Atë Joseph Farrell, prior i ri i augustinianëve
R.SH. / Vatikan
Atë Joseph Farrell është zgjedhur dje, më 9 shtator, Eprori (Priori) i 98-të i Përgjithshëm i Urdhrit të Shën Augustinit, një urdhër rregulltarësh që ka në mbi 750 vjet histori. Pasditen e 9 shtatorit, Atë Farrel është zgjedhur nga 73 vëllezër kapitullarë augustinianë me të drejtë vote, gjatë Kapitullit të Përgjithshëm të 188-të të këtij Urdhri, që po zhvillohet në Romë pranë Institutit Papnor Patristik Augustinianum.
Atë Joseph Farrell
Atë Farrell, që deri më sot ka qenë Vikar i Përgjithshëm i Urdhrit dhe asistent i përgjithshëm për Amerikën e Veriut, mori vulën nga Atë Alejandro Moral Antón, i cili e përfundoi mandatin e tij të dytë, dhe pranoi detyrën e re në krye të Urdhrit.
I lindur më 11 korrik 1963 në Drexel Hill, Pensilvani, SHBA, Atë Farrell është i lidhur me Provincën Augustiniane të Shën Tomës nga Villanova. Ai u diplomua në Fakultetin e Ekonomisë në administrim biznesi në Universitetin e Villanova në SHBA-së në vitin 1985. Gjashtë vjet më vonë mori një master në Teologji në Washington Theological Union. Ai bëri kushtet e para në jetën rregulltare si augustinian në vitin 1987 dhe kushtet solemne në vitin 1990. U shugurua meshtar më 29 qershor 1991 në Kishën e Nënës së Këshillit të Mirë në Bryn Mawr, Pensilvani. Ka shërbyer në famulli, shkolla dhe universitete, duke u dalluar si kapelan universitar dhe profesor i asociuar në Villanova. Në vitin 2013 u emërua vikar i përgjithshëm i Urdhrit të Augustinianëve dhe në këtë funksion ndihmoi Eprorin (Priorin) e Përgjithshëm në vizitat kanonike në komunitete, në takimet kapitullare dhe në detyra të tjera. Në vitin 2019 u rizgjodh përsëri si vikar i përgjithshëm në Kapitullin e Përgjithshëm të Zakonshëm, në këtë rol Atë Farrell bashkëpunoi aktivisht me komisione të ndryshme ndërkombëtare të Urdhrit të Shën Augustinit, duke vizituar komunitete rregulltare augustiniane në vende të ndryshme..