Papa: Maqedonia e Veriut, shembull bashkëjetese mes grupeve etnike e feve
R.SH. - Vatikan
Në fjalimin e parë në Maqedoninë e Veriut, Papa Françesku ripërshkoi kulturën mijëvjeçare të këtij vendi, i cili përveçse është shembull i "bashkëjetesës paqësore", u ofron strehim e mirëpritje refugjatëve dhe emigrantëve. Papa kujton shembullin e "një gruaje të madhe" të lindur në Shkup: Shën Nënë Terezën.
"Është hera e parë që pasardhësi i Apostullit Pjetër shkon në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe unë jam i lumtur që mund ta bëj këtë në 25 vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë, të cilat u vendosen pak vjet pas fitimit të pavarësisë, në shtator të vitit 1991”. Kështu tha Papa Françesku gjatë takimit me autoritetet e vendit në pallatin presidencial në Shkup, duke nënvizuar se është Papa i parë që viziton vendin.
Nga Maqedonia e Veriut, Papa Françesku nënvizoi “pasurinë kulturore" të vendit, duke theksuar: "pasqyra e thesarit tuaj më të çmueshëm e më të vlefshëm, është përbërja shumetnike dhe shumëfetare e fytyrës së popullit tuaj, fryt i një historie të pasur e, pse jo, edhe të ndëlikuar të marrëdhënieve të gërshetuara gjatë shekujve".
"Kjo shkrirje e ky gërshetim i kulturave dhe përkatësive etnike e fetare - vërejti Papa - krijoi një vend për një jetë paqësore dhe një bashkëjetesë të qëndrueshme, ku identitetet individuale ditën dhe mundën të shprehen dhe të zhvillohen pa i mohuar, pa i shtypur e pa i diskriminuar të tjerët". " Ato, - shtoi Papa Françesku – i dhanë, kështu, formë një gërshetimi të marrëdhënieve dhe të situatave të cilat, sipas këtij profili, mund t' ju ofrojnë një shembull, që ta keni si pikë referimi për një bashkëjetesë paqësore dhe vëllazërore, pa dallime, me respekt të anasjelltë".
Gjithmonë duke respektuar diversitetin dhe të drejtat themelore
"Karakteristikat e veçanta" të Maqedonisë së Veriut, që vijnë nga përbërja e saj shumetnike dhe shumëfetare, janë njëkohësisht me rëndësi të madhe edhe për e udhën e integrimit sa më të thellë e më të afërt me vendet evropiane" - pohoi Papa Françesku në fjalimin e tij drejtuar autoriteteve të vendit në Shkup. "Shpresoj që ky integrim të zhvillohet pozitivisht për të gjithë rajonin e Ballkanit perëndimor, si dhe të realizohet, gjithnjë, duke respektuar larmitë dhe të drejtat themelore" - shtoi Papa.
Këtu, në të vërtetë - kujtoi Françesku - përkatësia fetare e myslimanëve, katolikëve, hebrenjve dhe protestantëve, si dhe dallimi etnik ndërmjet maqedonasve, shqiptarëve, serbëve, kroatëve dhe njerëzve me prejardhje të tjera, ka krijuar një mozaik, në të cilin çdo gur është i nevojshëm për të krijuar origjinalitetin dhe bukurinë e pamjes së përgjithshme". "Bukuri - shtoi Papa - që do të arrijë shkëlqimin e saj më të madh në atë masë që ju do të jeni në gjendje ta transmetoni dhe ta mbillni atë në zemër të breznive të reja".
Sipas Papës Françesku, "të gjitha përpjekjet që bëhen, për të siguruar që shprehjet e ndryshme fetare dhe grupet e ndryshme etnike të gjejnë një bazë të përbashkët mirëkuptimi në respektimin e dinjitetit të çdo njeriu dhe si pasojë, në garancinë e lirive themelore, nuk do të jenë kurrë të kota, madje, do të përbëjnë mbjelljen e domosdoshme për një të ardhme të begatë dhe paqësore" .
"Dua të nderoj në mёnyrё krejt të veçantë një bashkëqytetare tuaj të shquar e cila, e nxitur nga dashuria e Zotit, bamirësinë e saj plot dashuri ndaj të tjerëve e bёri ligj suprem të jetës, duke fituar admirimin e mbarё botës dhe, kështu, përuroi një mënyre të veçantë dhe radikale vënin e vetvetes në shërbimin e njerëzve tё braktisur, të mënjanuar, tё mё varfërve ndër të varfër", tha Papa Françesku në takim me autoritetet e Maqedonisë së Veriut në Shkup e shtoi:
"Kujtoj atë që botërisht njihet si Nënë Tereza e Kalkutës. "Ajo - kujtoi Papa Françesku - lindi në një lagje të Shkupit në vitin 1910. U quajt Anjeze Ganxhe Bojaxhiu dhe e zhvilloi apostullimin e saj, bërë me dhurimin e përvuajtur e tё plotë tё vetvetes, në Indi e, përmes motrave të saj, mbërrijti nё kufijtë më të skajshëm gjeografikë dhe ekzistencialë" tё njerizimit. "Jam i lumtur – tha akoma Papa – qё pas pak do tё mund tё shkoj për t’u lutur te Memoriali kushtuar asaj, ndërtuar në vendin ku dikur ishte Kisha e Zemrës së Krishtit, nё tё cilën Kishë Nёnё Tereza u pagëzua".
Nënë Tereza - tha Papa - në çdo njeri njohu të Birin e Zotit.Kjo është arsyeja pse "ajo diti t’u bënte mirë më të varfërve". Në Shkup, vendlindja e Shën Nënë Terezës, Papa Françesku lutet para "Memorialit" të saj. Dhe bekon gurin e parë të Shenjtërores kushtuar shenjtës të të varfërve.
“Ju me të drejtë jeni krenarë për këtë grua të madhe - tha në përfundim Papa -. Prandaj, ju ftoj të vazhdoni të punoni me impenjim, përkushtim dhe shpresë që bijtë dhe bijat e kësaj toke tё munden, sipas shembullit tё saj, të zbulojnë, të arrijnë, të rrisin e të përforcojnë thirrjen, që Zoti ëndërroi për ta"