Çelësi i fjalëve të Kishës: martesa, themel i familjes
R.SH. - Vatikan
Në ciklin tonë kushtuar Doktrinës Shoqërore të Kishës, sot do të flasim për familjen. Familja, na mëson Kisha Katolike, e ka themelin e vet në vullnetin e lirë të bashkëshortëve për t’u bashkuar në martesë, në respektimin e kuptimit e të vlerave të këtij institucioni, që nuk varet prej njeriut, por prej vetë Hyjit: «kjo lidhje e shenjtë për të mirën qoftë të bashkëshortëve e të bijve, qoftë edhe të shoqërisë, nuk varet nga vullneti njerëzor. Në të vërtetë, vetë Hyji është autori i martesës, e cila është e pajisur me vlera e qëllime të shumta», thuhet në Kushtetutën Apostolike “Gaudium et Spes” (48).
Asnjë pushtet nuk mund ta shlyejë të drejtën natyrore për martesë dhe as t’i ndryshojë tiparet e qëllimet e saj. Në të vërtetë, martesa ka tipare të vetat që në zanafillë dhe e mban ato përherë. Pavarësisht prej ndryshimeve të shumta, që ky institucion ka pësuar në shekuj në varësi të kulturave të ndryshme, të strukturave shoqërore dhe të prirjeve shpirtërore, kudo në botë bashkimi martesor ka dinjitetin e vet, pavarësisht se nuk shfaqet kudo me të njëjtën qartësi. Ky dinjitet duhet respektuar, prandaj, shoqëria nuk mund të vendosë çfarë të dojë për lidhjen martesore, me të cilën dy bashkëshortët i premtojnë njëri-tjetrit besnikërinë, ndihmesën dhe pranimin e bijve, por mund të disiplinojë vetëm pasojat civile të saj.
Karakteristikat e martesës
Martesa ka si karakteristika të vetat: tërësinë, me të cilën bashkëshortët i dhurohen njëri-tjetrit në të gjitha përmasat, fizike dhe shpirtërore; njësinë, që i bën «një trup i vetëm» (Zan 2, 24); pazgjidhshmërinë e besnikërinë që dhurimi i ndërsjellë e përfundimtar mbart mbi vete; aftësinë për të lindur fëmijë. Plani i urtë i Hyjit mbi martesën, plan i kuptueshëm për arsyen njerëzore, nuk mund të vlerësohet nga qëndrimet njerëzore dhe nga situatat konkrete që i largohen këtij plani. Poligamia, për shembull - na mëson Kisha - është mohim rrënjësor i planit të Hyjit, «sepse është kundër dinjitetit të barabartë të burrit e të gruas, që në martesë i dhurohen njëri-tjetrit me një dashuri të plotë, prandaj, të vetme dhe ekskluzive», siç shkruan Papa shenjt Gjon Pali II në Nxitjen apostolike “Familiaris Consortio” (19).
Martesa, në të vërtetën e vet «objektive», është caktuar për lindjen dhe edukimin e fëmijëve. Në bashkimin familjar jetohet në plotësi ai dhurim i sinqertë i vetvetes, fryt i të cilit janë fëmijët, që, nga ana e tyre, janë dhuratë për prindërit, për krejt familjen dhe për gjithë shoqërinë. Megjithatë, martesa nuk është themeluar vetëm për lindjen e fëmijëve: karakteri i saj i pazgjidhshëm dhe vlera e saj si bashkësi mbetet edhe kur fëmijët, megjithëse dëshirohen me gjithë zemër, nuk vijnë. Bashkëshortët, në këtë rast, «mund ta tregojnë bujarinë e tyre duke birësuar fëmijë të braktisur apo duke kryer shërbime në dobi të të afërmit», siç përcaktohet qartë në Katekizmin e Kishës Katolike.
Sakramenti i martesës
Për katolikët, martesa jetohet në Sakrament, që është shenjë dhe mjet i Hirit Hyjnor. Historia e shëlbimit të njerëzimit përshkohet nga tema e besëlidhjes martesore, shprehje domethënëse e bashkimit të dashurisë mes Hyjit e njerëzve dhe çelës simbolik për të kuptuar etapat e besëlidhjes së madhe mes Hyjit dhe popullit të Vet (Gjon Pali II, “Familiaris consortio”, 12). Që në Librin e Zanafillës (2,24), kur Zoti krijoi gruan, tha: “Për këtë arsye njeriu do ta lërë të atin dhe t’ëmën e vet dhe do të jetojë bashkë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm”. Por kulmi i planit të dashurisë hyjnore për njerëzimin është dhurata që Hyji i bën atij përmes Birit të Vet Jezu Krishtit, «Dhëndri që e do dhe i dhurohet si Shëlbues njerëzimit, duke e bashkuar atë me Veten si trup të vetin. Ai zbulon të vërtetën zanafillore të martesës, të vërtetën e “fillimit” (shih Zan 2, 24; Mt 19, 5) dhe, duke e liruar njeriun nga zemërngurtësia, e bën të aftë ta realizojë atë tërësisht» (Gjon Pali II, “Familiaris consortio”, 13). Nga dashuria martesore e Krishtit për Kishën, që dëshmohet plotësisht në flijimin mbi Kryq, buron sakramentaliteti i martesës, Hiri i së cilës e bën të ngjashme dashurinë e bashkëshortëve me Dashurinë e Krishtit për Kishën. Martesa, si sakrament, është një besëlidhje e një burri dhe e një gruaje në dashuri.
Dashuria bashkëshortore buron prej vetë dashurisë së Krishtit
Sakramenti i martesës e larton realitetin njerëzor të dashurisë bashkëshortore dhe i bën bashkëshortët e krishterë ta kërkojnë mbretërinë e Hyjit duke u marrë me gjërat tokësore dhe duke i organizuar ato sipas Hyjit. Thellësisht e bashkuar me Kishën me anë të lidhjes sakramentore, që e bën atë Kishë shtëpiake apo Kishë të vogël, familja e krishterë është e thirrur «të jetë shenjë uniteti për botën dhe të ushtrojë në këtë mënyrë rolin e vet profetik duke dëshmuar Mbretërinë dhe paqen e Krishtit, drejt të cilave ecën e gjithë bota» (Gjon Pali II, “Familiaris consortio”, 48).
Dashuria bashkëshortore, që buron prej vetë dashurisë së Krishtit, e ofruar nëpërmjet Sakramentit, i bën bashkëshortët e krishterë shenjë e mjet i kësaj dashurie. Me vetë jetën e tyre ata janë të thirrur të jenë dëshmitarë të domethënies fetare të martesës, që shoqëria aktuale gjithnjë e më tepër e ka të vështirë ta njohë, veçanërisht kur pranon vizione relativiste edhe të vetë themelit natyror të institucionit martesor. Por për ndikimin e shoqërisë dhe të mendësinë në institucionin e familjes do të flasim më hollësisht të enjten e ardhshme.