MAP

Zoja e Dhimbshme Zoja e Dhimbshme

Zoja e Dhimbshme na ndihmon të kundrojmë Jezusin

Zoti në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan që bashkëpunojnë në planin e tij. Në Marinë, Hyji ka bashkëpunuar për të mirën e të gjithëve e nuk resht së bashkëpunuari, në mënyrë që, përmes Marisë, e mira të përhapet edhe më tej në botë. Nga Kryqi, nga froni i hirit dhe i shëlbimit, Jezusi u dha njerëzve si Nënë pikërisht Nënë e vet Marinë. Jezusi e bënë Marinë ndërmjetësuese të gurrës së hirit që buron nga Kryqi. Nën Kryq, Maria bëhen shoqe dhe mbrojtëse e njerëzve në udhën e jetës së tyre.

R.SH. - Vatikan

Më 15 shtator Kisha katolike romake përkujton Zojёn e Dhimbshme. Devocioni  ndaj Zojёs sё Dhimbshme, shumë i përhapur posaçërisht në vendet e Mesdheut, u zhvillua nga fundi i shekullit të 11-të. Ishte Papa Piu VII ai që në 1814 e vendosi atë në kalendarin liturgjik tё Kishёs romake, duke caktuar kremtimin  e saj më 15 shtator. Figura e Nënës së Dhimbjeve ajo Zojёs sё Dhimbshme që vuan nga Mundimet e të Birit Jezus ka krijuar vepra të shumta në art, muzikën e shenjtë dhe devotshmërinë popullore.

E Liturgjia e ditёs, pasi tregon Kryqin e Lumnueshëm të Krishtit, na fton të shikojmë edhe Nënën e Tij, Marinё, të butë e të përvujtë. Në Letrën drejtuar Hebrenjve (Heb 5,7-9), Leximi I i Meshёs sё 15 shtatorit, nënvizohen tri fjalë të forta. Thuhet se Jezusi “mësoi, dëgjoi, pësoi”.  Jezusi, edhe pse ishte Zot, u pёrvujtёrua, u poshtërua, e uli veten duke u bërë shërbëtor. Kjo është lavdia e Kryqit të Krishtit. Jezusi erdhi në botë, për të mësuar të ishte njeri, për të qenë njeri, duke ecur me njerëzit. Erdhi në botë për t’u bindur, e u bind. Por bindjen e mësoi nga vuajtja. Sot, me këtë bindje, me këtë vetasgjësim, me këtë poshtërim të Jezusit, premtimi u bë shpresë. E populli i Hyjit ecën me shpresë të sigurt. Edhe Nëna Mari, ‘Eva e re’ , siç e quan vetë Pali apostull, mori pjesë në udhën e Birit Jezus: mësoi, vuajti e dëgjoi. E u bë Nënë!

Ungjilli (Gjn 19,25-27) na e paraqet Marinë tek këmbët e Kryqit të Krishtit. E Jezusi nga Kryqi i thotë Gjonit; “Ja, Nëna jote!”. Maria, pra, është Nënë. E kjo është edhe shpresa jonë. Ne nuk jemi jetimë, kemi Nëna: Nënën Mari. Por edhe Kisha është Nënë, e edhe Kisha vajohet Nënë, kur bën të njëjtën udhë, që bënë Jezusi dhe Maria: udhën e bindjes, udhën e vuajtjes, e kur mëson vazhdimisht të ecë në gjurmët e Zotit. Maria dhe Kisha e çojnë përpara shpresën e Krishtit, na japin Krishtin, e lindin Krishtin në shpirtin tonë. E sot ne mund të shkojmë përpara me një shpresë, shpresën që na e jep Nëna jonë Maria, e ngulur tek Këmbët e Kryqit të Jezu Krishtit.

Shën Maria e dinte dhe jetoi me shpirtin të shporuar. Ndiqte Jezusin dhe dëgjonte komentet e njerëzve, herë në favor e herë kundër Tij, por rrinte gjithnjë pas të Birit. Prandaj themi se Maria “është dishepullja e parë” e Krishtit. Maria e mbante në zemër këtë “shenjë kontradikte”. E së fundi, i takoi të qëndrojë në heshtje, tek këmbët e Kryqit të Birit të kryqëzuar për vdekje. Në atë çast, Ajo na lindi të gjithëve: lindi Kishën. ‘Grua’ – i thotë i Biri Jezus – ‘ja bijtë e tu’. Nuk i thotë ‘nënë’, i thotë ‘grua’. Grua e fortë, e guximshme; grua, që ishte aty për të thënë: ‘Ky është im Bir: nuk e mohoj. 

Ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur në planin e tij (Rm8,28). Në Marinë, Zoti ka bashkëpunuar për të mirën e të gjithëve e nuk resht së bashkëpunuari, në mënyrë që, përmes Marisë, e mira të përhapet edhe më tej në botë. Nga Kryqi, nga froni i hirit dhe i shëlbimit, Jezusi u dha njerëzve si Nënë pikërisht Nënë e vet Marinë.

Në momentin e flijimit të tij për njerëzimin, Jezu Krishti në një farë mënyre e bënë Marinë ndërmjetësuese të gurrës së hirit hyjnor që buron nga Kryqi. Nën Kryq të Jezusit, Maria bëhet shoqe dhe mbrojtëse e njerëzve në udhën e jetës së tyre. Së fundi të kujtojmё se aty ku është Zoti, aty ka të ardhme. Gjërat e vogla të jetës së përditshme e kanë kuptimin e tyre dhe problemet e mëdha gjejnë zgjidhjen e tyre.

15 shtator 2025, 09:35