Të meditojmë me Ungjillin: Kënga e 'Madhërimit' të Zojës Mari
R.SH. – Vatikan
15 gushti është festa e Zojës së Madhe e Ungjilli i ditës, marrë nga kreu I sipas Lukës, na tregon për pasinë e Shën Marisë Virgjër tek kushërira e saj Elizabeta. Në çastin që ajo e njeh si Nënën e Zotit, nga goja e Marisë del ai Magnificat i mrekullueshëm, me të cilin Kisha i thur lavde Hyjit edhe sot e kësaj dite. Në misterin e të Ngjiturit të Zojës në qiell, kremtojmë pikërisht këtë lavdi të Zotit, që e ruajti Marinë nga çdo mëkat dhe e lartoi pranë të Birit me korp e me shpirt.
Ungjilli i festës tё Ngriturit tё Marisё Virgjёr nё Qiell, nga shёn Luka (1,39-56), na tregon për pasinë e Shën Marisë Virgjër tek kushërira e saj Elizabeta. Në çastin që ajo e njeh si Nënën e Zotit, nga goja e Marisë del ai Magnificat i mrekullueshëm, me të cilin Kisha i thur lavde Hyjit edhe sot e kësaj dite. Të ndjekim një pjesë nga Ungjilli i Lukës;
Ndër ato ditë, Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën. Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt dhe brohoriti me zë të lartë: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë nëna e Zotit tim? Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”
Atëherë Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur. Sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm: i shenjtë është Emri i tij! Mëshira e tij brezni me brezni për ata që e nderojnë. E tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve; i rrëzoi princat prej froneve të tyre, e i lartësoi të përvujtët. Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë, e të pasurit i nisi duarthatë. I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet, duke u sjellë në mend mëshirën – si ua pati premtuar etërve tanë – në dobi të Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.” Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj, e atëherë u kthye në shtëpinë e vet.
T’i lutemi së bashku Zojës së Ngjitur në Qiell
Më pëlqen, o Mari, kjo festa jote,
që vjen, kur ne pushojmë,
lulëzon mes gushtit
e na kujton
se caku ynë nuk është prehja,
po lumturia e Hyjit.
Është bukuria e Zotit.
Në sa trupat tonë prehen,
mes heshtjes,
në blerim e kaltërsi,
e theken nën rrezet e diellit,
a marrin frymë në maje malesh,
na bën ta shohim lumninë e Hyjit
që trup e shpirt na i përtërin.
Sepse shëlbimi nuk është veç për shpirtin,
është dhe për korpin.
Si mund ta përjashtojmë nga lumnia e amshuar,
kur ne me të jetuam?
Me të nisëm udhën drejt cakut?
Me trupin tonë ne shprehëm
ndjenja fisnike,
deshëm, ndihmuam, bëmë miq e dashamirë.
Me trupin tonë luftuam,
që botën ta bëjmë më të mirë;
falëm e ngushëlluam me këtë trup,
dhuruam gëzim e hare.
Prandaj më pëlqen kjo festa Jote,
O Nënë Mari,
Se më fton të besoj,
të shpresoj e të dua
me gjithë vetveten:
me trup e me shpirt!
Amen!