MAP

Papa: takimi ekumenik Papa: takimi ekumenik 

Shtegtimi në Hungari, Papa: ekumenizmi, urë drejt unitetit

Takimi i dytë i Papës në trojet hungareze, mbajtur në Muzeun e Arteve të Bukura, ishte ai me përfaqësuesit e Këshillit Ekumenik të Kishave dhe me disa nga bashkësitë hebraike të Hungarisë. Papa u kujtoi se Zoti i etërve hap gjithnjë rrugë të reja: “Ashtu si e shndërroi shkretëtirën në udhë kah Toka e Premtuar, kështu dëshiron të na çojë nga shkretëtirat e thata të mllefit e të indiferencës, në atdheun e shumëdëshiruar të bashkimit”.

Fjalët e para të Papës në takimin me përfaqësuesit e Këshillit Ekumenik të Kishave dhe me disa nga bashkësitë hebraike të Hungarisë, i dyti i këtij shtegtimi, iu kushtuan rrugës së bashkimit. Ati i Shenjtë shkoi me mendje në abacinë e Pannonhalmës, qendër shpirtërore pulsante e këtij vendi, ku tre muaj më parë të pranishmit në takim, qenë mbledhur për të reflektuar e për t’u lutur së bashku. Për t’u lutur njëri për tjetrin e për të punar njëri me tjetrin për këtë botë, që Zoti e do shumë. Kjo është rruga konkrete - theksoi me focë Papa në vijim.

T’i shembim muret, që na ndajnë

Françeku vlerësoi lart angazhimin për shembjen e mureve të ngritura në të kaluarën dhe dëshirën e sotme të hebrenjve dhe të krishterëve për të shikuar tek tjetri jo të huajin, por mikun; jo kundërshtarin, por vëllain:

“Kjo është … kthesa që  hap fillesa të reja pastrimi, që përtërin jetën… Hyji i etërve hap gjithnjë udhë të reja; ashtu si e shndërroi shkretëtirën  në rrugë drejt Tokës së Premtuar, kështu dëshiron të na çojë nga shkretëtirat e thata të mllefit e të indiferencës, në atdheun e shumëdëshiruar të bashkimit”.

Kush ndjek Zotin, duhet të dalë

Në vijim të takimit me përfaqësuesit e Këshillit Ekumenik të Kishave dhe me disa nga bashkësitë hebraike të Hungarisë, Papa kujtoi se kush është i thirrur ta ndjekë në mënyrë të posaçme Zotin, duhet të dalë, gjithnjë, të ecë, të shkelë në troje të pashkelura e hapësira të panjohura. Si Abrahami, që la shtëpinë, farefisin, atmen! Kush ndjek Zotin, duhet të lërë - theksoi Papa, për të kujtuar, më pas, çka u kërkohet sot të thirrurve:

“E ne na kërkohet t’i lëmë mosmarrëveshjet e së kaluarës, pretekstet se kemi të drejtë ne, jo të tjerët, për t’u vënë për udhë drejt premtimit të Paqes, sepse Zoti ka gjithnjë plane paqeje, kurrë gjëmash”.

Simboli i Urës së Zinxhirëve

Më pas Papa shfrytëzoi një simbol, i cili flet vetë për bashkimin: Urën e Zinxhirëve, që lidh dy pjesët e Budapestit e që zyrtarisht njihet si "Ura e  Széchenyi", për nder të atij që e krijoi: nuk i shkrin në një udhë të vetme Budën e Pestin - kujtoi - por i bashkon. Kështu duhet të jenë lidhjet tona - pohoi në vijim Papa:

“Sa herë që lindi tundimi për ta zhdukur tjetrin, nuk u ndërtua, por u shkatërrua: kështu edhe kur u synua për të getizuar, jo për të integruar. Tepër shpesh ndodhi kjo në histori! Ndaj duhet të vigjilojmë e të lutemi të mos ndodhë kurrë më!”.

Ura i bashkon dy palët! E Zoti i Besëlidhjes kërkon të mos u dorëzohemi logjikave të izolimit e të interesave të pjesshme. E ju, që përfaqësoni fetë  kryesore, duhet të  punoni që liria fetare të respektohet e të mbrohet për të gjithë. Askush nuk duhet të thotë se nga goja e njerëzve të Zotit dalin fjalë përçarëse, por vetëm mesazhe bashkimi e paqeje:

 “Në një botë të lënduar nga një mori konfliktesh, kjo është dëshmia më e mirë që mund t’u jepni atyre, që kanë hirin ta njohin Zotin e Besëlidhjes e të paqes”.

Duke vijuar të përdorë simbolin e Urës së Zinxhirëve, në vijim të takimit me përfaqësuesit e Këshillit Ekumenik të Kishave dhe me disa nga bashkësitë hebraike të Hungarisë, Papa kujtoi se është jo vetëm më e njohura, por edhe më e lashta e qytetit, që të kujton të kaluarën, me vuajtet,  errësirën, mosmarrëveshjet, persekutimet, por edhe me trashëgiminë e përbashkët shpirtërore. E pikërisht kjo trashëgimi të krijon mundësinë të ndërtosh së bashku një ardhmëri të ndryshme.

E këtu Papa kujtoi  me emocion figurat e miqve të Zotit, që rrezatuan dritën e tyre në terrin e netëve të botës, duke u ndaluar posaçërisht tek  poeti i shquar hungarez, Miklós Radnóti, karriera e shkëlqyer e të cilit  u rrënua nga urrejtja e verbër e atyre që, vetëm pse ishte me origjinë hebraike,  një herë e ndaluan të jepte mësim e, më pas, e ndanë nga familja, duke e mbyllur në një kamp përqendrimi. Po ai vijoi të shkruajë deri në fund të fundit. Vepra e tij “Blloku i Bor”, e vetmja përmbledhje poetike, që shpëtoi nga Shoah, dëshmon forcën e njeriut, që beson në ngrohtësinë e dashurisë në mes të ngricave të kampit të përqëndrimit, ku e vetmja dritë, që davarit errësirën, është drita e fesë. Nga akullnajat e kampit nazist, Poeti na drejton të gjithëve pyetjen: “E ti, si jeton? A  jehon zëri yt në këtë kohë?”.

“Zërat tanë, të dashur vëllezër, … duhet ta bëjnë të jehojë këtë fjalë, që na dhuroi qielli, t’i bëjmë jehonë shpresës e paqes”.

Këtë na kërkon Zoti i etërve tanë - theksoi me forcë Papa - duke kujtuar, në vijim, një Poet tjetër:

“Zoti pret nga ana tjetër! Pret pikërisht në fund të fundit të të gjitha sendeve. Atje! Ku janë  rrënjët” (R.M. Rilke, Wladimiri, piktori i reve),  Këtë theksoi Papa, për ta përfunduar fjalimin e tij të dytë në Hungari me thirrjen:

“Vetëm nëse do të jemi rrënjët e paqes e  filizat e unitetit, do të bëhemi të besueshëm para botës, që  na i ngul sytë, me mallin që bulon nga shpresa”.

Në përfundim, përshëndetja: “Faleminderit e udhë të mbarë!”.

12 shtator 2021, 11:38