Papa: Inteligjenca Artificiale të forcojë mbrojtjen e të miturve
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku u bën sërish thirrje të fuqishme për përgjegjësi të gjithë atyre, që përdorin Inteligjencën Artificiale, duke shprehur edhe një herë vendosmërinë e tij për të forcuar mbrojtjen e të miturve nga abuzimet seksuale, që "të zhduket ky kancer nga shoqëria". Në një mesazh dërguar pjesëmarrësve të Kongresit IV amerikanolatin të Ceprome (Qendra e Kërkimit dhe e Formimit për Mbrojtjen e Fëmijëve), që po zhvillohet në Lima, Ati i Shenjtë e ngre zërin me forcë para kërcënimeve, që vijnë nga disa sektorë të zhvillimit teknologjik.
Ndjenja e mosndëshkimit në internet
Françesku thekson se interneti, duke bërë gjithçka të dukshme si një dritare e hapur për botën, krijon një lloj ndjenje mosndëshkimi, pasi ua bën më të lehtë njerëzve të mos i marrin përsipër përgjegjësitë për çfarë thonë e bëjnë në atë univers paralel. Me Inteligjencën Artificiale, ky mosndëshkim shtohet, jo vetëm sepse ajo mund të mbledhë e të përhapë materiale të papërshtatshme, por mund edhe të krijojë përmbajtje të pavërteta, pavarësisht se duken si të vërteta, pasi shfrytëzojnë materiale ekzistuese në hapësirën kibernetike. “Meqenëse ne nuk e kemi në dorë prodhimin e këtyre materialeve - shkruan Papa Françesku - mund të krijohet iluzioni i rremë se nuk jemi ne ata, që ‘bëjmë’ diçka të turpshme: sulmojmë dikë, vjedhim pamjen e tij, përdorim një koncept a një ide të dikujt tjetër, ekspozojmë diçka intime, që duhet të mbetet në sferën private të personit. Por s’është e vërtetë – denoncon Ati i Shenjtë – çdo makinë ekzekuton urdhrat tanë, realizon e nuk merr vendime, është programuar për ta bërë këtë”.
Dëmet e përdorimit keqedashës të Inteligjencës Artificiale
Në mesazhin e Papës Françesku, lexuar nga nunci apostolik në Peru, imzot Paolo Rocco Gualtieri, renditen dëmet, që mund të vijnë nga përdorimi keqedashës dhe pa përgjegjësi i Inteligjencës Artificiale: "Dëme për ata që, duke parë ç’kemi prodhuar, duan ta imitojnë; dëme, për shkak të fluksit të madh të materialeve të papërshtatshme, që e ndotin ambientin: dëme për vështirësitë, që hasin autoritetet për të dalluar materialet e vërteta nga ato sintetike e për të garantuar sigurinë e viktimave të mundshme, etj.".
T'i jepet zë Zotit dhe viktimave, që i luten
Sipas Papës, si ata, që i përdorin këto teknologji, ashtu edhe ata, që i projektojnë, kanë përgjegjësi për t'i bërë sa më të sigurta. Përballë sfidave që parashtron Inteligjenca Artificiale për luftën kundër abuzimeve në Kishë, Françesku nënvizon dy detyra themelore: së pari, t'i jepet "zë Zotit dhe viktimave që i luten, në mënyrë që të ndërgjegjësohen njerëzit për këtë të keqe" dhe, së dyti, "të zbulohet gënjeshtra e fshehjes pas teknologjisë, thjesht, për të qenë në rregull me ndërgjegjen".
Kufizime dhe rregulla të qarta
Për këtë arsye, Françesku u kërkon “individëve, projektuesve të këtyre teknologjive dhe autoriteteve kompetente të vendosin kufizime dhe rregulla të qarta, që mund të kontrollohen dhe japin mundësinë për të dënuar me ligj përdorimin kriminal të tyre”.
Në Kongresin IV të Ceprome, me titull “Inteligjenca Artificiale dhe abuzimi seksual: sfidë e re për parandalimin”, morën pjesë mbi 500 vetë, përfshirë ekspertë ndërkombëtarë, që kanë punuar me viktimat e abuzimit në procesin e shërimit të tyre shpirtëror dhe në kërkimin e drejtësisë. Kongresi u organizua së bashku me Komisionin Papnor të Selisë së Shenjtë për Mbrojtjen e të Miturve.