Nga Italia në Filipine, lutjet për Papën mbërrijnë nga e gjithë bota
R.SH. - Vatikan
Mesazhet e afërsisë dhe të ftesave që të lutemi për shëndetin e Papës, shtruar në Poliklinikën Gemelli, në Romë, për shkak të pneumonisë bilaterale, vazhdojnë të shpërndahen në rrjetet sociale dhe në media. “Duke ia besuar Zotit punën e mjekëve dhe të personelit shëndetësor, e përqafojmë Atin e Shenjtë me dashuri”, shkruhet, për shembull, në deklaratën e Konferencës Ipeshkvnore Italiane, botuar sot, 19 shkurt. Ipeshkvijtë i ftojnë bashkësitë kishtare ta mbështesin Papën “me lutje në këtë çast vuajtjeje” dhe të vijojnë ta shprehin “afërsinë e tyre”.
Kardinali Vikar i Dioqezës së Romës, Imzot Baldassare Reina, nënvizoi gjithashtu se besimtarët e kryeqytetit po ndjekin “me vëmendje dhe besim gjendjen shëndetësore të Ipeshkvit tonë”. Më pas kërkoi nga të gjitha bashkësitë e kryeqytetit të jetojnë “një orë adhurimi të heshtur përpara meshës së mbrëmjes” duke u lutur për shëndetin e Françeskut. "Si një familje e madhe i kërkojmë Zotit t'i japë Ipeshkvit tonë forcën e nevojshme për të përballuar këtë çast delikat" - shton ai.
Lutje nga Filipinet
Nga ana tjetër e botës, në Filipine, kardinali Pablo Virgilio David, ipeshkëv i Kalookan dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të vendit, u kërkon besimtarëve të luten për "shërimin dhe shëndetin" e Papës "në këtë çast të vështirë". Nunci apostolik, Imzot Charles Brown, përsëriti të njëjtën kërkesë në mikrofonat e radiostacionit katolik të Filipineve, Radio Veritas, duke shtuar se ai u lut edhe për punonjësit e shëndetësisë, që kujdesen për Atin e Shenjtë.
Në Lisbonë, vëmendje e veçantë për shëndetin e Papës
Patriarku i Lisbonës, Rui Valerio, u dërgoi sot një letër të gjitha famullive dhe bashkësive në kryeqytetin portugez, duke u kërkuar të shtojnë një lutje të veçantë, për shëndetin e Papës, gjatë kremtimit të Meshës. “Për Papën Françesku, Bari i Kishës Universale – shkruan për shembull Kryeipeshkvi Valerio – të lutemi vëllezër, që të forcohet dhe të ngushëllohet në këtë çast brishtësie dhe të rifillojë angazhimet e mëparshme”. “Në këtë Vit jubilar, kushtuar temës së shpresës, të vazhdojmë të patundur shtegtimin tonë të fesë, të forcuar nga dëshmia jonë e përkushtuar”, përfundon Prelati.
Kisha Anglikane shpreh afërsinë e saj
Dua t'ju "siguroj" për "lutjet e mia dhe të besimtarëve të panumërt anglikanë lidhur me shëndetin e Papës Françesku gjatë kësaj kohe", thekson Kryeipeshkvi anglikan i Jorkut, në Mbretërinë e Bashkuar, Stephen Cottrell, në një letër drejtuar Kardinalit të Londrës, Kryeipeshkvit Vincent Nichols. “Të vazhdojmë të lutemi që Shenjtëria e Tij të ushqehet me shpresën e Ungjillit”, vazhdon prelati anglikan, “dhe të njohë dashurinë e shërimin e Zotit tonë Jezu Krisht në këto ditë”. Në letrën e tij të përgjigjes, Kardinali Nichols falënderon kryeipeshkvin për "mirësinë dhe shqetësimin" e tij dhe thekson se "Ati i Shenjtë forcohet nga mbështetja lutëse e një turme të pambarim njerëzish". "Fjalët tuaja, plot dashuri hyjnore dhe kujdes vëllazëror, janë", shkroi ai, "dëshmi e lidhjeve të thella që na bashkojnë në Krishtin".