ÐÓMAPµ¼º½

2025.08.06 Religiose unite in preghiera per la pace

Murgeshat: ditë lutjeje dhe agjërimi për paqe në prag të Zojës së Madhe

Nisma është organizuar nga Bashkimi Ndërkombëtar i Eproreve të Përgjithshme për 14 gusht: si gra të pranishme në periferitë e botës, që çdo ditë përballen me vuajtjet e njerëzimit, ndiejmë urgjencën për ta ngritur zërin, për t’i bashkuar zemrat dhe për të vepruar

R.SH. – Vatikan

         Gaza, Sudani, Ukraina, Haiti, Republika Demokratike e Kongos, Siria, Mianmari. Plagët e botës janë aty për t'u parë nga të gjithë. Fytyra plot dhimbje, shtëpi të shkatërruara, bashkësi të vuajtura. Gratë dhe fëmijët shpesh paguajnë çmimin më të lartë. Kjo është arsyeja pse UISG - Bashkimi Ndërkombëtar i Eproreve të Përgjithshme – bën një thirrje të fuqishme: më 14 gusht, në prag të festës së Të Ngjiturit të Zojës në Qiell (Zojës së Madhe), të mbahet një ditë botërore agjërimi dhe lutjeje për paqen. Ftohen të gjitha bashkësitë e murgeshave dhe kushdo që dëshiron të bashkohet me to.

Propozohen gjeste konkrete

"Nuk mund të presim. Paqja arrihet e ndërtohet së bashku", thuhet në thirrjen e rregulltareve. Në një botë të shënuar nga dhuna, ato vazhdojnë të besojnë se drita e Ungjillit, drejtësisë dhe e vëllazërimit mund ende të shkëlqejë. Me Marinë, Nënën e Shpresës, motrat rregulltare bashkohen në lutje dhe dëshmi. Ato propozojnë tre veprime konkrete për këtë nismë: të luten së bashku dhe të reflektojnë mbi Fjalën e Zotit, në dritën e luftërave dhe krizave aktuale; të kërkojnë drejtësi dhe pajtim, të nxisin autoritetet civile dhe kishtare të ndjekin rrugët e paqes, çarmatimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut; si edhe të veprojnë me solidaritet konkret, duke mbështetur ata që vuajnë përmes rrjeteve të mikpritjes e të ndihmës humanitare.

Deklarata e Eproreve të Përgjithshme

Në një botë të shkatërruar nga lufta dhe nga shpërfytyrimi i njeriut, nuk mund të mbetemi spektatorë të heshtur, shkruajnë Eproret e Përgjithshme të urdhrave të ndryshme të murgeshave. Çdo ditë shohim fytyra plot dhimbje, jetë të shkatërruara, njerëz të privuar nga dinjiteti dhe paqja, veçanërisht gratë dhe fëmijët. Si gra të shpresës, të rrënjosura në fe dhe të vetëdijshme për plagët e kohës sonë, ndiejmë nevojën e thellë për ta ngritur zërin dhe për t’i bashkuar zemrat. Si gra në periferi të botës, duke ecur përkrah atyre që vuajnë, duke dëgjuar britmën e të varfërve dhe atë të tokës, kemi përgjegjësinë të ndërtojmë bashkësi, të mbrojmë jetën dhe të kërkojmë drejtësi.

Një ftesë për të gjithë

Rregulltaret e Bashkimit Ndërkombëtar të Eproreve të Përgjithshme, duke kujtuar frymën e bashkimit dhe të bashkëpërgjegjësisë ungjillore, i ftojnë të gjithë të bashkohen në një akt kolektiv lutjeje, shoshitjeje dhe dëshmie, në mënyrë që paqja jo vetëm të shpresohet, por të arrihet vërtet. 14 gushti është data e zgjedhur për këtë ditë agjërimi dhe lutjeje, duke kërkuar ndërmjetësimin e Nënës së Zotit, Zojës sonë të Paqes, festa e së cilës kremtohet më 15 gusht. T'ia besojmë veten asaj, pohojnë së fundi motrat, në mënyrë që ajo t'u përgjigjet lutjeve të popullit dhe të na mësojë si të jemi prani e përvuajtur e profetike në vendet e dhimbjes.

07 gusht 2025, 10:49