MAP

Papa Leoni XIV me një familje në audiencën e përgjithshme të 27 gushtit 2025 Papa Leoni XIV me një familje në audiencën e përgjithshme të 27 gushtit 2025

Çelësi i fjalëve të Kishës: familja në Doktrinën Shoqërore të Kishës

Në dritën e mesazhit biblik, Kisha e konsideron familjen si shoqërinë e parë natyrore. Familja, që lind prej bashkimit intim të jetës e dashurisë bashkëshortore të bazuar në martesën e një burri me një grua, ka një përmasë të veçantë e drejtpërdrejt shoqërore, si vend parësor i marrëdhënieve ndërpersonale, qeliza e parë dhe jetësore e shoqërisë: ajo është një institucion hyjnor, që qëndron në themelin e jetës së njerëzve, si prototip i çdo rendi shoqëror

R.SH. – Vatikan

Në emsionin e sotëm do të shqyrtojmë ç’thotë Doktrina Shoqërore e Kishës për familjen, të cilën e konsideron qelizën bazë të shoqërisë njerëzore. Rëndësia e familjes theksohet vazhdimisht në Shkrimin e Shenjtë: «Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm» (Zan 2, 18). Qysh prej teksteve që tregojnë krijimin e njeriut (krh. Zan 1, 26-28; 2, 7-24) del se, në planin e Hyjit, çifti i Evës me Adamin, plotësues të njëri-tjetrit, përbën «formën e parë të bashkësisë së personave».  Në të njëjtën kohë, të dy janë të angazhuar në detyrën për të lindur fëmijë, që i bën bashkëpunëtorë të Krijuesit: «Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën» (Zan 1, 28).

Në familje, njeriu mëson të njohë dashurinë dhe besnikërinë e Zotit si dhe nevojën për t’iu përgjigjur (shih Dal 12, 25-27; 13, 8. 14-15; Lp 6, 20-25; 13, 7-11; 1 Sam 3, 13); bijtë marrin mësimet e para dhe më vendimtare mbi urtinë praktike me të cilën janë të lidhura virtytet (shih Fu 1, 8-9; 4, 1-4; 6, 20-21; Sir 3, 1-16; 7, 27-28). Prandaj, Zoti bëhet garant i dashurisë dhe i besnikërisë bashkëshortore (shih Mal 2, 14-15). Vetë Jezu Krishti lindi e jetoi në një familje konkrete duke marrë të gjitha karakteristikat e saj dhe i dha një dinjitet shumë të lartë institucionit martesor, duke e themeluar si sakrament të Besëlidhjes së Re (shih Mt 19, 3-9).

Në dritën e mesazhit biblik, Kisha e konsideron familjen si shoqërinë e parë natyrore. Familja, që lind prej bashkimit intim të jetës e dashurisë bashkëshortore të bazuar në martesën e një burri me një grua, siç shkruhet në Kushtetutën Apostolike “Gaudium et Spes” (48), ka një përmasë të veçantë e drejtpërdrejt shoqërore, si vend parësor i marrëdhënieve ndërpersonale, qeliza e parë dhe jetësore e shoqërisë: ajo është një institucion hyjnor, që qëndron në themelin e jetës së njerëzve, si prototip i çdo rendi shoqëror.

Rëndësia e familjes për çdo njeri e për shoqërinë

Familja është e rëndësishme për çdo njeri, sepse në këtë djep të jetës dhe të dashurisë, njeriu lind e rritet: kur lind një fëmijë, shoqërisë i bëhet dhurata e një personi të ri, i cili në këtë vatër familjare mund ta zhvillojë gjithë potencialin e vet, “të bëhet i vetëdijshëm për dinjitetin që i takon dhe të përgatitet që të përballojë fatin e vet të papërsëritshëm», siç shkruante Papa shenjt Gjon Pali II në enciklikën “Centesimus Annus” (39). Në gjirin e familjes njeriu merr nocionet e para rreth së vërtetës dhe së mirës, kupton se çfarë do të thotë të duash e të jesh i dashur dhe, si rrjedhojë, edhe  çfarë do të thotë konkretisht të jesh person.

Familja ndihmon në mënyrë unikale dhe të pazëvendësueshme të mirën e shoqërisë, pasi ajo lind si bashkim i parë njerëzish, që i kapërcejnë kufijtë e ngushtë të vetvetes për të vepruar si një e të pandarë. Prandaj, familja, bashkësia e personave, është “shoqëria” e parë njerëzore. Një shoqëri sipas kriterit të familjes është garancia më e mirë kundër çdo devijimi të tipit individualist apo kolektivist, sepse në të personi është gjithmonë në qendër të vëmendjes si qëllim dhe kurrë si mjet. Pa familje të forta, popujt dobësohen. Në familje, që në vitet e para të jetës, nguliten vlerat morale, përçohet pasuria shpirtërore e bashkësisë fetare dhe ajo kulturore e kombit. Në të eksperimentohen përgjegjësitë shoqërore dhe solidariteti.

Parësia e familjes në lidhje me shoqërinë dhe me shtetin

Duhet pohuar parësia e familjes në lidhje me shoqërinë dhe me shtetin. Në të vërtetë, familja, të paktën në funksionin e saj të lindjes së fëmijëve, është vetë kushti i ekzistencës së tyre. Çdo model shoqëror, që synon t’i shërbejë së mirës së njeriut nuk mund të mos marrë parasysh qendërsinë dhe përgjegjësinë shoqërore të familjes. Shoqëria dhe shteti, në marrëdhëniet e tyre me familjen, e kanë për detyrë ta kenë parasysh parimin e subsidiaritetit. Për këtë parim, autoritetet publike nuk duhet t’ia heqin familjes ato detyra, që ajo mund t’i kryejë mirë vetëm apo e bashkuar lirisht me familje të tjera; nga ana tjetër, vetë autoritetet e kanë për detyrë ta mbështesin familjen, duke i siguruar asaj të gjitha ndihmat për të cilat ka nevojë që të marrë përsipër si duhet përgjegjësitë e veta.

04 shtator 2025, 09:38