MAP

Papa Françesku Papa Françesku

Evangelii gaudium dhe thelbi i fesë

Fjalët e Papës Françesku për Kishën e Maltës e ajo frazë e përsëritur shtatë herë

R.SH. – Vatikan

Andrea Tornielli

Para 3 mijë besimtarëve, mbledhur në sheshin e shenjtërores Ta'Pinu, në ishullin maltez të Gozos, gati në mbrëmjen e së shtunës, Papa Françesku foli për thelbin e fesë. E bëri përshtypje fakti, që i shtoi tekstit zyrtar frazën: “Gëzimi i Kishës është ungjillëzimi”. Françesku nuk e përsëriti vetëm një, por shtatë herë. Në fund të çdo paragrafi, përsëriste se ky është gëzimi i Kishës, ungjillëzimi. Është “Evangelii gaudium”, nxitja apostolike e nëntorit 2013, që përfaqëson udhën e papnisë së tij.

Kthimi në origjinë, shpjegoi Françesku, nuk është ndonjë endje për t’u zhytur më kot në të kaluarën tejet të largët, as idealizim i epokave, që pa dyshim nuk do të kthehen më. Kthim në origjinë do të thotë të kthehesh në thelbësoren, pra, të kujtosh sërish frymën e bashkësisë së parë të krishterë, të kthehesh në zemrën e fesë. E zemra e fesë janë marrëdhëniet me Jezu Krishtin dhe shpallja e Ungjillit të tij në mbarë botën. Kjo, vetëm kjo, është themelore.

Prandaj, shqetësimi i Kishës nuk mund dhe nuk duhet të jetë ai i prestigjit të bashkësisë dhe i klerit të saj, nuk mund dhe nuk duhet të jetë ndikimi i saj shoqëror, domethënë “sa ka pushtet”, “sa e rëndësishme” është në skenën botërore, në shoqëri, në vendet e të fuqishmëve. Nuk mund e nuk duhet të jetë kërkimi i hapësirave dhe i vëmendjes. Nuk mund të jetë as përsosja e kultit, ato ceremoni të përkryera, që ka rrezik të bëhen, siç thoshte Joseph Ratzinger, “teatër bosh”. Shqetësimi për kumtin dhe dëshminë, përpjekja për të gjetur çdo mënyrë të mundshme që burrat dhe gratë e kohës sonë të takohen me Jezusin e gjallë: kjo i shtyu dishepujt e Nazarenasit e i shtyn edhe sot ata, që dëshmojnë Ungjillin. Sepse gëzimi i Kishës është ungjillëzimi, domethënë përhapja e gëzimit të mesazhit të krishterë.

Është domethënëse që nëntë vjet pas zgjedhjes së tij si ipeshkëv i Romës, Françesku kthehet sërish tek “Evangelii gaudium”, mesazhi i tij më i rëndësishëm e, ndoshta, më pak i kuptuar. Një mesazh, që hasi në kundërshti, por që ka rrezik ende të shndërrohet në parrullë edhe nga ata, që e pranuan dhe e mirëpritën. Kështu, edhe kumtimi i Ungjillit përfundon në kafazin e aparateve kishtare, ngërthehet në struktura e strategji marketingu fetar. Nga ky rrezik nuk përjashtohet as rruga sinodale, që Papa e dëshiroi fort për gjithë Kishën: rreziku i “normalizimit” në burokraci kishtare, në vend që të jetë guxim, hapje, dëgjim i të gjithëve, për një hov të përtërirë misionar.

Ka një provë, shpjegoi Françesku, për të verifikuar efektivisht sa përshkohet Kisha nga fryma e Ungjillit. E kjo është mikpritja, ngarkimi me barrën e vuajtjes, pa interes. Besimtarëve të Maltës, ishull “liman i sigurt” gjatë shekujve dhe vendi ku mbërriti Shën Pali, të cilin të krishterët e parë e trajtuan “me njerëzi të rrallë”, Papa u kujtoi: “Nuk mund të presim mirë vetëm njëri-tjetrin, nën hijen e kishave tona të bukura, ndërsa jashtë shumë vëllezër e motra vuajnë dhe kryqëzohen nga dhimbja, mjerimi, varfëria e dhuna”. Fjalë, që i bëjnë jehonë atit të Kishës, Shën Gjon Gojartit, i cili në një nga predikimet e tij të famshme pohonte: “A doni ta nderoni Korpin e Krishtit? Mos lejoni që ai të jetë objekt përbuzjeje në asnjë nga gjymtyrët e tij, pra në të varfërit, pa rroba për t’u mbuluar. Mos e nderoni këtu në kishë me pëlhura mëndafshi, ndërsa jashtë as ia hidhni sytë kur vuan nga të ftohtit dhe është i paveshur”. Sot, si dy mijë vjet më parë, prova është po ajo.

03 prill 2022, 13:36