Papa: Kisha duhet t? jet? nj? familje v?llez?rish, t? gjith? me t? nj?jtin dinjitet
R.SH. – Vatikan
Kushtetuta e Koncilit II të Vatikanit, Gaudium et Spes, na kujton se të gjithë anëtarët e Kishës, nga më të vegjlit dhe më të mënjanuarit, janë "të bashkuar në Krishtin" në një "vëllazërim universal", ku të gjithë kanë "të njëjtin dinjitet". Papa Françesku e theksoi këtë në fjalën para anëtarëve të Fondacionit “Gaudium et Spes”, organizatë që punon me projekte për mirëqenien shoqërore dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Porto Riko dhe në mbarë botën. Papa i priti paraditen e sotme, 14 shkurt, në Shtëpinë e Shën Martës dhe në fjalën e tij, kujtoi se dokumenti konciliar, nga i cili ka marrë emrin Fondacioni, nxjerr në pah “shpirtin sinodal të Kishës”, që “shfaqet në solidaritetin me ata, që vuajnë më shumë”.
Puna për të varfërit
Papa shprehu mirënjohjen për punën e Fondacionit “Gaudium et Spes”, “në favor të më të varfërve”, që – nënvizoi – e bën “aktuale” kushtetutën Koncilit II të Vatikanit Gaudium et Spes, “Gëzim dhe Shpresë”, përqendruar në rolin e Kishës në botën bashkëkohore dhe botuar në ditën e fundit të Koncilit. Dokumenti u kujton besimtarëve se të gjithë anëtarët e Kishës janë pjesë e një korpi të vetëm, të një "familjeje", e cila mbetet e bashkuar dhe solidare, “përmes Shpirtit Shenjt, që është Dashuri", nënvizoi Papa Françesku.
“Kjo forcë e Shpirtit Shenjt na bën të jemi mjete të dashurisë së Zotit, që dëshiron të arrijë të gjithë njerëzit, pa dallim”.
Ushqim nga Eukaristia
“Ushqimi i kësaj familjeje, që mblidhet për të ngrënë së bashku, të dielën në meshë, është Eukaristia. Formojmë një korp të vetëm, sepse hamë të njëjtën bukë – vazhdoi Papa. - Është ushqimi shpirtëror që u jepet të gjithëve në masë të barabartë dhe na lejon të jetojmë në bashkim me Hyjin dhe me vëllezërit”.
Shenjat e shpresës për ata që vuajnë
Në këtë vit jubilar me temë “Shtegtarët e Shpresës”, Papa Françesku falënderoi për faktin se të pranishmit në audiencë arrijnë të bëhen “arsye shprese për kaq shumë njerëz, që vuajnë dhe shkurajohen”. “Përmes veprave tuaja – përfundoi Ati i Shenjtë – ata e ndjejnë se Zoti i përkëdhel dhe i ngushëllon në vuajtje”.