Dita e Punës, Gudziak: IA të përforcojë dinjitetin e punës njerëzore
R.SH. – Vatikan
Në Ditën e Punës 2025, kremtuar në SHBA, kryeipeshkvi Borys Gudziak, Mitropolit i greko-katolikëve ukrainas në Filadelfia dhe kryetar i Komitetit për Drejtësinë e Brendshme dhe Zhvillimin Njerëzor në Konferencën Ipeshkvnore Katolike amerikane, iu drejtua besimtarëve me një mesazh reflektimi dhe shprese, duke vendosur në qendër rëndësinë e dinjitetit të punës njerëzore. Sot, ky dinjitet përballet me përhapjen e shpejtë të Inteligjencës Artificiale, e cila po e shndërron thellësisht botën e punës, marrëdhëniet shoqërore dhe jetën e përditshme të njerëzve.
"Çdo Ditë vjetore Pune", kujtoi kryeipeshkvi Gudziak, "amerikanët reflektojnë mbi dinjitetin e shenjtë të punës dhe të atyre, që e kryejnë atë. Sot, ne e bëjmë këtë në një kuadër të karakterizuar nga hyrja e Inteligjencës Artificiale në jetën tonë, në shtëpi dhe në vendin e punës". Pyetja që ngre përdorimi i saj ka të bëjë edhe me ndikimin e kësaj teknologjie në punën e njeriut. Duke pranuar se Inteligjenca Artificiale është premtuese, imzot Gudziak kujtoi se ajo duhet ta shtojë e jo ta zvogëlojë shenjtërinë dhe dinjitetin e punës njerëzore, me njeriun dhe të mirën e përbashkët në qendër.
Rëndësia e dhembshurisë mjerëzore
Kryeipeshkvi theksoi potencialin e Inteligjencës Artificiale në fushën mjekësore, ku "mund të ndihmojë në zhvillimin e vaksinave, ilaçeve e, edhe në diagnostikimin e sëmundjeve". Ai sqaroi se "kjo nuk duhet të ndodhë kurrë në kurriz të dinjitetit njerëzor, sepse në kujdesin ndaj pacientit, dhembshuria njerëzore dhe ekspertiza profesionale nuk mund të zëvendësohen nga teknologjia". Në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje se në shumë sektorë, punëtorët mund të humbasin vendet e punës, me pasoja të thella për familjet dhe bashkësitë, prandaj, skenarë të tillë duhet të vlerësohen me kujdes në çdo sektor të ekonomisë.
Tradita dhe doktrina shoqërore e Kishës
Mesazhi i imzot Gudziak është pjesë e traditës së gjatë të doktrinës shoqërore të Kishës, e cila e ka parë gjithnjë punën si mjet dinjiteti, pjesëmarrjeje në Krijimin e Zotit dhe shërbimi ndaj të tjerëve. Duke kujtuar enciklikën “Rerum Novarum” të Papës Leoni XIII, kryeipeshkvi nënvizoi se revolucioni industrial i dikurshëm, të cilit ajo i referohet, pati shkaktuar pabarazi të thella dhe çekuilibrime të pushtetit, duke vënë në pah nevojën për të mbrojtur punëtorët dhe për të promovuar drejtësinë shoqërore. Sot, përballë "revolucionit të Inteligjencës Artificiale", fjalët e Papës Leoni XIV na nxisin t’i shohim zhvillimet teknologjike me "përgjegjësi dhe gjykim", në mënyrë që ato të mbeten gjithmonë në shërbim të së mirës së përbashkët. "Historia", theksoi imzot Gudziak, "na paralajmëron për pasojat e përparimit teknik pa kritere etike, i cili rrezikon t’i shtojë pabarazitë dhe të minojë stabilitetin social".