“Trojet plot dritë” të Maltës presin Papën Françesku
R.SH. – Vatikan
Malta, vend mesdhetar, në pikën më jugore të Evropës, përgatitet të presë Papën e tretë në historinë e saj. Pas Shën Gjon Palit II, që e vizitoi dy herë arqipelagun, më 1990 dhe më 2001, e pas Benediktit XVI në vitin 2010, tani i takon Papës Framçesku të shkojë të shtunën e të dielën në këtë shtegtim të 36-të apostolik. Udhëtimi ishte organizuar për majin e vitit 2020, por u shty, për shkak të pandemisë së koronavirusit e tani, do të realizohet ndërsa në Ukrainë vijon lufta.
Në burimet e kumtimit të Ungjillit
“Tokë plot dritë”, e quajti Papa Françesku Maltën, gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës. Tokë, që pret “shumë vëllezër e motra në kërkim të strehimit”. Tema e mikpritjes së emigrantëve gjen vend edhe në logon e udhëtimit, ku pasqyrohen duar, që zgjaten drejt të afërmit e drejt qiellit, dalë nga një anije, simbol i asaj, që u fundos në brigjet e ishullit para 2000 vitesh, duke nxjerrë në breg Shën Palin apostull, shpëtuar për mrekulli. Për Papën, ky është rast për të shkuar “tek burimet e kumtimit të Ungjillit” e për të njohur personalisht “një bashkësi të krishterë me histori mijëvjeçare”. Bashkësi, që përbëhet nga 408 mijë të pagëzuar në Krishtin, 85% e banorëve të arqipelagut, ku bëjnë pjesë Malta, Gozo dhe ishuj të tjerë më të vegjël.
Programi i vizitës
Papa Françesku mbërrin në Maltë në orën 10.00 të së shtunës. Nga aeroporti shkon në Pallatin e Mjeshtrit të Madh të La Valletta-s, seli e Mjeshtrave të Mëdhenj të Kalorësve të Shën Gjonit, që e ndërtuan në vitin 1571. Aty takohet me presidentin dhe me kryeministrin e vendit e më pas, i flet Trupit Diplomatik të akredituar në Maltë. Pasdite, vizita në shenjtëroren mariane Ta’Pinu në ishullin e Gozos. Lutja me besimtarët në sheshin para shenjtërores më të rëndësishme të vendit do të mbyllë ditën e shtunë.
Të dielën, Françesku do të takohet privatisht me jezuitët e Maltës dhe do të shkojë për t’u lutur në shpellat e Shën Palit në Rabat. Ky është vendi, ku, sipas traditës, doli në breg apostulli, pas mbytjes së anijes, në vitin 60 pas Krishtit. Është vend tejet i rëndësishëm për krishtërimin në ishull, që është vizituar edhe nga dy Papët e mëparshëm.
Pas ndezjes së një llambe kushtimi, Ati i Shenjtë do të lutet e do të përshëndesë 14 krerët fetarë të pranishëm, së bashku me të sëmurët e asistuar nga Karitasi. Pastaj, mesha në Sheshin e Hambarëve në Floriana, në orën 10.15, ndjekur nga Engjëlli i Tënzot. Pasdite, vizita në qendrën "Gjoni XXIII Peace Lab", në Hal Far, ku strehohen emigrantë nga Somalia, Eritrea dhe Sudani. Papa do të takohet me rreth dyqind prej tyre, në teatrin e hapur të strukturës. Në orën 18.15, parashikohet ceremonia e lamtumirës në aeroport, ndërsa mbërritja në Romë, në orën 19.40.