Papa ia beson Marisë shtegtimin në Hungari e Sllovaki
R. SH. - Vatikan
Papa shkoi dje, në orën 19.00, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe për t’u lutur para ikonës së Zojës, Salus Populi Romani: lutje, që nuk mungon kurrë para nisjes për rrugë të gjata. E këtë herë - siç njofton Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë - Papa u lut për shtegtimin që do ta nisë nesër, më 12 shtator, e do ta përfundojë më 15.
Në Kapelën Borghese, ku ruhet ikona e mrekullueshme e Virgjërës Mari me Krishtin Fëmijë në krahë - e njohur si Zoja Shpëtimi i Popujve Romakë, të cilët iu lëshuan në krahë në të gjitha çastet tragjike të historisë së tyre - Françesku vuri së pari një tufë me lule mbi altar e, më pas, u gjunjëzua në lutje.
Zoja do t’i prijë shtegtimit të 34 të Papës
Zoja, pra, do t’i prijë shtegtimit të 34-t apostolik, në zemër të Evropës, ndërmjet Hungarisë e Çekosllovakisë: shtegtim shpirtëror, që nis me adhurimin e Eukaristisë e përfundon me lutjen drejtuar Zojës së Dhimbshme.
Papa do të jetë në Budapest nesër, e diel, për kremtimin e mbylljes së Kongresit Eukaristik ndërkombëtar e më pas do niset për në Bratislavë, kryeqytet i Sllovakisë, për të vijuar shtegtimin në Prešov, Košice e, në fund, në Šaštin, ku do të kremtojë Meshën përfundimtare në Shenjtëroren Kombëtare kushtuar, 250 vjet më parë, Zojës, që në traditën popullore njihet si “Zoja me shtatë hanxharë”. Prej aty, më 15 shtator, Papa do të kthehet në Romë.
Atin e Shenjtë do ta shoqërojë në këtë shtegtim lutja e besimtarëve, që ua kërkoi Ai vetë në Engjëllin e Tënzot, të dielën e kaluar, por edhe ndërmjetësimi i dëshmitarëve heroikë të fesë, të cilët e dëshmuan në këto vende Ungjillin, duke i bërë ballë persekutimit, torturave, vdekjes. Janë historitë e martirizmit të tyre, por edhe shikimi mbi ardhmërinë e ungjillëzimit e të misionit, në qendër të vëmendjes së këtij shtegtimi të shumëpritur.