Papa personave të përkushtuar, dëshmia juaj është tharm për Kishën
R.SH. / Vatikan
“Jeta e kushtuar lind dhe rilind nga takimi me Jezu Krishtin, ashtu siç është: i varfër, i pastër dhe i bindur”. Kështu u tha Papa Françesku rregulltareve dhe rregulltarëve, në Meshën e kremtuar në orën 17.30, në Bazilikën e Vatikanit, me rastin e festës së Paraqitjes së Zotit në Tempull dhe të Ditës së XXIX Botërore të Jetës së Kushtuar. Në qendër të jetës së rregulltarëve, të jetë gjithnjë Jezusi. Këtë nënvizoi Papa Françesku, gjatë Meshës, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Ditën e 29-të Botërore të Jetës së Kushtuar, me rastin e festës së Paraqitjes së Zotit në Tempull, që ndër ne njihet edhe si Festa e Zojës së Qirave, sepse plot dritë.
Liria, një "dritë" e aftë për të udhëhequr një ekzistencë të emancipuar nga epshet e shumta të botës, e përkushtuar përkundrazi ndaj një varfërie që shpreh maturi dhe bujari. Marrëdhëniet të jenë larg shtrembërimeve egoiste të "ajo që më pëlqen", për një dashuri që bëhet burim shëlbimi. Për një bindje që simbolizon shpëtimin nga zinxhirët e vetmisë, duke shkaktuar gjeste dhe veprime të mira të afta për të shkuar përtej shijeve personale.
Duke kryesuar sot, më 1 shkurt, në Bazilikën e Shën Pjetrit Lutjet e Para Mbrëmësore të festës Paraqitjes së Zotit në Tempull, e cila përkon me Ditën Botërore të Jetës së Përkushtuar, Papa Françesku reflekton mbi angazhimet që përfshin kjo rrugë ekzistenciale, duke i zgjeruar ato në ato të çdo besimtari.. “Faleminderit për dëshminë tuaj. Dëshmia juaj është tharmë në Kishë”, u tha Papa Françesku rregulltarëve e rregulltareve duke mbyllur predikimin e kremtimit të lutjes së Mbrëmësores së Parë të Festës së Prezantimit të Zotit në Tempull dhe Ditës XXIX Botërore të Jetës së Përkushtuar, që bie nesër, e diel, më 2 shkurt.
Paraqitja Jezusit në Tempull
HOMELIA E ATIT TË SHENJTË FRANÇESKU
2 shkurt 2025
Në Mbrëmjen e Parë të Festës së Paraqitjes së Zotit, Papa Françesku na kujtoi se ripërtëritja, përpara mbledhjeve dhe "tryezave të rrumbullakta" - edhe pse shumë të dobishme - bëhet para Tabernakullit, në adhurim, duke i rizbuluar themeluesit dhe themelueset tona, para së gjithash si burra e si gra të fesë!
Papa: "Ja, unë po vij për të bërë, o Zot, vullnetin tënd”
“Ja, unë po vij […] për të bërë, o Zot, vullnetin tënd” (Hebrenjve 10,7). Me këto fjalë kuptimplote, marrë nga autori i Letrës drejtuar Hebrenjve, e nisi Papa homelinë e Meshës kremtuar në mbrëmësoret e para të paraqitjes së së Zotit. Fjalë, që flasin për respektimin e plotë të Jezusit ndaj planit të Atit. Sot - vijoi - i lexojmë në festën e Paraqitjes së Zotit, Ditë Botërore e Jetës së Shenjtëruar, gjatë Jubileut të Shpresës, në një kontekst liturgjik karakterizuar nga simboli i dritës. Me këto fjalë iu drejtua Papa motrave dhe vëllezërve, që zgjodhën rrugën e këshillave ungjillore dhe u shenjtëruan si "Nusja para Dhëndrit [...] të mbështjellë në dritën e tij" (Shën Gjon Pali II, Thirrja Apostolike Jeta e kushtuar, 15), për të njëjtin plan ndriçues të Atit, nisur që nga zanafilla e botës. Ai do ta ketë përmbushjen e tij të plotë në fund të kohës, por tani e bën veten të dukshëm përmes "mrekullive që Zoti bën në natyrën e brishtë të njerëzve të thirrur" (po aty, 20). Le të mendojmë atëherë se si, nëpërmjet kushteve të varfërisë, pastrisë dhe bindjes, edhe ju mund të jeni bartës të dritës për gratë dhe burrat e kohës sonë – kujtoi Papa – për të vijuar më pas, të flasë për kushtin e parë, dritën e varfërisë ….
Aspekti i parë: drita e varfërisë.
Kjo dritë - vijoi Papa Françesku - i ka rrënjët në vetë jetën e Hyjit, dhuratë e përjetshme, e plotë dhe reciproke e Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjt (po aty, 21).
“Duke e jetuar kështu varfërinë, njeriu i kushtuar, me përdorimin e lirë dhe bujar të të gjitha gjërave, bëhet për ta mbartës i bekimeve: e tregon mirësinë e tyre në rendin e dashurisë, refuzon gjithçka që mund të errësojë bukurinë e tyre - egoizmin, lakminë, varësinë, përdorimin e dhunshëm dhe me qëllime vdekjeprurëse – e në vend të tyre përqafon gjithçka që mund ta lartësojë atë: maturinë, bujarinë, ndarjen, solidaritetin:
“Siç thotë edhe Shën Pali: “Gjithçka është juaja! Por ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë” (1 Kor 3,22-23).
Elementi i dytë: drita e pastrisë
Më pas Papa Bergoglio kaloi te elementi i dytë, drita e pastrisë. Edhe kjo e ka zanafillën tek Trinia dhe pasqyron "reflektimin e dashurisë së pafund, që lidh tri Vetjet hyjnore" (Vita consacrata, 21). Kushti për heqjen dorë nga dashuria bashkëshortore dhe për mënyrën e vetëpërmbajtjes, ripohon përparësinë absolute të qenies njerëzore, të dashurisë për Zotin, të mirëpritur me zemër të pandarë e bashkëshortore (shih 1 Kor 7,32-36) të cilën e tregon si burimin dhe modelin e çdo dashurie tjetër – theksoi Papa – duke kujtuar veset që burojnë nga mënyra e jetesës.
Ne jetojmë - kujtoi - në një botë të karakterizuar shpesh nga forma të shtrembëruara të afektivitetit, në të cilën parimi "ajo që më pëlqen" na shtyn të kërkojmë tek tjetri kënaqësinë e nevojave tona dhe jo gëzimin e një takimi të frytshëm. Kjo krijon, në marrëdhënie, qëndrime sipërfaqësie dhe pasigurie, egocentrizëm dhe hedonizëm, papjekuri dhe papërgjegjësi morale, prandaj burri dhe gruaja e një jete të tërë, zëvendësohen me partnerin e çastit, fëmijët e mirëpritur si dhuratë, me ata që priten si "të drejtë"ose eliminohen si “shqetësim”.
Vlera e pastrisë së kushtuar
Në rrethana të tilla – kujtoi në vijim Papa - përballë "nevojës në rritje për qartësi të brendshme në marrëdhëniet njerëzore" (Vita consacrata, 88) dhe në humanizimin e lidhjeve ndërmjet individëve dhe bashkësive, pastria e kushtuar u tregon burrave dhe grave të shekullit të njëzetë mënyrën e shërimit nga e keqja e izolimit, në ushtrimin e një mënyre të lirë dhe çlirimtare të dashurisë, e cila i mirëpret dhe i respekton të gjithë, pa detyruar e pa refuzuar askënd. Çfarë ilaçi për shpirtin është të takosh burra e gra fetare, të aftë për këtë lloj marrëdhënieje të pjekur dhe të gëzueshme – pyeti Papa. Për të dhënë edhe përgjigjen që lidhet me njërën nga vlerat më të mëdha: shpëtimin e shpirtit:
“Ato janë pasqyrim i dashurisë hyjnore (shih Luka 2,30-32). Megjithatë, për këtë qëllim, në bashkësitë tona është e rëndësishme të kujdesemi për rritjen shpirtërore dhe emocionale të njerëzve, për formimin fillestar dhe të vazhdueshëm, në mënyrë që dlirësia të tregojë me të vërtetë bukurinë e dashurisë që jepet, larg "jetës së dyfishtë".
Drita e dëgjesës, aspekti i tretë
Aspekti i tretë i homelisë së Papës, “drita e bindjes”. Për këtë na flet edhe teksti që sapo dëgjuam, duke na paraqitur, në marrëdhënien ndërmjet Jezusit dhe Atit, "bukurinë çliruese të varësisë bijnore e jo servile, të pasur me ndjenjën e përgjegjësisë dhe të gjallëruar nga besimi reciprok" (Vita consecrata, 21).
“Është drita e Fjalës, ajo që bëhet dhuratë dhe përgjigje dashurie, shenjë profetike për shoqërinë tonë, në të cilën priremi të flasim shumë, por të dëgjojmë pak: në familje, në punë dhe veçanërisht në rrjetet sociale, ku mund të shkëmbejmë lumenj fjalësh dhe pamjesh, pa u takuar kurrë, sepse ne kurrë nuk e vemë vërtet në lojë njëri-tjetrin.
Kthimi në zanafillë
Do të doja të përfundoja duke kujtuar një pikë tjetër – vijoi Papa në përfundim të homelisë - “kthimin në origjinë”, për të cilin flitet kaq shumë sot në jetën e shuguruar - theksoi Papa - Në këtë drejtim, Fjala e Zotit që dëgjuam, na kujton se "kthimi në origjinë", i pari dhe më i rëndësishmi nga çdo kushtim është, për të gjithë ne, ai i Krishtit dhe "po"-ja e tij ndaj Atit. Na kujton se ripërtëritja, para mbledhjeve dhe "tryezave të rrumbullakta" - edhe pse shumë të dobishme - bëhet para Tabernakullit, në adhurim, duke i rizbuluar themeluesit dhe themelueset e tona, para së gjithash, si gra e si burra të fesë dhe duke përsëritur me ta në lutje dhe në dhurimin e vetvetes: "Ja, unë po vij […] për të bërë, o Zot, vullnetin tënd”(Heb 10,7).