Papa në Qipro: pranë e pranë me dashuri të krishterë, atje ku Kisha është Nënë
R.SH. - Vatikan
Një ftesë e fortë për të mos e ndjekur “papajtueshmërinë e ndryshimeve’, që nuk është në Ungjill e për ta lënë mënjanë gjithçka mund të pengojë bashkimin e plotë, përparësinë e mëshirës dhe nevojën e unitetit”. Ishte, pra, thirrje për t’i lënë mënjanë “teoritë abstrakte” e për të punuar së bashku gju më gju, me dashuri të krishterë, në fushën e edukimit e në promovimin e dinjitetit të njeriut. Kështu mund ta rizbulojmë vëllain e bashkimi do të fitojë vetvetiu pjekurinë!
E kështu, në fjalën e mbajtur para Sinodit të Shenjtë ortodoks, në katedralen e Shën Gjonit Teolog, në Nikozi, Papa ia shtriu dorën e dialogut vëllait Chrisostomos II, kryepeshkop i Qipros, duke e falënderuar “për hapjen e zemrës” dhe “angazhimin ekumenik”.
Nga Pali, zanafilla apostolike e dy Kishave
Pas fjalimit të prijësit të Kishës ortodoke autoqefale të Qipros, i cili kërkoi mbështetje për të dalë “nga Golgota kombëtare edhe kishtare, që të krishterët qipriotë po e jetojnë që nga viti 1974, ndonëse besojnë plotësisht në zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve me Turqinë”, Papa kujtoi zanafillën apostolike të Kishës së Romës e të Kishës së Ishullit në zemër të Mesdheut. “Pali përshkoi Qipron e, më pas, arriti në Romë” - nënvizoi:
“Jemi pasardhës të të njëjtit zell apostolik e një udhë e vetme na lidh: kjo e Ungjillit. Më pëlqen, kështu, të shikoj si ecim në të njëjtën udhë, në kërkim të vëllazërimit gjithnjë më të madh e të unitetit gjithnjë më të plotë”.
Barnaba na ngushëllon e na nxit
Më pas Françesku nënvizoi tre aspekte të figurës biblike të Shën Barnabës “që mund të tregojnë udhën”. Barnaba - kujtoi - do të thotë “bir i këshillimit” a “bir i ngushëllimit”. I ka të dyja karakteristikat e domosdoshme për kumtimin e Ungjillit:
“Na kujton se çdo nxitje në fe nuk mund të mos ketë në themel praninë ngushëlluese të Zotit e të mos shoqërohet nga dashuria vëllazërore”.
Kumtimi i Ungjillit duhet shoqëruar nga vëmendja për nevojat e jetesës
Kështu Barnaba, bir i ngushëllimit - vijoi Papa - na nxit t’ia çojmë Ungjillin njerëzve, “duke i ftuar ta kuptojnë se kumtimi nuk mund të bëhet vetëm me nxitjet e përgjithshme, me përsëritjen pa fund të normave, që duhen zbatuar, siç është bërë shpesh. Papa foli për ndjekjen e një rruge tjetër, “për rrugën e takimit personal, duke i kushtuar vëmendje njerëzve, nevojave të jetës së tyre”:
“Për të qenë bij të ngushëllimit, para se të hapësh gojën për të folur, duhet të dëgjosh, ta zbulosh tjetrin, të ndash me të çka duhet ndarë. Sepse Ungjilli transmetohet përmes bashkimit. Është kjo që ne, si katolikë, dëshirojmë ta jetojmë në vitet që do të vijnë, duke rizbuluar përmasën sinodale, themelore për Kishën”.
Papa, më pas, e vlerësoi lart përvojën e sinodalitetit të Kishës ortodokse të Qipros dhe uroi të shumëfishohen rastet dhe mundësitë për t’u takuar e për t’u njohur më mirë. Kjo do t’u sjellë të dyja palëve frytin shpirtëor të ngushëllimit. E Papa i siguroi qipriotët për lutjen, afërsinë dhe ndihmën e tij e të Kishës katolike, për zgjidhjen e problemeve që i trazojnë të krishterët qipriotë, e edhe për realizimin e shpresave më të bukura, të cilat dëshirojnë t’i shikojnë të vëna në jetë.
Nuk duhet të lejojmë të na paralizojnë papajtueshmëritë e ndryshimet
Aspekti i dytë i Barnabës, për Papën, lidhet me gjestin simbolik, që përshkruhet në Veprat e Apostujve: “Pronar i një are, e shiti dhe e dorëzoi fitimin, duke e vënë tek këmbët e Apostujve”. Na duhet edhe ne të zhvishemi nga gjërat, sado të çmuara të jenë, nëse kjo zhveshje favorizon unitetin tonë të plotë, theksoi me forcë Françesku:
“Nuk duhet të paralizohemi nga frika e hapjes dhe e kryerjes së gjesteve të guximshme, as ta ndjekim ‘papajtueshmërinë e ndryshimeve’, që nuk është në Ungjill. E nuk duhet as të lejojmë që Traditat, në numrin shumës e me ‘t’ të vogël, të dalin mbi Traditën, në numrin njëjës e me ‘T’ të madhe. Ungjilli na nxit t’i ngjajmë Barnabës, të lëmë gjithçka, qoftë edhe e mirë, që mund ta dëmtojë realizimin e plotë të bashkimit, primatin e dashurisë së krishterë e nevojën e unitetit”.
Së bashku, gju më gju!
Kështu Papa kërkoi bashkim në dashurinë e krishterë, mbasi vetëm kështu bashkimi mund të fitojë pjekurinë, me durim, këmbëngulje, konkretësi:
“Sepse po t’i lëmë mënjanë teoritë abstrakte e të punojmë së bashku gju më gju, për shembull në dashurinë e krishterë, në edukimin, në promovimin e dinjitetit njerëzor, rizbulojmë vëllain e bashkimi fiton vetvetiu pjekurinë, për lavdi të Zotit. Secili do të ruajë mënyrat e veta e stilin e vet, por me kohë puna e përbashkët do të thellojë harmoninë e do të na ndihmojë ta kultivojmë bashkimin tonë apostolik”.
Kështu u shpreh Papa, duke bërë thirrje t’u jepet fund paragjykimeve armiqësore, të bazuara mbi informacione të pasakta, sepse gjatë shekujve, edhe pa dashur, të dyja palët asimiluan një mori paragjykimesh armiqësore për të tjerët deri në atë gradë, sa t’u kallej flaka shenjtoreve.
Kryeipeshkvi ortodoks kërkon ndihmën e Papës
Kryeipeshkopi ortodoks qipriot, ndërkaq, foli për pastrim etnik nga ana e Turqisë, që dëboi 200 mijë banorë të krishterë, me barbari të pabesueshme, për t’i zëvendësuar dyfish me kolonë, ardhur nga thellësitë e Anatolisë!
Më pas i kërkoi ndihmë Papës për këtë e për dëmet e panumërta që po u bëhen Kishave bizantine, duke e quajtur këtë atmosferë armiqësore, “Golgotë kombëtare”. Primati i Kishës ortodokse të Qipros kërkoi “mbështetje aktive” nga ana e Françeskut. E Papa e siguroi se beson plotësisht në zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, qofshin të natyrës civile apo të asaj fetare.