Papa: liturgjia të jetë e thjeshtë, pa harruar gëzimet e vuajtjet e popullit të Zotit
R.SH. / Vatikan
Liturgjia “duhet të jetë gjithmonë e mishëruar, e inkulturuar” sepse shpreh “fenë e Kishës”, “prek jetën e popullit të Zotit dhe i zbulon natyrën e vërtetë shpirtërore”. Nga Poliklinika Gemelli, ku u shtrua që më 14 shkurt e vazhdon të zhvillojë veprimtarinë e tij, Papa Françesku u drejtohet, përmes një mesazhi, pjesëmarrësve në Kursin Ndërkombëtar të formimit për përgjegjësit e kremtimeve liturgjike të ipeshkvit, mbajtur në Romë nga data 24 deri më 28 shkurt, në Universitetin Papnor të Shën Anselmit dhe i nxit, kështu, të mos i harrojnë “gëzimet dhe shqetësimet e popullit të Zotit", sepse "kanë vlerë hermeneutike", dhe "propozojnë e promovojnë një stil liturgjik që shpreh ndjekjen e Jezusit, duke shmangur pompozitetin apo protagonizmin e panevojshëm". "Ju ftoj ta kryeni shërbimin tuaj me maturi, pa u mburrur për rezultatet e shërbimit" - shkruan Papa - i cili i inkurajon edhe "t'ua transmetojnë këto qëndrime shërbyesve të altarit, lexuesve dhe këngëtarëve".
Të shoqërohen besimtarët në ngjarjen e sakramentale
Papa nënvizon se "çdo dioqezë i shikon Ipeshkvin dhe Katedralen si modele kremtuese për t'u imituar" dhe se përgjegjësi për kremtimet liturgjike "është mësues i caktuar në shërbimin e lutjes së bashkësisë" dhe prandaj "ndërsa ia mëson me përvujtëri artin liturgjik, duhet edhe t'i udhëheqë" ata që kremtojnë, "duke ndjekur ritmin ritual dhe duke i shoqëruar besimtarët në kremtimin sakramental". Është detyrë e tij ta organizojë “çdo kremtim me urti, për të mirën e asamblesë”; duhet të veprojë në mënyrë që "parimet teologjike të shprehura në librat liturgjikë" të bëhen "praktikë festive"; për ta ndihmuar dhe për ta mbështetur "ipeshkvin në rolin e tij si prijës dhe kujdestar i jetës liturgjike", në mënyrë që bariu "të mund ta udhëheqë butësisht gjithë bashkësinë drejt dhurimit të vetvetes Atit, në ngjasim me Krishtin".
Në liturgji, takimi me Zotin
“Kujdesi për liturgjinë është, para së gjithash, kujdes për lutjen” - thekson më pas Papa Françesku - duke shtuar se kjo do të thotë të kujdesesh për “takimin me Zotin”. E kemi një "mësuese të madhe të jetës shpirtërore" që mund të jetë shembull. Është Shën Tereza e Avilës, e shpallur doktore e Kishës nga Papa Pali VI, i cili ka theksuar "dijen e saj për gjërat hyjnore e edhe njerëzore". Ndërsa “të përgatitësh dhe të drejtosh kremtimet liturgjike do të thotë”, pikërisht, të bashkosh “urtinë hyjnore me urtinë njerëzore”: “e para fitohet duke u lutur, duke medituar, duke kundruar” - shpjegon Papa - “e dyta vjen nga studimi, nga angazhimi për t’u thelluar, nga aftësia për të dëgjuar”.
Ta keni gjithnjë në zemër popullin e Zotit
Për të kryer “këto detyra”, Papa Françesku këshillon “t’i kesh gjithnjë sytë të ngulur tek populli - i cili ka ipeshkvin si “bari dhe atë” - e kjo, për të kuptuar “nevojat e besimtarëve, si dhe format e metodat për të inkurajuar pjesëmarrjen e tyre në veprimin liturgjik”.
Së fundi, Papa, pasi shpreson se ata që kujdesen për liturgjinë "do ta kenë gjithmonë në zemër popullin e Zotit" dhe do ta shoqërojnë "në adhurim me dije e dashuri", e përfundon mesazhin e tij duke kërkuar përsëri të lutemi për të.