ÐÓMAPµ¼º½

Pier Giorgio Frassati e Carlo Acutis Pier Giorgio Frassati e Carlo Acutis

Acutis e Frassati, shenjtorë së bashku më 7 shtator. Nga Krishti e Zoja, forca për ta dëshmuar fenë

Carlo dhe Pier Giorgio i ftojnë të rinjtë dhe të rriturit të udhëtojnë së bashku, ta shohin njëri-tjetrin me besim të ndërsjellë dhe të marrin përsipër përgjegjësi për brishtësitë e të tjerëve. Me shembullin e atij altruizmi, që nuk humbet e as nuk shuhet me kalimin e kohës, ata na mësojnë të jemi shenja të gjalla të bashkimit dhe të dhembshurisë

R.SH. - Vatikan

Do të kanonizohen së bashku, të dielën, më 7 shtator, Carlo Acutis dhe Pier Giorgio Frassati, të dy të rinj italianë, të dy laikë, njëri liceist dhe tjetri student, i pari i apasionuar pas kompjuterave dhe pas Eukaristisë, tjetri, dashuronjës i maleve, terciar domenikan: të dy, pika referimi për mijëra besimtarë në mbarë botën. Data u njoftua nga Papa Leoni XIV gjatë konsistorit të tij të parë të zakonshëm publik në Vatikan.

Njoftimi i Papës Françesku

Ndërkaq, ishte Papa Françesku ai, që njoftoi shenjtërimin e Acutis dhe Frassati në audiencën e përgjithshme të 20 nëntorit të vitit të kaluar, duke shkaktuar duartrokitje të zjarrta në Sheshin e Shën Pjetrit. Për Acutis, që u shpall i Lum në Asizi më 10 tetor 2020, data e caktuar ishte 27 prilli, e diela e dytë e Pashkëve, e njohur edhe si e Diela e Mëshirës Hyjnore, në kuadrin e Jubileut të Adoleshentëve. Ndërkohë, Frassati, i Lum që nga 20 maji 1990, do të shpallej shenjtor gjatë Jubileut të Rinisë, nga 28 korriku deri më 3 gusht. Në ditën e vdekjes së Papës argjentinas, më 21 prill, u shty mesha për kanonizimin e Carlo Acutis, ndërsa Papa Leoni XIV vendosi t’i shkruajë së bashku këta dy të rinj në regjistrin e shenjtorëve, pasi janë vërtet nga epoka dhe me përvoja krejtësisht të ndryshme, por i bashkon dashuria e fuqishme për Krishtin dhe aftësia për ta transmetuar atë.

Dëshmia e Carlo Acutis

Dëshmia e tyre ka të bëjë me dy sfida themelore: dialogun ndërmjet brezave dhe promovimin e një shoqërie më të vëmendshme ndaj njerëzve të brishtë. Në një epokë kur komunikimi ndërmjet të rinjve dhe të rriturve është gjithnjë e më i vështirë, jeta e Carlo Acutis tregon se freskia e rinisë mund të jetë urë e jo mur. Edhe pse i lindur në vitin 1991, në një botë dixhitale dhe të globalizuar, në të cilën lëvizte me pasionin dhe me lehtësinë e ekspertit të internetit, Carlo u ushqye nga tradita shpirtërore e Kishës, duke rizbuluar me entuziazëm rrënjët e saj të thella: Eukaristinë, përkushtimin marian dhe dashurinë për shenjtorët. Ai nuk e hodhi poshtë të kaluarën, por e interpretoi atë me një gjuhë të re, duke treguar aftësinë e tij për të dëgjuar dhe për t'u dëgjuar nga njerëz të të gjitha moshave. Është kjo aftësi për të vepruar si urë ndërmjet brezave, që mund t’i bashkojë të rinjtë si ai, të pranishëm në faqe interneti e në rrjete sociale, me më të rriturit, të cilëve u pëlqen të vazhdojnë shfletimin e faqeve të librave, por pa u shkëputur nga risitë e kohës. Dëshmia e tij na kujton se freskia e rinisë mund të ecë krah për krah me përvojën e më të rriturve, risia me kujtesën.

Dëshmia e Giorgio Frassati-t

Pier Giorgio Frassati, i ri, që jetoi në fillim të shekullit XX, është ndërkaq, dëshmi e një ndjeshmërie të thellë shoqërore. Student, alpinist, njeri i fesë dhe i veprimit, ai e jetoi Ungjillin si impenjim konkret për më të varfrit. Jeta e tij u karakterizua nga gjeste të heshtura, por rrënjësore: vizitoi të sëmurët, u ofroi ndihmë financiare të varfërve dhe e ndau kohën me të mënjanuarit e shoqërisë. Shenjtëria e tij u shfaq në aftësinë për të njohur dhe për të mbrojtur brishtësitë njerëzore, pa zhurmë e bujë, por pa u ndalur. Frassati bën thirrje me forcë për një kulturë kujdesi, afërsie dhe solidariteti aktiv.

Shenjtëria nuk është vetëm lutje dhe meditim

Të dy na kujtojnë se shenjtëria nuk është vetëm lutje dhe meditim, por edhe ndërtimi me durim i një bote më njerëzore. Carlo dhe Pier Giorgio i ftojnë të rinjtë dhe të rriturit të udhëtojnë së bashku, ta shohin njëri-tjetrin me besim të ndërsjellë dhe të marrin përsipër përgjegjësi për brishtësitë e të tjerëve. Me shembullin e atij altruizmi, që nuk humbet e as nuk shuhet me kalimin e kohës, ata na mësojnë të jemi shenja të gjalla të bashkimit dhe të dhembshurisë.

03 shtator 2025, 15:09