Françesku, Bashkimit të të Verbërve: të jeni shenja shprese për kë takoni
R.SH. – Vatikan
"Të mos ndalen kurrë, të mos mendojnë kurrë se kanë mbërritur në fund”. Kështu duhet të jenë “shtegtarët e shpresës”, ndërsa ecin drejt horizontit përrfundimtar të kuptimit të jetës, që e mbështet rrugëtimin nëpër vështirësi. Kështu u tha Papa Françesku anëtarëve të Bashkimit Italian të të Verbërve dhe të Personave me Shikim të Dëmtuar, gjatë audiencës së sotme, 3 janar, në Sallën Klementine. Ky horizont është lumturia e ripërtërirë, një lumturi, që vjen nga gëzimi i dhuruar nga Jezu Krishti, i ndryshëm nga të tjerët e jo sipërfaqësor, në gjendje të depërtojë deri në zemër, ta mbushë plot e ta ngrohë.
Gjithmonë në lëvizje, në çdo moshë
Papa i lidhi urimet e tij për vitin 2025 me ato për Vitin Jubilar, të sapopëruruar. U kërkoi të pranishmëve të përsërisin moton – “Shtegtarë të shpresës!” – duke u kërkuar të kenë gjithnjë dëshirë për të “ecur përpara”, “të jenë gjithmonë njerëz në lëvizje”.
“Në çdo moshë: fëmijë, të rinj, të rritur, të moshuar, gjithmonë në lëvizje”.
Të doni dhe të shërbeni në liri
Çdo udhëtim, kujtoi Françesku, ka një destinacion përfundimtar, që të mban gjallë gjatë vështirësive dhe stuhive të jetës. Në rastin e Jubileut, destinacioni është Porta e Shenjtë, simbol, kujtoi Papa, i misterit të shëlbimit të Jezu Krishtit, mjet për një ekzistencë të përtërirë, të lirë nga çdo skllavëri, "të lirë për të dashur dhe për të shërbyer". Françesku uroi që të gjithë të kenë me të vërtetë dëshirë për ta takuar Jezusin, "për ta njohur", për ta dëgjuar. Duke vepruar kështu, "i japin kuptim jetës, e mbushin me një gëzim të ri".
“Një gëzim ndryshe, një gëzim që nuk mbetet “jashtë”, në sipërfaqe, por që e mbush zemrën dhe e ngroh atë, një gëzim që është paqe, që është mirësi, që është butësi. I tillë është gëzimi i Jezusit”.
“Kampionët e mëdhenj” të shpresës
Këtë lumturi përjetuan “shtegtarët e shumtë të shpresës” në të kaluarën. Papa përmendi Pier Giorgio Frassati-n, duke e vendosur atë krah "kampionëve të mëdhenj" si shën Françesku dhe shën Kiara e Asizit, ose shën Tereza e Krishtit Fëmijë. Ata, të rinj si shumë prej të pranishmëve në Sallën Klementine, përvijojnë atë rrugë, që Papa shpreson të ndiqet nga të gjithë. “Kështu, do të bëhemi edhe ne shenja të vogla shprese për ata, që na takojnë. Ky është urimi, që bëj për mua e për ju”.