Nikaragua: të paktën 261 klerikë janë dëbuar nga vendi
R.SH. – Vatikan
"Së paku 261" klerikë janë dëbuar nga Nikaragua me vendim të qeverisë së udhëhequr nga presidenti Daniel Ortega, sipas organizatës “Colectivo Nicaragua Nunca Más”. Lista, pjesë e raportit "Fe bajo fuego" (Feja në shënjestër) të kësaj organizate jo qeveritare për të drejtat e njeriut, përfshin kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore, imzot Carlos Enrique Herrera Gutiérrez, si edhe ipeshkvijtë Silvio José Báez Ortega, Rolando José Álvarez Lagos dhe Isidoro del Carmen Mora Ortega. Në dokument kujtohet "dëbimi i nuncit apostolik, Imzot Waldemar Stanisław Sommertag, në mars 2022" së bashku me rreth 140 meshtarë nga dioqeza të ndryshme të Nikaraguas. Janë shpallur si të padëshirueshme edhe më se 90 murgesha, rreth dhjetë seminaristë e tre diakonë.
Janë shpërndarë mbi 5.600 shoqata
Organizata përmend më pas se ndërmjet viteve 2018 dhe 2025, janë shpërndarë 5.609 shoqata jofitimprurëse, ndër të cilat 1.294 me karakter fetar. U mbyllën me vendim të qeverisë edhe 54 media, 22 prej të cilave me karakter fetar, ndër kanale televizive dhe radiostacione. Masat kanë prekur edhe bashkësitë e feve të tjera, veçanërisht pastorët dhe krerët ungjillorë.