Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së 20-të të vitit kishtar 'C'
R.SH. - Vatikan
Ungjilli i kësaj sё diele të 20-të gjatë vitit kishtar ‘C’ nga Luka, na jep një mesazh, që në dukje, ngjan i çuditshëm. Jezu Krishti thotë: “Nuk erdha të sjell paqen në tokë, por përçarjen”. Kjo shprehje e Jezusit nё fragmentin e Ungjillit tё Lukёs, na vë në krizë, e cila duhet shpjeguar, përndryshe mund të shkaktojë keqkuptime. Jezusi u thotë dishepujve të vet: “Kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, unë po jo them, nuk erdha të sjell paqen, por ndasinë”. Do të thotë se feja nuk është stoli, ornament. Fe nuk do të thotë ta zbukurosh jetën me pakëz besim, si të ishte tortë, që stoliset me ajkë. Jo! Feja na kërkon ta zgjedhim Zotin si kriter bazë të jetës, e Zoti nuk është i zbrazët, Zoti nuk është asnjanës, Zoti është gjithnjë pozitiv, Zoti është dashuri e dashuria është pozitive. Por le ta ndjekim njё fragment nga Ungjilli sipas Lukës (Lk 12,49-57), për të kuptuar pse Jezusi shprehet në këtë mënyrë kaq tё veçantё:
Nё atё kohё Jezusi tha: ‘Erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flakë! E po, më duhet të pagëzohem me pagëzim, e sa ngushtë jam derisa të kryhet. A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por përçarjen! Qysh tash, për të vërtetë, pesë anëtarë në një shtëpi, do të jenë të ndarë: tre kundër dyve dhe dy kundër treve: baba do të zihet me djalë, e djali me babën; nëna me të bijën, e bija me t’ëmën; vjehrra me të renë dhe e reja me të vjehrrën’.
Mandej iu drejtua turmës: ‘Kur shihni renë se çohet në perëndim, përnjëherë thoni: ‘Do të vijë shi’, dhe ashtu ndodh. Kur shihni se fryn shiroku, thoni: ‘Do të jetë vapë’, dhe bën vapë. Shtiracakë! Dukën e tokës e të qiellit dini ta çmoni, por këtë kohë nuk dini?! Përse ju vetë nuk gjykoni vetvetiu ç’është e drejtë?!”.
Të lutemi së bashku:
Njerëzit do të dëshironin që Ti, o Jezus
të ishe zjarrfikës i përjetshëm,
Ai që u jep fund vështirësive,
që shuan kontrastet,
që zbut ndarjet,
që u vë fre, ose i zgjidh konfliktet.
E Ti, përkundrazi, u thua se je zjarrvënës:
se ke ardhur për të sjellë zjarr e flakë mbi tokë,
se dëshiron të ndezësh e jo të shuash,
të zgjosh e jo të vësh në gjumë.
Do të dëshironin që Ti, o Jezus,
të ishe ndërtues i një paqeje “me çmim të ulët”,
që e lë gjendjen të paprekur,
që bën të pranohen edhe padrejtësitë
e të gëlltiten të gjitha abuzimet,
poshtërimet, pabarazitë.
Por Ti erdhe t’ia ndryshosh
faqen botës,
ta shndërrosh këtë historinë tonë,
e kjo nuk bëhet njëzëri,
me shkopin magjik.
Duhet përballuar një shteg i rrëpirtë,
duhen kaluar rreziqe deri në fund,
duhet që secili të bartë mbi shpinë
barrën e vet të vuajtjes e të sakrificës.
“Pagëzimin” tënd, atë zhytje
në terrin e mundimeve
deri në vdekjen e dhimbshme mbi kryq
Ti e përballon me guxim e besim,
pa u tërhequr mbrapsht.
Paqja e vërtetë ka çmim të lartë
e Ti je gati ta paguash:
është çmimi i gjakut,
është dhurimi i jetës.