MAP

Takimi i Papës me emigrantët në Nikozi Takimi i Papës me emigrantët në Nikozi

Qipro, Papa emigrantëve: telat me gjemba, helm i urrejtjes kundër vëllezërve

Papa Françesku e përfundoi etapën qipriote të udhëtimit të tij të 35-të apostolik ndërkombëtar, me një lutje ekumenike së bashku me emigrantët. “Nuk duhet të na frikësojnë dallimet, por paragjykimet”. Ati i Shenjtë denoncoi kampet e përqendrimit për emigrantët në Libi, ku ata torturohen, shiten e skllavërohen. 12 emirgantë do të vijnë në Itali, pas udhëtimit apostolik - gjest humanitar i Papës

R.SH. - Vatikan

“Ky ishull, shënuar nga ndarja e dhimbshme, u bëftë laborator vëllazërimi, me hirin e Tënzot”: ky ishte urimi i Papës Françesku në përfundim të etapës qipriote të udhëtimit të tij të 35-të apostolik, para se të niset nesër për në Greqi. Ati i Shenjtë mori pjesë në lutjen ekumenike, së bashku me emigrantët e ardhur në Qipro nga vende në vështirësi, dëgjoi dëshmitë e tyre, si edhe të vullnetarëve të Karitasit, që i kanë ndihmuar e vazhdojnë t’i ndihmojnë. Kisha e Shën Kryqit, ku u zhvillua veprimtaria e fundit e ditës së sotme, është pikë referimi për gjithë bashkësinë katolike të Qipros. Ndërtuar mbi një kishë të vitit 1642, guri i parë i ndërtesës së re u vendos më 8 prill 1900, falë Familjes Mbretërore spanjolle dhe fretërve françeskanë të Tokës Shenjte, të cilëve u është besuar. 

Zoti ëndërron një botë me paqe, si Mariamie

 Papa falënderoi Patriarkët Pizzaballa dhe Béchara Raï,si edhe zonjën Elizabeta, që dha dëshmi për Karitasin e, pastaj, u përqendrua në dëshmitë e katër emigrantëve, të cilat i patën bërë përshtypje që një muaj më parë, kur ia sollën. “Pasi ju dëgjojmë – nënvizoi Ati i Shenjtë – e kuptojmë më mirë gjithë forcën profetike të Fjalës së Zotit, që përmes shën Palit apostull, thotë: ‘Ju nuk jeni më të huaj, as miq, por jeni bashkëqytetarë të shenjtorëve e familjarë të Zotit’”.

“Kjo është profecia e Kishës: një bashkësi që - me gjithë kufizimet njerëzore - mishëron ëndrrën e Zotit. Sepse edhe Zoti ëndërron, ashtu si ti, Mariamie, - iu drejtua Papa njërës prej emigranteve - që vjen nga Republika Demokratike e Kongos dhe e quajte veten ‘njeri plot ëndrra’. Ashtu si ti, Zoti ëndërron një botë me paqe, në të cilën bijtë e tij jetojnë si vëllezër e motra”.

Emigrantët nuk janë numra

Pastaj, Françesku iu drejtua Thamara-s, nga Sri Lanka, e cila gjatë dëshmisë së saj, nënvizoi faktin se të tjerët e pyesin “kush je?”, duke e parë të ndryshme nga popullsia e ishullit. E Ati i Shenjtë nënvizoi se kjo pyetje u bëhet të gjithëve e shpesh, nënkupton “Nga anon? Cilit grup i përket?”. Por, siç tha edhe vetë emigrantja: “nuk jemi numra, individë për t’u kataloguar; jemi ‘vëllezër’, ‘miq’, ‘besimtarë’, ‘të afërm’ me njëri-tjetrin”. Duke e lënë mënjanë fjalimin e shkruar, Papa denoncoi interesat e veçanta politike e kombëtare, që shpesh, mund t’i skllavërojnë njerëzit. E Bergoglio vijoi me emigrantët e tjerë:

“Kur ti, Maccolins, që vjen nga Kameruni, thua se gjatë jetës je ‘plagosur nga urrejtja’, na kujton se urrejtja i ka ndotur edhe marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve. E kjo, siç the, lë gjurmë, një gjurmë të thellë, që mbetet gjatë. Është helm, nga i cili është e vështirë të shërohemi. Është mendësi e deformuar, e cila në vend që të na bëjë të shihemi si vëllezër, na bën të shihemi si kundërshtarë, si rivalë”.

Emigranti udhëton drejt shpresës

Nga Rozh, emigrante e Irakut, Papa mori shprehjen “njeri në udhëtim”, për të kujtuar se e gjithë bashkësia e krishterë është për udhë, nga konflikti drejt bashkimit. Rruga ka të përpjeta e të tatëpjeta, por, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk duhet të kemi frikë nga dallimet e nga problemet. Duhet ta mbajmë zemrën të hapur për Krishtin, i cili vjen të na takojë në vëllain e mënjanuar, “në fytyrën e emigrantit të përbuzur, të kthyer mbrapsht, të shtënë në kurth, por edhe në atë të emigrantit për udhë drejt shpresës e drejt bashkëjetesës më njerëzore me të tjerët.

“E kështu – theksoi Papa Françesku - Zoti na flet përmes ëndrrave tuaja. Ka rrezik që shpesh, të mos i lëmë ëndrrat të hyjnë brenda nesh, parapëlqejmë të flemë e jo të ëndërrojmë. Është kaq e lehtë ta kthejmë kokën nga ana tjetër. E kështu, jemi mësuar me kulturën e indiferencës, me kulturën e shikimit nga ana tjetër – e kështu, flemë të qetë. Zoti nuk flet përmes njerëzve, që nuk mund të ëndërrojnë asgjë, sepse kanë gjithçka, ose e kanë zemrën gur. Ai na bën thirrje të mos dorëzohemi para një bote të ndarë, para bashkësive të krishtera të përçara, por të ecim në histori të joshur nga ëndrra e Zotit: një njerëzim pa mure ndarës, i çliruar nga armiqësia, pa të huaj, por vetëm me bashkëqytetarë. Të ndryshëm, sigurisht, e krenarë për veçoritë tona, që janë dhuratë e Hyjit, por bashkëqytetarë të pajtuar”.

Qiproja, laborator vëllazërimi

Ati i Shenjtë u lut që ishulli i Qipros, i ndarë në pjesën greke e në atë turke, të kthehet në “laborator vëllazërimi”. Duke folur pa letër, pranoi vështirësitë që kanë banorët dhe qeveritarët në mikpritjen e emigrantëve, duke bërë thirrje të mos lihen vetëm. E përmendi edhe dy kushte që ishulli të kthehet në laborator vëllazërimi: së pari, njohja e dinjitetit të çdo njeriu; së dyti, hapja e zemrës për Atin Qiellor, që është Zoti i të gjithëve. Ky është “tharmi”, që duhet të bartim si besimtarë, nënvizoi Papa.

“Me këto kushte, ëndrra mund të kthehet në një udhëtim të përditshëm, në hapa konkretë nga konflikti në bashkim, nga urrejtja në dashuri. Një rrugëtim plot durim, i cili, ditë pas dite, na çon në tokën që Zoti na ka përgatitur, në tokën ku, nëse të pyesin: ‘Kush je?’, mund të përgjigjesh hapur: ‘Jam vëllai yt’.

Vëllezër e motra, mbetur për udhë

 Vjen çasti i lamtumirës, por Papa deshi të shtojë një reflektim përfundimtar, duke u larguar krejtësisht nga fjalimi i shkruar. Denoncoi kushtet çnjerëzore në të cilat jetojnë mijëra emigrantë në mbarë botën: “E them këtë sepse është përgjegjësia ime t’iu hap sytë”, nënvizoi. Ati i Shenjtë denoncoi trafikantët dhe njerëzit e torturuar prej tyre, por, edhe botën “e mësuar” me këto tragjedi. “Ju keni mbërritur këtu, por sa nga vëllezërit dhe motrat tuaja kanë mbetur rrugës? – i pyeti emigrantët. - Sa njerëz të dëshpëruar e nisin udhëtimin e tyre në kushte shumë të vështira, madje edhe të pasigurta, dhe nuk mbërrijnë kurrë... Mund të flasim për këtë det, që është bërë varrezë. Duke ju parë ju, shikoj vuajtjet e udhës, shumë vetë të rrëmbyer, të shitur, të shfrytëzuar, ende rrugës... Është historia e një skllavërie universale”.

Lager të vërtetë, para syve tanë

 Më e keqja, vijoi Papa, është se po mësohemi me këto gjëra e nuk na bëjnë më përshtypje. Kjo është sëmundje e rëndë e nuk ka antibiotik kundër saj. Duhet të shkojmë kundër këtij vesi, kërkoi Ati i Shenjtë. Shpesh, pyesim veten si është e mundur që lager, ku skllavërohen emigrantët, ndërtohen para syve tanë. “Kam parë disa dëshmi për këtë: vende torturash, shitje njerëzish… Emigrimi i detyruar nuk është turizëm”. Nuk mjafton të themi “të shkretët”, ngriti zërin Papa, i ndërprerë shpesh nga duartrokitjet. Është fjala për vuajtjen e vëllezërve e të motrave tona, për të cilën nuk mund të heshtim. Rrezikojnë jetën nëpër barka e pastaj, përfundojnë në lager. “Kjo është historia e këtij qytetërimi të zhvilluar, që ne e quajmë Perëndim”.

Telat me gjemba, lufta e urrejtjes

Papa Françesku denoncoi më pas telat me gjemba, një prej të cilëve ndodhet edhe në Qipro. Është luftë e urrejtjes, theksoi. Emigranti, që vjen për të kërkuar liri, bukë, ndihmë, vëllazërim, gëzim, që ikën nga urrejtja, gjen përpara një urrejtje, që quhet “tela me gjemba”. Zoti na e zgjoftë ndërgjegjen para këtyre gjërave. “E më falni që i thashë gjërat siç janë, por nuk mund të heshtim”. 12 emigrantë të strehuar nga Kisha e Nikozisë do të transferohen javët e ardhshme në Itali, në bashkëpunim me Bashkësinë e Shën Egjidit. 

03 dhjetor 2021, 16:10