Nënë Tereza: madhështia e Zotit, që kalon edhe përmes ligështive tona
R.SH. / Vatikan
Më 5 shtator, Kisha katolike Universale përkujton Shën Terezën e Kalkutës, e njohur në të gjithë botën si Nënë Tereza, ikonë universale e bamirësisë, e dashurisë dhe e shërbimit falas. Jeta e saj ishte dhuratë e plotë për Zotin dhe për më të varfërit e të varfërve, e figura e saj vazhdon të frymëzojë, njëlloj, besimtarë dhe jobesimtarë.
Madhështia e Zotit shkëlqen edhe përmes ligështive tona! E njëjta brishtësi që e bëri Nënë Terezën e Kalkutës ikonë në sytë e mbarë botës. Pas asaj "gruaje të vogël" fshihej fuqia shpërthyese e dashurisë së Zotit, veçanërisht për më të varfrit.
Anjeze Ganxhe Bojaxhiu lindi në vitin 1910, në Shkup të Maqedonisë, në kohën e Perandorisë Osmane. Ende e brishtë, hyri në Kongregatën e Motrave Misionare të Zojës së Loretos.
19 vjeçare ishte në Indi, ku mori kushtet e jetës rregulltare e nisi edhe të jepte mësim.
Në vitin 1946, ndërsa shtegtonte në tren, ndjeu misteriozisht "thirrjen e dytë" prej Zotit: të themelonte kongregatën e re kushtuar të varfërve më të varfër...
Kështu, me ndihmën e Misionarëve të saj të Bamirësisë, kjo grua e brishtë nisi të përhapë derë më derë, rrugë më rrugë e vend më vend nëpër shtigjet e kësaj bote, dashurinë e Zotit dhe fuqinë e Ungjillit.
Pas një jete të tërë të kaluar në botën e sëmurë nga varfëria, në përpjekjen për ta shëruar, Nënë Tereza i mbylli sytë më 5 shtator 1997. Vdiq - shkruajnë disa! Vijon të përhapë dashurinë e Zotit - shtojnë disa të tjerë.
E një botë e tërë kujton njëzëri se u shpall e Lume si sot, më 5 shtator 1997. Ndërsa nga viti 2016 e kujtojmë si Shenjte!
Nënë Tereza shkroi edhe vargje poetike, e frymëzuar nga etja e Jezusit në Kryq, të cilit i shërbeu me jetën e saj, krejtësisht të pazakontë! Nga krijimet e saj jehojnë ftesat, që vijojnë të na drejtohen të gjithëve:
Bëj mirë!
Nëse ti qëllimet
i vë në këtë jetë,
do të gjesh miq të rrejshëm
e armiq të vërtetë
S’ka pikë rëndësie:
zbatoi në këtë jetë!
Nderi e besa
s’kanë fare arsye:
po ti ji i ndershëm
e plot çiltërsi!
E çka e ndërtove,
aspak mos shiko
mund të rrënohet fill
po ti përsëri ndërto!
e nëse, nuk do të kënaqet
kush do e kush s’do
s'ka pikë rëndësie,
ti prap se prap ndihmo...
Në gji të njerëzimit
vetvetja të shkojë,
dhuroja asaj bote
që s’di të dhurojë!