Papa Françesku: në Evropë demokracia po zmbrapset, ilaçi është arti i politikës së mirë
R.SH. - Vatikan
Duke iu drejtuar autoriteteve greke, Françesku i ftoi t’i sjellin sytë drejt Lartësisë e drejt tjetrit, të mos u nënshtrohen joshjeve të autoritarizmit e të përgjigjen me demokraci. Indiferencës individualiste t’i kundërvihet kujdesi për tjetrin - nënvizoi Papa - për të varfërin e për krijimin, baza kryesore të humanizmit të ri, për të cilin kanë aq shumë nevojë kohët tona dhe Evropa jonë.
Papa, autoriteteve greke
Njëzet vjet pas vizitës së Gjon Palit II e në dyqindvjetorin e pavarësisë, Papa Françesku shkel në trojet greke dhe e fton vendin, që njihet si kujtesa e Evropës, t’i ruajë rrënjët e veta të forta. Në praninë e Presidentes së Republikës, anëtarëve të qeverisë, Trupit Diplomatik, autoriteteve fetare e civile, përfaqësuesve të shoqërisë e të botës së kulturës, Ati i Shenjtë dorëzoi një fjalim të gjatë, kushtuar pasurisë së dijes e aftësive shpirtërore të Greqisë së lashtë e, sidomos, universalizmit të saj politik, kulturor e shpirtëror, që këtu pati djepin, por edhe sfidave, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët e me pandeminë.
Greqia fton për t’i drejtuar sytë drejt Qiellit
“Pa Athinën e pa Greqinë Evropa dhe bota nuk do të ishin këto, që janë sot. Do të ishin më pak të dijshme e më pak të lume” – këtë theksoi Papa, duke kujtuar Shën Gregorin nga Nazianzo: “Prej këndej horizontet evropiane u zgjëruan”
Papa foli, më pas, me admirim të thellë për gjuhën greke, “gjuhë e dijes njerëzore, që u bë zë i Dijes hyjnore” - kujtoi, për të shtuar, më pas:
“Greqia e fton njeriun e çdo kohe ta drejtojë shtegtimin e jetës drejt Lartësive. Drejt Zotit, sepse kemi nevojë për transhendencën, që të jemi njerëz të vërtetë. E ndërsa sot në Perëndimin, i cili lindi prej këtu, ka njerëz që bëjnë përpjekje për ta errësuar nevojën për Qiellin, sepse të zënë në kurthin e mijëra shqetësimeve tokësore, të lakmisë së pangishme e të konsumizmit shpersonalizues, këto vise të bekuara na ftojnë të mahnitemi nga pafundësia, nga bukuria e jetës, nga gëzimi i fesë. Prej këndej kaluan udhët e Ungjillit, që bashkuan Lindjen me Perëndimin, Viset e Shenjta me Evropën, Jeruzalemin me Romën”.
Urë ndërmjet njerëzve, shtëpi e popujve demokratë
Françesku nguli këmbë mbi veçantinë e një toke, në zemër të Mesdheut, që e ka në adn thirrjen për të qenë “urë ndërmjet njerëzve” e ku “historianët e mëdhenj treguan me pasion historitë e popujve të afërt e të largët”. Citoi Sokratin e bindjen, që fitoi pjekurinë pikërisht në Greqi, ku njeriu e ndjeu veten “qytetar jo vetëm në atdheun e tij, po në mbarë botën”, e britmën e Aristotelit: “Qytetarë: këtu njeriu u bë i vetëdijshëm se është ‘kafshë politike’”(krh Aristoteli, Politika, I,2):
“Si pjesëtar i një bashkësie, nuk i pa të tjerët si nënshtetas, por si qytetarë, bashkë me të cilët do të organizonte polisin. Këtu lindi demokracia. Djepi, mijëra vjet më pas, u bë shtëpi, një shtëpi e madhe për popujt demokratë; e kam fjalën për Bashkimin Evropian dhe ëndrrën e paqes e të vëllazërimit, që përfaqëson sot për shumë popuj”.
Shqetësim për zmbrapsjen e Evropës
Në këtë skenë historike me kaq vlera, Papa vërejti, i shqetësuar se sot, jo vetëm në Kontinentin evropian, vërehet një farë “zmbrapsjeje e demokracisë”. E më pas kujtoi domethënien e vërtetë të demokracisë që në zanafillë, por edhe rreziqet që pasojnë nëse distancohemi prej saj:
“Ajo kërkon pjesëmarrjen dhe përfshirjen e të gjithëve, domethënë, lodhje e durim. Eshtë e ndërlikuar, ndërsa autoritarizmi është i shpejtë e siguritë e propozuara nga populizmi janë joshëse. Në shoqëri të ndryshme, të shqetësuara nga pasiguria e të anestetizuara nga konsumizmi, lodhja e pakënaqësia sjellin një lloj ‘skepticizmi demokratik’. Por pjesëmarrja e të gjithëve është themelore; jo vetëm për të arritur objektivat e përbashkëta, por pse i përgjigjet kësaj, që jemi: qenie shoqërore, të papërsëritshme e, njëkohësisht të ndërvarura”.
E së fundi, Papa shtoi: “Por duhet kujtuar edhe një farë skepticizmi lidhur me demokracinë, që shkaktohet nga distanca prej institucioneve, nga frika e humbjes së identitetit, nga burokracia”.
Në pëfundim Françesku e përmblodhi kështu fjalimin e tij të gjatë: “Nga ky qytet, nga ky djep i qytetërimit, u lartua gjithnjë mesazhi që orienton drejt Lartësisë e tjetrit: që joshjeve të autoritarizmit u përgjigjet me demokracinë; indiferencës individualiste i kundërvë kujdesin për tjetrin, të varfërit e krijimin, bazë themelore për një humanizëm të ri, për të cilin kanë nevojë kohët tona, Evropa jonë”.