Toka e Shenjtë, thirrja e Kardinalit Aveline që të kthehen shtegtarët
R.SH. / Vatikan
Si në Taybeh, gjatë Meshës të së Dielës së kaluar, kremtuar së bashku me tre meshtarët famullitarë të këtij fshati kryesisht të krishterë, me territor të kontrolluar nga kolonët, ashtu edhe në Betlehem, në Bazilikën e Lindjes së Jezu Krishtit, e përsëri në bashkësinë benediktine të Abu Ghosh, Kardinali Jean Marc Aveline, Kryeipeshkëv i Marsejës dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvore Franceze, gjatë një shtegtimi në Tokën e Shenjtë me një grup prelatësh, u takua me besimtarët vendas për t’u shprehur mbështetjen e tij shpirtërore, materiale dhe vëllazërore. Siç e theksoi Papa Leoni XIV në një mesazh të shkurtër, ky udhëtim synonte të ishte "dëshmi e fuqishme afërsie dhe mëshire" në një kohë dhimbjeje dhe pasigurie, të cilën vetë Ati i Shenjtë Prevost dëshironte ta shoqëronte me shpirtin dhe lutjen e tij.
Një dëshmi për Tokën e Shenjtë
"Nuk kemi ardhur për të folur, por për të dëgjuar dhe për të kuptuar", shpjegoi Kardinali Aveline për gazetarët e mbledhur në selinë e Patriarkanës Latine të Jeruzalemit. I shoqëruar nga dy nënkryetarët e Konferencës Ipeshkvore, Imzot Benoit Bertrand e Imzot Vincent Jordy, si dhe Imzot William Shomali, Kryeipeshkvi i Marsejës foli për trishtimin, ankthin dhe shkretëtirën që kishte përjetuar ditët e fundit: "Është e vështirë të jetosh në këto vise duke ditur atë çka po ndodh aty pranë, në Gaza. Situatë që është vazhdimisht në mendjet dhe zemrat tona. E njohim mirë seriozitetin e asaj që po ndodh".
Gjatë një telefonate në mëngjesin e 19 gushtit, me Atë Romanelli, famullitarin e enklavës palestineze në Gaza, kardinali Avelineu informua për operacionet e evakuimit në lagjen ku ndodhet famullia e Familjes Shenjte. Kardinali Aveline, i cili po përgatitet të largohet sonte nga Toka Shenjte, e quajti Atë Romanellin “simbol i forcës së brendshme" dhe "i besimit në Zotin në të gjitha rrethanat", duke shtuar se pas kthimit të tij, "ai do të ketë shumë për t'i thënë Kishës së Francës dhe Kishave të Evropës".
Rimendimi i shtegtimit
Para së gjithash, është e nevojshme të inkurajohet kthimi gradual i shtegtarëve në grupe të vogla dhe me një mendësi të re, të aftë për t'u kujdesur vërtet për të krishterët e edhe për të tjerët, që jetojnë në këto toka - thekson kreu i Konferencës Ipeshkvnore Franceze. "Një shtegtar që e kupton se në këtë Vend ka të krishterë, të cilët nuk mund të ndërmarrin të njëjtin shtegtim, që po ndërmerr ai. Shtegtim që nuk ka për qëllim të përmirësojë marrëdhënien e dikujt me fenë e vet, por të jetojë një ndjenjë solidariteti të thellë shpirtëror e kishtar, domethënë atë të kthesës së shtegtarit” - uron Kardinali Aveline.
Misteri i Mundimeve dhe lidhja me hebraizmin
Sipas Kardinalit, është çështje e përgjegjësisë të të gjithë Kishës ndaj Kishës Nënë të Jerusalemit. "Interpretimi parësor është politik, por ekziston edhe një interpretim shpirtëror, e zbatimi i tij është përgjegjësi e të krishterit. Kjo ka të bëjë me misterin e Kishës dhe të Mundimeve të Krishtit", shpjegon kreu i ipeshkvijve francezë, i cili e diskutoi këtë edhe në Taybeh, me Patriarkun e Nderit të Jeruzalemit, Michel Sabbah, që, nga ana tjetër, pohoi: "Po jetojmë diçka të ngjashme me përjetësimin e Mundimeve të Krishtit".
Kardinal teolog, më pas, përmendi misterin e Judaizmit, duke reflektuar mbi lidhjen "jetike, të thellë dhe ekzistenciale" ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve. "Si mund ta jetojmë fenë hebraike si rrënjë për ne - e fryt për ata? Sidomos në një çast si ky, aktual, i karakterizuar nga zgjedhjet politike të qeverisë izraelite dhe refuzimi i çdo kritike, e cila etiketohet si antisemitizëm, sigurisht që kemi nevojë për një diskutim", shpjegoi ai, duke përmendur antisemitizmin "serioz" që është rikthyer në plan të parë në Evropë. Në përfundim, Kryeipeshkvi i Marsejës shprehu publikisht admirimin e tij për Kardinalin Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jerusalemit, i cili shpreh "durim, guxim dhe dëshirë për të thënë të vërtetën", pa fyer kurrë dinjitetin e askujt, kudo që të jetë. "Një nga qëllimet e vizitës sonë", shpjegoi kardinali, "është pikërisht ta ndihmojmë në misionin e tij".
Shpresa që ngrihet nga rrënojat
Pavarësisht çështjeve komplekse politike dhe shpirtërore, kryetari i ipeshkvijve francezë,së fundi, theksoi gëzimin e thellë të Ungjillit, pjesë e të cilit është varfëria, që ai vetë po e provonte në vendet e shenjta. "Ky nuk është entuziazëm sipërfaqësor, por gëzim i thellë, sepse i lidhur me shpresën në Zotin. Kur të gjitha arsyet për shpresë zhduken, vetëm shpresa e atyre që besojnë në Krishtin dhe në Ngjalljen mbetet ndër zemra". E, duke cituar një përkufizim të shpresës, dhënë nga murgu trapist André Louf, theksoi: "Zoti di si të krijojë kryevepra me rrënojat e ëndrrave tona. Këtu shumë ëndrra janë shkatërruar, por ja - shpresa - që erdhëm ta ndajmë bashkë!