Nënë Tereza, në shtegtimin e Papës në Mongoli
R.SH. - Vatikan
Në Mongolinë e largët, pak të njohur nga ana tjetër e Globit, gjatë gjithë shtegtimit të Papës ishte e pranishme një Grua, tashmë Shenjte, që i ndihmon të varfërit e saj nga qielli: Nënë Tereza!
Pas përurimit të Shtëpisë së Mëshirës në Ulaanbaatar, simbol i vlerës së bamirësisë në Kishë, që të kujton edhe rolin e vullnetarizmit të lirë, larg logjikës së shpërblimit, Papa përdori shprehje, a më mirë, fjalë të urta, tipike për Nënë Terezën, që kanë vlerë për të gjithë njerëzit:
"E vetmja gjë që të duhet për të bërë mirë, është zemra e mirë".
Dhe:
“Vetëm dashuria, e mund egoizmin dhe e bën të përparojë botën".
E kujtoi kështu Nënë Terezën, që nuk mund të mungonte as në këto vise tejet të largëta, gati-gati të harruara nga pjesa tjetër e botës, ku la pas mësime tejet të çmuara. Mësime, që i kujtoi edhe Papa në përfundim të përurimit të Shtëpisë së Mëshirës në Ulaanbaatar, ditën e fundit të shtegtimit të tij në Mongoli, duke theksuar rolin e vullnetarizmit të lirë, larg logjikës së shpërblimit:
"Nuk do të bëja atë që bëni Ju, as për një milion dollarë", i pati thënë një gazetare Nënë Terezës, duke e parë si përkulej mbi plagët e hapura të një pacienti.
E mori përgjigjen tipike për Nënë Terezën:
“As unë nuk do ta bëja për një milion dollarë”- “e bëj për dashuri të Zotit!”.