që – nënvizoi – e bën “aktuale” kushtetutën  Koncilit II të Vatikanit Gaudium et Spes, “Gëzim dhe Shpresë”, përqendruar në rolin e Kishës në botën bashkëkohore dhe botuar në ditën e fundit të Koncilit. Dokumenti u kujton besimtarëve se të gjithë anëtarët e Kishës janë pjesë e një korpi të vetëm, të një "familjeje", e cila mbetet e bashkuar dhe solidare, “përmes Shpirtit Shenjt, që është Dashuri", nënvizoi Papa Françesku.

“Kjo forcë e Shpirtit Shenjt na bën të jemi mjete të dashurisë së Zotit, që dëshiron të arrijë të gjithë njerëzit, pa dallim”.

  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Ushqim nga Eukaristia

“Ushqimi i kësaj familjeje, që mblidhet për të ngrënë së bashku, të dielën në meshë, është Eukaristia. Formojmë një korp të vetëm, sepse hamë të njëjtën bukë – vazhdoi Papa. - Është ushqimi shpirtëror që u jepet të gjithëve në masë të barabartë dhe na lejon të jetojmë në bashkim me Hyjin dhe me vëllezërit”.

Shenjat e shpresës për ata që vuajnë

Në këtë vit jubilar me temë “Shtegtarët e Shpresës”, Papa Françesku falënderoi për faktin se të pranishmit në audiencë arrijnë të bëhen “arsye shprese për kaq shumë njerëz, që vuajnë dhe shkurajohen”. “Përmes veprave tuaja – përfundoi Ati i Shenjtë – ata e ndjejnë se Zoti i përkëdhel dhe i ngushëllon në vuajtje”.

14 shkurt 2025, 13:39