Kongreset eukaristike dhe Papët, histori e shkurtër e një dashurie të madhe
R.SH. - Vatikan
Nga Eukaristia lind jetë e re, sepse ajo “ndryshon zemrat”. Papa Françesku e pati kujtuar këtë në videomesazhin e mbylljes së Kongresit Eukaristik në Cebu, Filipine, në vitin 2016, gjatë Jubileut të Mëshirës. Në reflektimin e tij, edhe historia e fesë në atë vend e vështirësitë, që kishin lënë pas fatkeqësitë natyrore. Në tabernakull, pati theksuar, shpresa nuk humbet, sepse Eukaristia na shndërron në njerëz të rinj.
Na jep mundësinë të jemi plot kujdes, të mbrojmë të varfërit dhe të ligështit, të jemi të ndjeshëm ndaj britmës së vëllezërve dhe motrave tona në nevojë. Na mëson të veprojmë me integritet dhe të refuzojmë padrejtësinë e korrupsionin, që i helmojnë rrënjët e shoqërisë.
Cebu ia lë vendin Kongresit Eukaristik në Budapest. Pandemia e shtyu një vit ngjarjen, që e ka zanafillën në Francë, në shekullin XIX. Histori, kjo e Kongreseve Eukaristike, e cila ndërthuret me ndryshimet në botë, me luftërat në terren dhe me Luftën e Ftohtë, me muret fizike dhe me ata, që i mbajnë njerëzit larg mendërisht. Mbetet vazhdimësia e Eukaristisë që shpëton, e Eukaristisë që është “kulti i gjithë Kishës”, siç pati thënë Benedikti XVI në videomesazhin për përfundimin e edicionit të 50-të të Kongresit Eukaristik në Dublin. Në të, vijonte Papa, përmbahet “thirrja për të qenë popull i shenjtë i Zotit, por edhe thirrja për shenjtëri individuale”.
Për herë të dytë në Hungari
Kongresi Eukaristik në Budapest, në edicionin e tij të 52-të, përqendrohet në temën “Janë në Ty, të gjitha burimet e mia”. Zhvillohet për herë të dytë në Hungari; i pari u mbajt më 1938, pas Luftës I Botërore, me frikën e shpërthimit të një konflikti të ri. Hitleri i pati ndaluar katolikët gjermanë të merrnin pjesë, por më kot. Përveç Budapestit, në veri të Hungarisë – sipas kronikave të kohës - minatorët e atij rajoni me familjet e tyre shkonin në kishë mbrëmjeve, ose në mëngjes, në rreth 800 famulli, ndërsa vazhdonin punën. Papa Piu XI pati dërguar kardinalin Pacelli, Piun XII të ardhshëm, i cili u bë dëshmitar i rizgjimit të fesë dhe të fuqisë jetësore të Eukaristisë. Jehona e atij Kongresi gjendet edhe në të sotmin: vërtet, himni i vitit 2020 është një version i azhurnuar i këngës së vitit 1938, thirrje për paqen, për bashkimin e popujve dhe të kombeve. Një këngë aq popullore në Hungari, sa u këndua në meshën e Papës Françesku, më 1 qershor 2019, në shënjtëroren Sumuleu-Ciuc, zonë e Rumanisë me origjinë magjare.
Shkëndija ndizet në Francë
Kongresi i parë Eukaristik, me temë “Eukaristia ndryshon botën”, u mbajt në Lille të Francës, në vitin 1881, në vazhdën e lulëzimit të kultit të Eukaristisë në vend, që pati sjellë, rreth vitit 1875, idenë e Veprës së Kongreseve Eukaristike Ndërkombëtare. Në vijën e parë të këtij fronti, një laike, Émilie-Marie Tamisier, e mbështetur dhe e inkurajuar nga imzot Gaston de Ségur. Në Lille, ku morën pjesë përfaqësues nga tetë vende, u vendos t’i jepej një karakter i përhershëm lëvizjes, që do të çonte më pas në organizimin e Kongreseve të tjera vjetore Eukaristike. Edhe takimi i dytë u mbajt në Francë, gjithnjë i organizuar nga Tamisier, e cila, në të kaluarën, kishte organizuar shtegtime në shenjtërore, që ruanin gjurmët e mrekullive eukaristike. Jo rastësisht, Kongresi u mbajt në Avignon, “qyteti i Papëve”, ku në vitin 1443 kishte ndodhur një mrekulli e rëndësishme eukaristike.
Një përmasë më ndërkombëtare
Në vitet e mëpasme, Kongreset Eukaristike u mbajtën në Liège, pastaj në Fribourg. Në Paris, në vitin 1888, ngjarja merr një pamje gjithnjë e më ndërkombëtare. I takon Jeruzalemit më 1893, me nxitjen e Papës Leoni XIII. Kongresi i fundit Eukaristik i shekullit XIX u kremtua në Lourdes, në vitin 1899, e iu besua Virgjërës Mari. Figura e Shën Pasquale Baylon-it shpallet nga Papa Leoni XIII pajtor i Kongreseve Eukaristike Ndërkombëtare. Pastaj, Kongreset u mbajtën kudo: në Romë, për herë të parë, në vitin 1905, por edhe më vonë; në Londër, në Montreal, Amsterdam, Çikago, Sidnej, deri në Afrikë, në Kartagjenë, në vitin 1930. E pastaj, në Budapest, pak para Luftës II Botërore, në Barcelonë, në Mynih, për të arritur, pas Koncilit II të Vatikanit, edhe në Indi, ku Papa Pali VI i dhuroi makinën e tij Nënë Terezës. Kongreset vijuan në Kolumbi, në Korenë e Jugut, në Spanjë, në Poloni, në Kanada, në Irlandë, deri në takimin e 51-të në Filipine. E tani, takimi i 52-të në Budapest, në pritje të Papës Françesku, të dielën, 12 shtator.