Imzot Vicko Zmajević, organizuesi i Kuvendit të Arbenit, në përvjetorin e vdekjes
R.SH. / Vatikan
Si sot më 11 shtator 1745 u nda nga jeta kryeipeshkvi i Tivarit imzot Vinçenc (Visk) Zmajeviç, personalitet i shquar kishtar i shekullit të 18, me origjinë kroate që ruajti rol të rëndësishëm në historinë e Kishës katolike ndër shqiptarë e sidomos në organizimin e Kuvendit Kishtar të Arbenit më 1703 në kohën e papnisë së Klementit XI, me origjinë shqiptare
Kryeipeshkvi imzot Zmajeviçi u mor me organizimin, hapjen, drejtimin e punimeve por edhe me hartimin e dokumenteve të Kuvendit Kishtar të Arbenit, që u botuan më 1703 në latinisht e shqip. Po kështu imzot Zmajeviçi ndihmoi edhe për përhapjen e shkollave shqipe dhe për botimin e librave liturgjike e katekistike në gjuhën shqipe, për t’i ndihmuar besimtarët shqiptarë të njiheshin me përmbajtjes e doktrinës së krishterë, ta përforconin fenë e tyre në Zotin dhe të kultivonin e ruanin identitetin e tyre kombëtar.