Papa: ka “kalor?s t? Zotit”, q? p?r?mojn? t? tjer?t. Kisha t? sjell? pajtim
R.SH. – Vatikan
“Nuk ka mëkat a dështim që, çuar para Zotit, të mos bëhet mundësi për të nisur një jetë të re, të ndryshme, në shenjën e mëshirës”. Në predikimin e meshës së kremtuar në Sheshin e Hambarëve, në Floriana të Maltës, pak jashtë mureve të La Valetës - veprimtaria e dytë e ditës së sotme për Papën, në udhëtimin e tij të 36-të apostolik - Françesku kujtoi se Zoti e lë derën gjithmonë hapur dhe di të gjejë rrugët e çlirimit e të shpëtimit. E kuptoi këtë edhe gruaja kurorëthyese e Ungjillit të sotëm, e akuzuar nga skribët dhe farisenjtë, që dëshironin ta vrisnin me gurë, për shkak të mëkatit të saj: e mashtruar, krejtësisht në rrugë të gabuar, në të cilën kërkonte më kot lumturi, ajo dënohet me vdekje nga akuzuesit e saj.
Falja, që na mëson të falim
Vështrimi i Jezusit ndalet mbi këtë grua e bashkë me të edhe falja, që ia ndryshon jo vetëm jetën, por edhe qëndrimin e saj ndaj akuzuesve, të cilët, në një farë mënyre, i dhanë mundësinë të takonte Zotin. E falur nga Jezusi, mësoi të falë:
“Zoti dëshiron që edhe ne dishepujt e Tij, ne si Kishë, të falur prej Tij, të bëhemi dëshmitarë të palodhur të pajtimit: [dëshmitarë] të një Zoti për të cilin fjala ‘i pandreqshëm’ nuk ekziston; i një Zoti që fal gjithmonë, vazhdon të besojë në ne dhe çdo herë, na jep mundësinë për të filluar nga e para”.
Në kërkim të atyre, që mungojnë
Kurorëthyesja e kthyer në fe i thotë Kishës të kthehet gjithmonë në shkollën e Ungjillit, të mos numërojë të pranishmit, por të shkojë e të kërkojë ata, që mungojnë. Atë ditë, ndërmjet popullit të Zotit, mbledhur rreth Jezusit, përveç gruas, akuzuesve të saj, skribëve dhe farisenjve, mungonin “ata që mburren se janë të drejtë, se zbatojnë ligjin e Hyjit, njerëz, që e dinë veten të ndershëm dhe të denjë”.
Rreziku për ta keqkuptuar Jezusin
Ata, vërejti Ipeshkvi i Romës, “nuk u kushtojnë vëmendje gabimeve të tyre, por janë tejet të kujdesshëm kur gërmojnë në gabimet e të tjerëve; në sytë e njerëzve duken si ekspertë të Zotit, por nuk e njohin Jezu Krishtin dhe e shohin atë si armik, që duhet eliminuar”.
“Këta personazhe na thonë se edhe në fenë tonë mund të zvarritet krimbi i hipokrizisë dhe vesi i të treguarit me gisht. Në çdo kohë, në çdo bashkësi. Gjithmonë, ka rrezik ta keqkuptojmë Jezusin, ta mbajmë emrin e tij në gojë, por ta mohojmë atë me fakte. E kjo mund të bëhet edhe duke lartuar flamuj me kryq”.
Vështrimi për të afërmin
Vështrimi, që përdorim për të afërmin e, edhe për vetveten, na tregon nëse jemi “dishepuj në shkollën e Mësuesit. Vërtet, nuk mjafton të lutesh, ose të marrësh pjesë në kremtimet fetare: jo solemniteti i jashtëm, por varfëria e brendshme është thesari më i çmuar i njeriut. Po i yni - pyeti Françesku – a është vështrim i mëshirshëm apo gjykon e përçmon?”
“Ata, që besojnë se e mbrojnë fenë, duke i treguar të tjerët me gisht, do të kenë ndonjë lloj vizioni fetar, por ai nuk përkon me frymën e Ungjillit, sepse e harron mëshirën, që është zemra e Zotit... Ajo, që ka rëndësi për Jezusin, është hapja plot gatishmëri e atyre, që nuk mendojnë se kanë arritur majat, por e dinë se kanë nevojë për shpëtim, …sepse Mësuesi nuk mjaftohet me dukjen, por kërkon të vërtetën e zemrës. E kur ia hapim zemrat së vërtetës, Ai mund të bëjë mrekulli në ne”.
Na ndreq me dashuri
Pikërisht në çastin kur gruaja kurorëthyese mbulohet me fyerje dhe është gati të durojë fjalë të pamëshirshme e ndëshkime të rënda, vuri në dukje Papa Françesku, Zoti e fal dhe e shpëton:
“Çfarë ndryshimi ndërmjet Mësuesit dhe akuzuesve! Ata përmendën Shkrimin Shenjt për ta dënuar; Jezusi, vetë Fjala e Zotit, e rehabiliton plotësisht gruan, duke i rikthyer shpresën. Nga kjo histori, mësojmë se çdo vërejtje, nëse nuk nxitet nga dashuria e nuk përmban dashuri, i mbyt e i fundos edhe më tej ata, të cilëve u drejtohet”.