Papa në Lac Ste. Anne: me ndihmën e Zotit, të ndërtojmë një Kishë nënë, ashtu si e do Ai
R.SH. - Vatikan
Në festën e shenjtorëve Joakimi dhe Ana, gjyshërve të Jezusit, më 26 korrik, Papa Françesku realizoi një dëshirë të kahmotshme: pas drekës, në orën 16.00, një çast i pritur dhe shumë i dëshiruar nga Papa: pjesëmarrja në shtegtimin tradicional në Shenjtëroren e Lac Ste. Anne, ku prej shekujsh, në javën e 26 korrikut, mijëra të devoçëm të Shën Anës mblidhen për t’u lutur dhe për t’u shëruar në trup e në shpirt, duke u larë në ujërat e liqenit.
Këtu besimtarët ndoqën Papën Françeskun gjatë kremtimit të Liturgjisë së Fjalës së Zotit. Takim i shumëdëshiruar, i 26 korrikut 2022, për Papën, shtegtar, i pritur e i përcjellë me tam-tamet e daulleve të indigjenëve e qytetarëve tjerë kanadezë ngado që shkel. Që i duket sikur i bëjnë jehonë rrahjeve të shumë zemrave - siç e kujtoi Papa në fillim të homelisë. Këtu mund të dëgjohen me të vërtetë rrahjet korale të zemrës së një populli shtegtar, të brezave që shtegtojnë drejt Zotit për të përjetuar veprën e tij shëruese.
Rrahjet korale të zemrave të një populli shtegtar
“Sa zemra erdhën këtu të etura, të gulçuara, të rënduara nga barra e jetës dhe pranë këtyre ujërave gjetën ngushëllimin e forcën për të ecur përpara e për t’i harmonizuar ritmet e zemrave me ato të krijimit, që na jep jetë”- theksoi Papa.
Më pas, ftesa për t’u kthyer tek burimet e jetës: te Zoti, te prindërit dhe, në ditën e festës së Shën Anës, te gjyshërit, të cilët Papa i përshëndeti me shumë dashuri. E pas tyre, edhe një mendim për gjyshet e pranishme:
“Të dashura, zemrat tuaja janë gurra! Prej tyre buroi uji i gjallë i besimit, me të cilin shuani etjen e fëmijëve dhe nipërve tuaj”.
Gratë, gurra të bekuara të jetës
Këtë theksoi Papa, duke kujtuar, i mahnitur, rolin jetik të grave në bashkësitë indigjene: ato zënë një vend të spikatur si gurra të bekuara të jetës, e jo vetëm fizike, por edhe shpirtërore - theksoi - për të kujtuar në vijim, gjyshen e vet, nga e cila mori mësimet e para të besimit dhe mësoi se Ungjilli transmetohet përmes butësisë së kujdesit dhe urtësisë së jetës. Besimi vjen rrallë duke lexuar një libër i vetëm, ‘në sallon’ - kujtoi më pas. Përhapet në atmosferën familjare, transmetohet në gjuhën e nënave, me këngën e ëmbël, kënduar në dialekt të gjysheve. Më ngrohet zemra duke parë kaq shumë gjyshër dhe stërgjyshër këtu - brohoriti Papa i rrethuar nga të katër anët me pleq kurorëzuar me pupla, që nuk vonuan t’ia vënë edhe Atij në kokë, që të dukej njëri prej tyre. E Françesku i falënderoi dhe u kujtoi atyre që kanë të moshuar në shtëpi, në familje, se nuk kanë pleq, po kanë një thesar!
Nevoja për shërimin, që vjen nga mjeku më i mirë: Jezusi!
Jezusi erdhi dhe vijon të vijë, që të kujdeset për ne, të na ngushëllojë dhe ta shërojë njerëzimin tonë të vetmuar e të rraskapitur - vijoi Ati i Shenjtë – sepse të gjithë kemi nevojë për shërimin e Jezusit, mjekut të korpit e të shpirtit. Prej këndej thirrja e Papës:
“O Zot, ashtu si njerëzit në brigjet e detit të Galilesë nuk kishin frikë të të thërrisnin për nevojat e tyre, kështu edhe ne vijmë te ti sonte, me dhimbjen që kemi në shpirt. Të sjellim thatësinë tonë, vështirësitë tona, traumat e dhunës që pësuan vëllezërit dhe motrat tona vendase. Në këtë vend të bekuar, ku mbretëron harmonia dhe paqja, ne paraqesim dizarmoninë e tregimeve tona, pasojat e tmerrshme të kolonizimit, dhimbjen e pashlyeshme të kaq shumë familjeve, gjyshërve dhe fëmijëve. Na ndihmoni t’i shërojmë plagët tona!”
Nënat dhe gjyshet ndihmojnë në shërimin e plagëve të zemrës
Nënat dhe gjyshet ndihmojnë në shërimin e plagëve të zemrës - kujtoi Papa - për të kaluar nga gjyshet, tek Zoja e Guadalupes dhe tek roli i pamohueshëm i misionarëve në këto vise:
“Zoja, gjatë dramës së pushtimit, u transmetoi besimin e duhur vendasve, duke folur gjuhën e tyre dhe duke veshur rrobat e tyre, pa dhunë dhe pa imponime. Dhe pak më vonë, me ardhjen e shtypit, u botuan gramatikat dhe katekizmat e para në gjuhët indigjene. Sa të mira kanë bërë në këtë kuptim misionarët ungjillëzues të mirëfilltë, për të ruajtur gjuhët dhe kulturat vendase në shumë pjesë të botës!”.
Feja duhet transmetuar në gjuhën amtare!
“Inkulturim i Nënës” e quajti Papa këtë proces, që u zhvillua nëpërmjet veprës së Shën Anës, duke ndërthurur bukurinë e traditave dhe të besimit indigjen dhe duke i formuar vendasit me mençurinë e një gjysheje, e cila është dy herë nënë:
“Edhe Kisha është grua, është nënë. Nuk pati asnjë çast në historinë e saj që besimi të mos përçohej në gjuhën amtare, nga nënat dhe gjyshet. Një pjesë e trashëgimisë së dhimbshme me të cilën po përballemi, rrjedh nga pengimi i gjysheve indigjene për ta transmetuar besimin në gjuhën dhe në kulturën e tyre”.
E quajti tragjedi këtë humbje Papa, duke bërë më pas thirrje për një fillim të ri. Prania juaj këtu - kujtoi me entuziazëm - është dëshmi e qëndrueshmërisë dhe fillim i ri shtegtimi drejt shërimit të zemrave të hapura për Zotin, që i shëron bashkësitë tona. Fjala e Papës arriti një nga kulmet, me thirrjen: “Kemi nevojë për shërim!”:
“Tani të gjithë ne, si Kishë, kemi nevojë për shërim: të shërohemi nga tundimi për t’u mbyllur në vetvete; për të zgjedhur mbrojtjen e institucionit, në vend të kërkimit të së vërtetës; për të parapëlqyer fuqinë e kësaj bote, në vend të shërbimit ungjillor. Ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të dashur vëllezër dhe motra, të japim kontributin tonë për të ndërtuar, me ndihmën e Zotit, një Kishë nënë, ashtu siç do Ai: të aftë për të përqafuar çdo bir e bijë”.
E nëse duam të kujdesemi dhe të shërojmë jetën e bashkësive tona, ne mund të fillojmë vetëm nga të varfërit, të dëgjojmë britmën e më të voglit, atij që na bën thirrje: “Mos më lini vetëm!”:
“Është klithma e të moshuarve që rrezikojnë të vdesin vetëm në shtëpi ose të braktisur në një institucion, e të sëmurëve të besditshëm, të cilëve në vend të dashurisë, u jepet vdekja. Klithma e mbytur e djemve dhe vajzave që më shumë pyeten sesa dëgjohen… Mos na lini vetëm është thirrja e atyre, që duan një botë më të mirë, por nuk dinë nga t’ia nisin”.
Vetëm Jezusi na ngushëllon
Jezusi, i cili na shëron dhe na ngushëllon me ujin e gjallë të Shpirtit të tij, sonte në Ungjill kërkon që edhe nga ne, nga kraharori i atyre që besojnë, “të gurrojnë lumenj uji të gjallë”, të ndihemi të dashur dhe të respektuar, pikërisht duke nisur t'i duam lirisht të tjerët. Kjo, porosia e Papës i cili, në përfundim të këtij takimi prekës, në breg të një liqeni, që të kujtonte atë të Galilesë, u kthye në Seminarin e Shën Jozefit, duke lënë pas jehonën e thirrjes:
“Në vetminë dhe intolerancën tonë, Jezusi na nxit të dalim, të japim, të duam. Të ndërtojmë, me ndihmën e Tij, Kishën Nënë, që i pëlqen Zotit!”.