MAP

Papa Françesku është në Greqi

Pas vizitës në Qipro, nisi etapa e dytë e shtegtimit apostolik të Papës, që tani ndodhet në Athinë. Në kryeqytetin helenik Françesku shkon për t’i përforcuar katolikët në fe e për t’i inkurajuar si anëtarë të Kishës katolike universale. Imzot Dimitrios Salachas: nuk e ndjejmë veten pakicë, por trashëgimtarë të një historie të lavdishme

R.SH. - Vatian

Në orën 11.10 me orën vendase (10.10 me të Romës)  avioni A320neo i Shoqërisë Aegean, me të cilin udhëtonte Papa Françesku, preku tokën e Athinës, kryeqytet i Greqisë, pas dy orë fluturimi nga Qipro. Për ta pritur Papën, përveç përfaqësuesve të autoriteteve, kishin dalë edhe dy fëmijë.

Vizita në Qipro, etapa e parë e shtegtimit apostolik të Papës, përfundoi sot paradite, në orën 08.00, me ceremoninë e lamtumirës, mbajtur në Aeroportin ndërkombëtar të Larnaca-s. Papa i shprehu kombit qipriot “Mirënjohje të thellë për mikpritjen e ngrohtë” në telegramin e lamtumirës drejtuar këtij vendi, të cilin e siguroi se do të lutet që të ketë  “paqe e begatit”.

E tani nisi etapa e dytë e shtegtimit të 35-të apostolik. Sot në Athinë, Papa do t’i bëjë një vizitë mirësjelljeje presidentes Katerina Sakellaropoulou e, më pas, do të takohet me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik; pasdite do të vizitojë kryepeshkopin ortodoks të Athinës dhe të gjithë Greqisë Ieronymos e do të takohet edhe me ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët e rregulltaret, seminaristët e kateksitët në katedralen e Shën Dionisit.

Në mbrëmje, së fundi, takimi privat me sivëllezërit jezuitë, pranë Nunciaturës.

Imzot Salachas shpreh kënaqësinë e tij të thellë për praninë e Papës dhe kujton videomesazhin e Atit të Shenjtë  dërguar besimtarëve katolikë: “Vij  tek ju, motra e vëllezër katolikë, të mbledhur në këto vise në grupe të vogla, që Ati i do fort e të cilëve Jezusi, Bariu i Mirë u përsërit: ‘Mos u tremb, grigjë e vogël. Vij me dashuri t’ju sjell inkurajimin e mbarë Kishës katolike”.

Duke ju vizituar - vijon Papa - do të kem mundësinë të shuaj etjen në gurrat e lashta të Evropës: në Qipro,  degëz  e Tokës Shenjte në kontinent; në Greqi, atme e kulturës klasike. Por edhe sot - pohoi - Evropa nuk mund të lërë mënjanë Mesdheun, det që pa të përhapet Ungjilli dhe zhvillimi i qytetërimeve të mëdha.

04 dhjetor 2021, 11:41