MAP

Papa në takimin me klerin katolik të Qipros, në katedralen e Zojës së Hireve, Nikozi Papa në takimin me klerin katolik të Qipros, në katedralen e Zojës së Hireve, Nikozi

Papa Françesku me klerin e Qipros: nuk ka e nuk duhet të ketë mure në Kishën Katolike

"Nuk ka dhe nuk duhet të ketë mure në Kishën Katolike: ajo është një shtëpi e përbashkët, është vendi i marrëdhënieve, është bashkëjetesë e ndryshimeve”. Kështu, Papa Françesku në takimin e tij të parë në Qipro, gjatë udhëtimit të 35-të apostolik ndërkombëtar. Ati i Shenjtë përshëndeti meshtarët dhe rregulltarët e ritit maronit e latin.

R.SH. - Vatikan

Takimi i parë i Papës Françesku në Qipro, ishte ai me meshtarët dhe rregulltarët e ritit maronit, ndjekur nga shumica e katolikëve të pranishëm në ishull. Ati i Shenjtë dëgjoi dëshmitë e tyre dhe i përshëndeti në katedralen e Zojës së Hireve, në Nikozi, kryeqyteti i ndarë më dysh nga një kufi i patrulluar prej forcave të OKB-së. Që nga viti 1974, nga njëra anë, është Republika e Qipros e njohur botërorisht e nga ana tjetër, pasojë e pushtimit turk, Republika turke e Qipros së Veriut, e cila njihet vetëm nga Turqia.

Në gjurmët e apostullit Barnaba

Papa sqaroi që në fillim se ndodhet në këtë vend, në gjurmët e apostullit Barnaba, bir i këtij populli, dishepull i dashuruar me Jezu Krishtin e kumtues sypatrembur i Ungjillit. Vij, u tha Ati i Shenjtë qipriotëve, me të njëjtën dëshirë të tij: “ta shoh Hirin e Tënzot të veprojë në Kishën e në tokën tuaj, të gëzohem bashkë me ju për mrekullitë që bën Zoti e t’ju nxis të qëndroni drejt gjithmonë, pa u lodhur, pa u shkurajuar kurrë”.

Fytyra “shumëngjyrëshe” e Qipros, shembull për Evropën

 Maronitët e Qipros kanë ardhur në këto troje nga Libani shekuj më parë e Ati i Shenjtë nuk mungoi të shprehë shqetësimin e tij për Vendin e Kedrave, ku populli është i lodhur nga dhuna e dhimbja, që vijon të pësojë, tashmë, prej kohësh. E, duke përshëndetur edhe Kishën Katolike të ritit latin, e cila përbëhet kryesisht nga emigrantë, të ardhur për të punuar në Qipro, duke i dhënë asaj një fytyrë “shumëngjyrëshe”, Papa nënvizoi:

“Kjo fytyrë e Kishës pasqyron rolin e Qipros në kontinentin evropian: tokë fushash të praruara, ishull i përkëdhelur nga dallgët e detit, por, sidomos, histori që përbëhet nga ndërthurja e popujve, një mozaik i vërtetë takimesh. Kështu është edhe Kisha: katolike, domethënë universale, vend i hapur në të cilin të gjithë mirëpriten, ku secilit i mbërrin mëshira e Zotit dhe ftesa për dashuri. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë mure në Kishën Katolike: ajo është një shtëpi e përbashkët, është vendi i marrëdhënieve, është bashkëjetesë e ndryshimeve”.

Kemi nevojë për një Kishë të durueshme

Papa Françesku u ndal në disa fjalë kyçe, frymëzuar nga historia e Shën Barnabës, “pajtori e vëllai juaj”, u tha qipriotëve. Së pari, durimi. Ati i Shenjtë përshkroi Barnabën apostull, njeri me fe, tejet i ekuilibruar, që zgjidhet për të vizituar bashkësinë e Antiokisë. Aty, takohet me njerëz të sapokthyer në krishtërim, por me kulturë e zakone të tjera. Qëndrimi i tij ndaj tyre ishte pikërisht durimi dhe shoqërimi në udhën e respektimit të të vërtetave të fesë. Për këtë lloj Kishe kemi nevojë, nënvizoi Papa, për një “Kishë të durueshme”. E, përmendi punën e bërë nga katolikët për pritjen krahëhapur të emigrantëve dhe të refugjatëve, që vijnë nga anë të tjera të botës.

“Kisha në Qipro ka këto krahë të hapura: mirëpret, integron, shoqëron. Është mesazh i rëndësishëm edhe për Kishën në mbarë Evropën, karakterizuar nga kriza e fesë: nuk është e nevojshme të jemi impulsivë dhe agresivë, nostalgjikë e njerëz që ankohen gjithmonë, por është mirë të ecim përpara, duke i interpretuar shenjat e kohëve dhe shenjat e krizës. Duhet të fillojmë përsëri ta kumtojmë Ungjillin me durim, veçanërisht për brezat e rinj”.

Kurrë gjykatës të pamëshirshëm, gjithnjë baballarë të dashur

Papa u kërkoi durim edhe ipeshkvijve e meshtarëve, të cilët, në punën e tyre, nuk duhet të tregohen gjykatës të pamëshirshëm, por shërbëtorë të palodhur të faljes e të mëshirës së Zotit. Kjo duhet të karakterizojë edhe udhën sinodale të sapofilluar, theksoi Ati i Shenjtë.

“Në larminë shumëformëshe të popullit tuaj, durim do të thotë edhe të kesh veshë dhe zemër për ndjeshmëri të ndryshme shpirtërore, për mënyra të ndryshme të shprehjes së fesë, për kultura të ndryshme. Kisha nuk dëshiron të uniformojë, por të integrojë me durim”.

Vëllazërim si ai i Palit me Barnabën

Për të shpjeguar fjalën e dytë, në të cilën nguli këmbë, atë të “v&ܳ;&ܳ;”, Papa Françesku u nis nga takimi i Barnabës apostull me Palin e Tarsit. Pas kthimit të këtij të fundit në krishtërim, Ungjilli na tregon se Barnaba e mori me vete. Sipas Atit të Shenjtë, kjo do të thotë “të marrësh përsipër historinë e tjetrit, t’i japësh kohë vetes që ta njohësh pa e etiketuar, ta mbash mbi supe kur është i lodhur ose i lënduar, siç bën Samaritani i Mirë”. E kështu bënë apostujt për një vit të tërë. Por, ka një çast, që ata u grindën ndërmjet tyre, pasi nuk ishin dakord për misionin, prandaj udhët e jetës u ndanë. E megjithatë, vërejti Bergoglio, nga letrat e mëpasme të shën Palit shihet se nuk i mbanin inat njëri-tjetrit. “Në Kishë duhet diskutuar për opinionet e ndryshme – shtoi Papa, duke i lënë letrat mënjanë – është keq kur nuk diskutohet kurrë… paqja rigoriste nuk është e Zotit. Unë dyshoj për ata, që nuk diskutojnë kurrë, kanë agjenda të fshehta”.

“Ky është vëllazërimi në Kishë: mund të diskutojmë për këndvështrimet, ndjeshmëritë dhe idetë e ndryshme. E, në disa raste, thënia e gjërave në fytyrë, me sinqeritet, ndihmon, është mundësi për zhvillim e ndryshim. Por ta kujtojmë gjithmonë: diskutojmë, jo për të bërë luftë, jo për t’u imponuar, por për të shprehur dhe për të jetuar gjallërinë e Shpirtit Shenjt, që është dashuri dhe bashkim. Grindemi, por mbetemi vëllezër”.

Ndryshimet nuk janë kërcënim për identitetin

Kjo është Kisha vëllazërore, të cilën Papa ua kërkoi edhe katolikëve qipriotë, duke i nxitur të mos i shohin ndryshimet si kërcënim për identitetin, sidomos para kulturave dhe historive të popujve, që zbarkojnë në ishull si emigrantë.

“Me vëllazërimin tuaj – përfundoi Françesku - mund t’u kujtoni të gjithëve, krejt Evropës, se për të ndërtuar një të ardhme të denjë për njeriun duhet të punojmë së bashku, të kapërcejmë ndarjet, të shembim muret dhe të kultivojmë ëndrrën e bashkimit. Duhet të mirëpresim dhe të integrohemi, të ecim së bashku, të jemi të gjithë vëllezër e motra!”

02 dhjetor 2021, 15:38