Papa forcave të armatosura: mos u joshni nga armët, mbroni gjithmonë jetën
R.SH. / Vatikan
Është mision “i madh ai i Forcave të Armatosura, Policisë dhe Sigurisë, ” që përfshin dimensione të shumta të jetës shoqërore dhe politike: mbrojtjen e vendeve tona“, ” mbrojtjen e ligjshmërisë dhe të drejtësisë, praninë në burgje, luftën kundër krimit dhe formave të ndryshme të dhunës“.
Papa Françesku i falënderon për shërbimin e përditshëm që ofrojnë, gjatë Meshës jubilare kushtuar, kryesuar sot, më 9 shkurt, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, të mbushur me 40 mijë njerëz, herë pas here të ndriçuar nga dielli dhe ku shkëlqenin ngjyrat e uniformave të ndryshme të forcave të armatosura, me përfaqësues nga njëqind vende të ndryshme të botës
Kremtimin liturgjik e kryesoi kardinali Robert Prevost, prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Ipeshkvij, me kryeipeshkvin e Vilnius, Gintaras Grushas, president i Këshillit të Konferencave të Ipeshkvijve të Evropës (CCEE), së bashku me më shumë se treqind bashkëkremtues të tjerë kardinaj, ipeshkvij dhe meshtarë.
Papa, i cili ditët e fundit, për shkak të bronkitit, mbajti audiencat e tij në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan , shqipton vetëm një pjesë të predikimit për shkak të vështirësisë në frymëmarrje dhe, duke kërkuar falje, ia beson leximin mjeshtrit të kremtimeve liturgjike papnore, Kryeipeshkvit Diego Ravelli.
HOMELIA E ATIT TË SHENJTË
Mesha në Jubileun e Forcave të Armatosura dhe të Sigurisë
9 shkurt 2025
Homelia e Papës nisi me tri folje, me të cilat Ungjilltari Luka përshkruan qëndrimin e Jezusit në liqenin e Gjenezaretit: pa, u ngjit, u ul. Jezusi nuk shqetësohet nga dëshira për t’u treguar turmave një pamje të vetvetes, për të kryer një detyrë, për të ndjekur një orar në misionin e tij; përkundrazi, vë gjithnjë në vend të parë takimin me të tjerët, marrëdhënien, shqetësimin për ato përpjekje e dështime që shpeshherë ia rëndojnë zemrën dhe ia zbehin shpresën. Për këtë arsye Jezusi, atë ditë, pa, u ngjit e u ul.
Para së gjithash, Jezusi pa
Jezusi ka një vështrim të kujdesshëm që, edhe në mes të një turme të tillë, i mundëson të dallojë dy varka të ankoruara në breg dhe të shohë zhgënjimin në fytyrat e atyre peshkatarëve, të cilët lajnë rrjetat bosh pas një nate të kaluar keq. Jezusi i nguli sytë e tij të dhembshur në sytë e atyre njerëzve, duke parë shkurajimin e atyre, zhgënjimin e atyre që punuan gjithë natën pa kapur asgjë, ndjenjën e një zemre të zbrazët, ashtu si rrjetat që tani i shtrëngojnë në duar.
Inisiativë, jo hidhërim
E Jezusi, duke parë shqetësimin e tyre, u ngjit në varkë. I kërkoi Simonit ta largojë varkën nga toka dhe hipi, duke hyrë në hapësirën e jetës së tij, duke bërë rrugën drejt dështimit që banonte në zemrën e tij. E bukur kjo:
Jezusi nuk e kufizon veten në vëzhgimin e gjërave që nuk shkojnë mirë, siç bëjmë ne shpesh, duke përfunduar e duke u mbyllur në ankesa dhe hidhërim. Në vend të kësaj, merr iniciativën, shkon të takojë Simonin, ndalet me të në atë çast të vështirë dhe vendos të hipë në varkën e jetës së tij, e cila atë natë u kthye në breg pa sukses.
Jezusi, mësues i lajmit të mirë
Më në fund, sapo u ngjit lart, Jezusi u ul. E ky, në ungjijtë, është qëndrim tipik i mësuesit, i atij që jep mësim. Ungjilli thotë se ai u ul dhe dha mësim:
Duke parë në sytë dhe zemrat e atyre peshkatarëve hidhërimin e një nate me mundimin e humbur, Jezusi ngjitet në barkë për të mësuar, domethënë për të shpallur lajmin e mirë, për të sjellë dritë në atë natë zhgënjimi, për të rrëfyer bukurinë e Zotit brenda mundimeve të jetës njerëzore, për t'i bërë njerëzit të ndjejnë se ka ende shpresë, edhe atëhere kur gjithçka duket e humbur.
Kur Zoti ngjitet në barkën e jetës sonë, ndodh mrekullia
E pikërisht atëherë ndodh mrekullia: kur Jezusi Zot ngjitet në varkën e jetës sonë për të na sjellë lajmin e mirë të dashurisë së Zotit, që na shoqëron dhe na mbështet gjithmonë. Atëherë jeta fillon përsëri, shpresa rilind, entuziazmi i humbur kthehet dhe ne mund ta hedhim sërish rrjetën në det. Vëllezër dhe motra, kjo fjalë shprese na shoqëron sot - theksoi në vijim të homelisë Papa - teksa festojmë Jubileun e Forcave të Armatosura, Policisë dhe Forcave të Sigurisë, që i falënderoj për shërbimin e tyre, duke përshëndetur të gjitha Autoritetet e pranishme, Shoqatat dhe Akademitë Ushtarake, si dhe Ordinarët dhe Kapelanët Ushtarakë.
Mision i madh, me përmasa të shumta
“Juve ju është besuar një mision i madh - vërejti në vijim Papa - i cili përfshin përmasa të shumta të jetës shoqërore dhe politike: mbrojtjen e vendeve tona, kushtimin për sigurinë, mbrojtjen e ligjshmërisë dhe drejtësisë, praninë në burgje, luftën kundër krimit dhe formave të ndryshme të dhunës që rrezikojnë të prishin paqen sociale. E, kujtoj edhe ata që ofrojnë shërbimin e tyre të rëndësishëm në fatkeqësitë natyrore, për mbrojtjen e krijimit, për shpëtimin e jetëve në det, për më të brishtët, për mbrojtjen e paqes”.
Zoti ju kërkon të bëni, si bën Ai
Zoti ju kërkon edhe ju të bëni, siç bën Ai - theksoi në vijim Papa – të shikoni, të ngjiteni, të uleni.
Të shikoni, sepse jeni thirrur të keni një shikim të kujdesshëm, i cili mund t’i dallojë kërcënimet e së mirës së përbashkët, rreziqet që kërcënojnë jetën e qytetarëve, rreziqet ambientale, shoqërore dhe politike, që na kërcënojnë të gjithëve.
Të ngjiteni, sepse uniforma jote, disiplina që të farkëton, guximi që të dallon, betimi që ke bërë, janë të gjitha gjëra që të kujtojnë se sa e rëndësishme është jo vetëm ta shohësh të keqen për ta denoncuar, por edhe të hipësh në barkë në stuhi dhe të mos e lësh të fundoset, gjatë një misioni, në shërbim të lirisë dhe të drejtësisë. Këtë theksoi Papa, duke kujtuar edhe foljen e tretë të uleni e duke theksuar se e mira mund të fitojë mbi gjithçka:
“… sepse prania juaj në qytetet dhe lagjet tona, qëndrimi i përhershëm në anën e ligjshmërisë dhe të më të ligshtit, bëhet mësim për të gjithë ne: na mëson se e mira mund të fitojë pavarësisht nga gjithçka, na mëson se drejtësia, besnikëria dhe pasioni civil janë vlera të nevojshme edhe sot, pavarësisht se ne mund të krijojmë një botë më të drejtë, më vëllazërore, pavarësisht nga forcat e kundërta të së keqes”.
Roli i kapelanëve
Dhe në këtë detyrë, që përfshin gjithë jetën tuaj - vijoi Papa - ju shoqëroheni edhe nga kapelanët, një prani e rëndësishme meshtarake ndërmjet jush. Ata nuk shërbejnë - siç ka ndodhur fatkeqësisht ndonjëherë në histori - për të bekuar veprimet perverse të luftës. Jo:
Ata janë mes jush si prania e Krishtit, i cili dëshiron t'ju shoqërojë, t'ju ofrojë dëgjim e afërsi, t'ju inkurajojë të dilni në thellësitë e detit dhe t'ju mbështesë në misionin që kryeni çdo ditë. Si mbështetje morale dhe shpirtërore, ata ecin rrugës me ju, duke ju ndihmuar të kryeni detyrat tuaja në dritën e Ungjillit dhe në shërbim të së mirës.
Ruajuni nga helmi i propogandës!
Papa e përfundoi homelinë duke u bërë të pranishmëve thirrje që të mos humbasin qëllimin e shërbimit dhe të veprimeve të tyre: ta mbrojnë jetën, ta shpëtojnë jetën, gjithmonë.
Porosia e Papës
Ju lutem jini vigjilentë - ishte porosia e fundit e Papës - jini vigjilentë kundër tundimit për të kultivuar frymën e luftës; jini vigjilentë që të mos josheni nga miti i forcës dhe zhurma e armëve; jini vigjilentë që të mos jeni kurrë të helmatisur nga helmi i propagandës së urrejtjes, e cila e ndan botën në miq, që duhen mbrojtur dhe armiq, që duhen luftuar. Në vend të kësaj, jini dëshmitarë të guximshëm të dashurisë së Zotit Atë, i cili do që të gjithë ne të jemi vëllezër. E, së bashku, të ecim për të ndërtuar një epokë të re paqeje, drejtësie dhe vëllazërimi.