Papa në Kanada, takimet me indigjenët në një udhëtim pajtimi
R.SH. – Vatikan
Qëllimi i udhëtimit të 37-të apostolik të Papës Françesku u bë menjëherë i qartë dje, në aeroportin ndërkombëtar të Edmontonit, ku Ati i Shenjtë mbërriti në mbrëmje (me orën evropiane), për t’u takuar menjëherë me një përfaqësi të indigjenëve të Kanadasë. Siç e tha edhe gjatë bisedës me gazetarët e gjatë Engjëllit të Tënzot në avion, Papa bën një shtegtim pendestar, për të dialoguar me popujt autoktonë, të cënuar nga kolonizimi në kulturën e në traditat e tyre. Përfaqësuesit e Kombeve të Para (First Nations), Metis dhe Inuit, realitete indigjene të njohura nga qeveria kanadeze, e mirëpritën Papën veshur me kostumet e tyre tradicionale, duke kënduar një këngë rituale.
Pas përshëndetjeve të autoriteteve civile dhe fetare, Françesku shkoi në seminarin e Shën Jozefit, ku do të qëndrojë në fillim të këtij udhëtimi. Sot dy takimet e para: në orën 18.00 (me orën evropiane), vizita në rezervatet e Maskwacìs, 100 kilometra në jug të Edmontonit; pas mesnate takim i ri me vendasit autoktonë në kishën e Zemrës së Krishtit, në praninë e bashkësisë famullitare.
“Të ecim së bashku”
Mesazhi i pajtimit, kërkesa për falje dhe ngushëllimi, që Françesku sjell në këtë tokë, u drejtohet të gjitha realiteteve të shoqërisë kanadeze, në një rrugë, që domosdoshmërisht, duhet bërë së bashku. E pikërisht kjo është tema e zgjedhur për udhëtimin: “Marcher Ansamble – Walking together”, të ecim së bashku, shprehur në dy gjuhët zyrtare të vendit, frëngjisht e anglisht. Një udhëtim i nisur tashmë që prillin e kaluar, në Vatikan, ku Ati i Shenjtë priti përfaqësuesit e indigjenëve kanadezë.