MAP

Një moment i kremtimit të Krishtlindjes Ortodokse në Shkup, Maqedoni (ANSA) Një moment i kremtimit të Krishtlindjes Ortodokse në Shkup, Maqedoni (ANSA)

Papa, Kishave Lindore që kremtojnë Krishtlindjen: “Lutem të ketë paqe”

Papa, përmes një mesazhi, kujton se lutet për ata që "vuajnë nga shkaku i konflikteve të vazhdueshme". Kujton edhe kremtimet në bashkësisë katolike dhe ortodokse, që ndjekin kalendarin Julian

R.SH. / Vatikan

Dje në platformën X në faqen @Pontefex, Papa Françesku - duke përsëritur fjalët e përdorura në fund të kremtimit të lutjes së Engjëllit të Zotit Ditën e Dëftimit të Zotit, më 6 janar - u shprehu "urimet e tij më të përzemërta bashkësive kishtare lindore, që festonin Krishtlindjen" dhe siguroi, në një mënyrë të veçantë, lutjet "për ata që vuajnë për shkak të konflikteve të vazhdueshme. Jezusi, Princi i Paqes, u dhuroftë paqe dhe qetësi” - pohon Papa.

Ishte solemniteti i Lindjes së Jezu Krishtit, të cilin Kishat ortodokse (në veçanti në Rusi, Serbi, Gjeorgji, Bjellorusi, por edhe në Etiopi, Egjipt dhe Jerusalem) e kremtojnë sipas kalendarit Julian natën ndërmjet 6 dhe 7 janarit, domethënë trembëdhjetë ditë pas shumicës së botës së krishterë.

Në Betlehem, në Bregun Perëndimor, festimet u drejtuan nga Patriarku ortodoks grek i Jeruzalemit, Theophilus III, i mirëpritur nga bashkësia vendase në Sheshin e Grazhdit. Por nuk ishte Krishtlindja plot hare e dikurshme, për shkak të luftës së vazhdueshme ndërmjet Izraelit e Hamasit në Gazë dhe tensioneve të tjera, në zonë.

Në Egjipt Krishtlindjen e kremtoi Teodori II, kreu i Kishës Ortodokse Kopte. Kremtoi e kujtoi se: "Kur Zoti hyri në botë, zgjodhi rrugën e fëmijërisë dhe, falë saj, u bënë vepra të mëdha. Mësojmë, kështu, se të gjitha gjërat e vogla bëhen të mëdha në duart e Zotit".

Ndërkaq Patriku i Moskës Çirili theksoi se “çdo ditë, e sidomos në këtë ditë, lutemi për paqen në mbarë botën, për stabilitetin e Kishës së Shenjtë të Zotit, për të sëmurët, për ata që vuajnë, për të burgosurit”.

Krishtlindja e quajtur joformalisht "ortodokse", paraqitet dhe rijeton përmes ikonave të shenjta (të ekspozuara gjatë festimeve) të cilat kanë kuptim të thellë në përshpirtërinë ortodokse. Në disa vende, si Gjeorgjia, ata që nuk mund të shkojnë në Kishë, ndezin një qiri në dritare. Shprehin, kështu, gatishmërinë për të mirëpritur lindjen e Jezusit në shtëpinë e tyre e në zemrën e tyre. Rit, ky, i shndërruar në traditë, që e nisi shumë vite më parë Patriarku Elia II.

08 janar 2025, 11:00