Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së 18-të gjatë vitit kishtar “C”
R.SH. - Vatikan
Ungjilli i kësaj së diele të 18-të gjate vitit kishtar 'C', marrë nga kapitulli i 12-të i shën Lukës, na fton të grumbullojmë pasuri për qiell e jo për këtë botë:
“13 Atë kohë, dikush nga turma i tha: ‘Mësues, i thuaj vëllait tim ta ndajë me mua trashëgiminë tonë’. 14 ‘Or mik – iu përgjigj Jezusi - kush më vuri mua gjykatës ose ndarës përmbi ju?’. 15Atëherë u tha: ‘Kini kujdes: ruhuni fort prej lakmisë së pasurisë, sepse sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka’. 16 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë: ‘Tokat e një pasaniku i dhanë fryt të madh. 17 Ai mendonte me vete dhe thoshte: ‘Ç’të bëj? Nuk kam më vend ku t’i mbledh të korrat e mia’. 18 Dhe tha: ‘Kështu po bëj: do t’i rrëzoj grunarët e do t’i punoj më të mëdhenj dhe do t’i mbledh në ta të gjitha të lashtat e mia. 19 Atëherë do t’i them shpirtit tim: shpirti im, ke pasuri me shumicë, për shumë vjet; pusho, ha, pi dhe gëzo!’. 20 Porse Hyji i tha: ‘I marrë! Shi sonte, në këtë natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje e, ç’grumbullove kujt do t’i mbesë?’. 21 Kështu i ndodh atij që grumbullon pasuri për vete e nuk kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin” (Lk 12,13-21).
Të lutemi së bashku:
Tundimi është i fortë, o Jezus:
ta masim jetën
me çka zotërojmë,
me pushtetin e arritur,
me popullaritetin e fituar,
me vlerësimin që gëzojmë.
Por, shi këto janë pasuritë
që na e mbajnë hundën përpjetë
na japin siguri të rreme
duke na bërë ta harrojmë
ç’është vërtet thelbësore.
Tundimi është gjithnjë aty, pas derës, o Jezus:
mendojmë se jemi të mbrojtur
nga çdo rrebesh
vetëm sepse kemi
një llogari të mirë në bankë,
një pozitë me prestigj,
një karrierë të admirueshme.
E pra, përvoja duhej të na kishte mësuar tashmë se:
luhatja e bursave,
ecejaket politike,
humori i ndryshueshëm i turmave
mund ta bëjnë tmerrësisht
të brishtë e të paqëndrueshme
këtë bazë, që e çmojmë kaq shumë.
Sigurisht, pasuritë, nëse i kemi
s’mund të hedhim e t’i bjerrim më kot,
por nuk duhet t’ua besojmë atyre jetën.
Vetëm Ti, o Jezus, je shkëmb i sigurtë,
e kur e kuptojmë këtë
fillojmë e i përdorim
të mirat e kësaj bote
me një sy tjetër.