MAP

Papa pret drejtuesit dhe personelin e Inspektoratit të Sigurisë Publike të Vatikanit Papa pret drejtuesit dhe personelin e Inspektoratit të Sigurisë Publike të Vatikanit

Françesku: kalimi nga Porta Shenjte nuk është “akt magjik”, por shenjë e jetës së re

Në audiencën tradicionale në fillim të vitit, Papa falënderon drejtuesit dhe personelin e Inspektoratit të Sigurisë Publike të Vatikanit për punën e kryer, me "gatishmëri dhe guxim", në mbrojtje të Selisë së Shenjtë dhe të shtegtarëve

R.SH. – Vatikan

 Pa ndërhyrë dukshëm, por gjithnjë të vëmendshëm, sepse "njeriu i lënduar nga mëkati e bën të domosdoshme punën e forcave të rendit, në shërbim të së mirës së përbashkët të të gjithë bashkësisë, me mjetet e duhura për të penguar dhe për të ndaluar ata, që janë gati të kryejnë krime". Me këto fjalë, Papa shprehu mirënjohjen për punën e përditshme të drejtuesve dhe të personelit të Inspektoratit të Sigurisë Publike të Vatikanit, pritur sot paradite në audiencë, si çdo fillim viti.

“Është fjala për një detyrë, kjo e juaja, gjithnjë me kërkesa - e di – sepse ka nevojë për gatishmëri dhe guxim e, në shumicën e rasteve, kryhet në mënyrë diskrete, pa u vënë re, por presupozon vetëmohim, vëmendje ndaj çdo detaji, durim dhe gatishmëri për flijim. Vërtet, siguria është një veprimtari e padukshme, rëndësinë e së cilës e kuptojmë pikërisht kur, për ndonjë arsye, mungon. Ajo krijohet përmes përpjekjeve të vazhdueshme dhe inteligjente të mbikëqyrjes, natë e ditë, çdo ditë të vitit”.

  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Viti Shenjt, një mënyrë për ta lënë Zotin të na gjejë

Në fillim të fjalës së tij, duke falënderuar të pranishmit, Françesku foli për Jubileun, duke i ftuar "të përfitojnë nga Porta Shenjte, hapur natën e Krishtlindjes", në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe nga ato të hapura në bazilikat e tjera papnore në Romë. Një ftesë e shoqëruar me një sqarim që vlen për të gjithë, besimtarë e jobesimtarë.

“Kalimi i Portës Shenjte nuk është akt magjik - jo, nuk është - është simbol, një simbol i krishterë. Vetë Jezusi thotë: "Unë jam porta" – shenjë, që shpreh dëshirën për të filluar nga e para e kjo është urti: të rifillojmë, çdo ditë nga e para. Gjithmonë, të bëjmë një hap përpara. Me dëshirën për t’u ripërtërirë dhe për ta lënë Zotin të na gjejë. E, kushdo që, rastësisht, sheh se nuk e ka dhuratën e fesë, mund të përfitojë gjithsesi nga ky Vit jubilar për të ecur përpara”.

  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Një gjest për të thënë faleminderit

Audienca përfundoi me një falënderim të ri të Papës Françesku dhe me një lutje për gratë dhe burrat e Inspektoratit e për familjet e tyre.

“E kur të dielave, sekretarët e mi vijnë për t’ju sjellë çokollata a diçka të ngjashme, ky është gjest simbolik, por ju shpreh afërsinë time”.

23 janar 2025, 13:17