Papa: mesazh me rastin e 400-vjetorit të familjes rregulltare Vinçenciane
R.SH. / Vatikan
“Lutem që ky përvjetor domethënës të jetë një rast gëzimi të madh dhe besnikërie të përtërirë ndaj konceptit të dishepullimit misionar, bazuar në imitimin e dashurisë preferenciale të Krishtit për të varfrit”. Kështu thuhet në një mesazh të Papa drejtuar Eprorit të Përgjithshëm të Kongregatës së Misionit, At Tomaž Mavrič, me rastin e katërqind-vjetorit të jetës së Kongregatës së themeluar nga Shën Vinçenc de Pauli më 17 prill 1625.
Kjo familje rregulltare, me emrin Vinçenciane, ka një numër të pafund anëtarësh në mbarë botën: më shumë se dyqind Kongregata, Shoqata dhe Organe që kanë si emërues të përbashkët karizmën e Shën Vinçenc de Paolit, që njihet si shenjtor i bamirësisë. Busulla e lëvizjes Vinçenciane mbetet karizma e themeluesit, gjestet e bujarisë vetëmohuese të të cilit madje e shtynë Luigjin XIII, Mbretin e Francës, ta emërojë atë si këshilltarin e tij të besuar. “Ka një sfidë që na shqetëson për të ardhmen: të kemi sytë hapur dhe të reagojmë menjëherë ndaj nevojave të 160 kombeve në të cilat ndodhemi. Duhet të ndërhyjmë aty, ku njerëzit kanë nevojë për ndihmë, shpirtërore dhe materiale”, pohon Atë Tomaž Mavrič, president i komitetit ekzekutiv të Familjes Vinçenciane dhe Epror i Përgjithshëm i Kongregatës së Misionit dhe Bijave të Bamirësisë së Shën Vinçenc de Paulit .
“Shpresoj se kremtimet e katërqind-vjetorit – shkruan akoma Françesku – do të nxjerrin në pah rëndësinë e konceptit të Shën Vinçencit për shërbimin ndaj Krishtit në të varfërit për rinovimin e Kishës së kohës sonë, në udhën misionare e në ndihmën ndaj nevojtarëve dhe të varfërve të braktisur në periferitë e shumta të botës sonë dhe në margjinat e një kulture sipërfaqësore 'që shfrytëzon e hedh poshtë'.
Jam i bindur se shembulli i Shën Vinçencit mund të frymëzojë në mënyrë të veçantë të rinjtë, të cilët me entuziazmin e tyre, bujarinë e tyre dhe shqetësimin e tyre për ndërtimin e një bote më të mirë, thirren të jenë dëshmitarë të guximshëm të Ungjillit në mesin e bashkëmoshatarëve të tyre dhe kudo që janë.”
Familja rregulltare Vinçentian vazhdon edhe sot të çojmë përpara vepra bamirësie, vazhdon të ndërmarrë misione të reja dhe të ndihmojë në drejtimin shpirtëror, në formimin e klerit dhe laikëve si Shoqëria e Shën Vinçencit de Pauli, e themeluar në vitin 1833 nga i Lumi Ozanam, “një forcë e jashtëzakonshme e së mirës në shërbim të të varfërve, me qindra mijëra anëtarë në mbarë botën.”
Papa kujton dy fondacione të tjera të jetës rregulltare Vinçenciane: "Vëllazëritë e Bamirësisë" themeluar në vitin 1617, sot të njohura si Shoqata Ndërkombëtare Bamirësisë ose Vullnetarët Vinçencian dhe, themelimin, në vitin1633, së bashku me Shën Luizën de Marillac të "Bijave të Bamirësisë", të cilat Ati i Shenjtë Bergoglio i përkufizon si "një formë revolucionare e komunitetit femëror" për ato kohë kur murgeshat jetonin në manastire, ndërsa Shën Vinçenci deshi që murgeshat e tij të dilnin jashtë kuvendit për t'u kujdesur për të varfërit dhe të sëmurët në rrugët e Parisit.
Edhe sot – thuhet në një njoftim – fëmijët shpirtërorë të Shën Vinçencit dëshmojnë një krijimtari të ngjashme me Aleancën e Familjes Vinçenciane me njerëz të pastrehë, një nismë ndërkombëtare kjo e lindur nga shembulli i Shën Vinçencit, i cili në 1643 në Paris ndërtoi trembëdhjetë shtëpi për të varfër, duke u siguruar njerëzve të varfër një strehim të përballueshëm ekonomikisht.