Takimi i Riminit, trashëgim i gjallë i dëshmisë së martirëve të Algjerisë
R.SH. / Vatikan
"Jeta e dhuruar mund të bëhet jetë e frytshme! Sot, më shumë se kurrë, përballë një bote në luftë, kemi nevojë për këtë ndërgjegjësim". Me këto fjalë Bernhard Scholz, kryetar i Fondacionit Meeting, përuroi të dytën nga gjashtë ditët e parashikuara për Forumin e Riminit, nga 'Comunione e liberazione' (Bashkim e çlirim). Ashtu si këto ditë, ngjarja u përqendrua tek një histori. Ndërmjet viteve 1994 dhe 1996, 19 rregulltarë e rregulltare katolike, sot të lum, ranë viktima të dhunës në Algjeri. Në vendin veriafrikan, gjatë dhjetë viteve që kaluan në histori me emrin “dhjetvjetori i zi”, mbi 150,000 vetë, duke përfshirë edhe shumë imamë, humbën jetën.
Historia e Motrës Lourdes Miguélez Matilla
Rrëfimi mbi zgjedhjen e të krishterëve për të qëndruar pranë një populli të munduar, në frymë miqësie bujare dhe ndarjeje të krishterë, ende sot dëshmi e bamirësisë dhe bujarisë, u shoqërua nga duartrokitjet e zgjatura me të cilat publiku përshëndeti posaçërisht historinë e Lourdes Miguélez Matilla, murgeshë misionare augustiniane, që mbërriti në Algjer në moshën 22 vjeç, më 27 shtator 1972:
"Që nga fillimi, m’u desh të zhvishem nga shumë gjëra, për t’ia hapur zemrën e shpirtin realiteteve të reja, të ndryshme - kujtoi - e në atë vend mësova gradualisht të kuptoja thirrjen time".
E pikërisht kjo ndjenjë mirënjohjeje ndaj popullit algjerian e shtyu Lourdesën të mos largohej nga vendi, edhe kur, para syve të saj, ndodhi akti më i tmerrshëm që mund të përfytyrohej: vrasja e dy murgeshave të tjera, Caridad dhe Ester, që ranë nën plumbat e terroristëve, ndërsa hynin në shtëpi. "Eprorët e mi më detyruan të kthehesha në Madrid - tregon Motër Lourdes - edhe pse doja të qëndroja. Kalova vite të vështira, e pushtuar nga frika se mos kisha tradhtuar Zotin. Pastaj, kur më ofruan mundësinë të kthehesha në Algjeri, nuk refuzova: kthimi në të njëjtën shtëpi ku ishin vrarë murgeshat e mia ishte sfidë e madhe. Atje, megjithatë, i ofruam popullit një shenjë faljeje. Donim të ndërtonim marrëdhënie të reja. Dhe kështu vepruam."
Kardinali Jean-Paul Vesco: vlera e vëllazërisë
Martirizimi i 19 të krishterëve në Algjeri na mëson pikërisht këtë: forcën e një Kishe të bashkuar, forcën e vëllazërisë, fuqinë përmbysëse të brishtësisë dhe të pranisë së paarmatosur. Kardinali Jean-Paul Vesco, Kryeipeshkëv Metropolit i Algjerit, e theksoi këtë në fjalën e tij. I nxitur nga pyetja e Lorenzo Fazzinit, organizues i ngjarjes dhe drejtor editorial i Shtëpisë Botuese të Vatikanit, theksoi se "forca e Kishës së bashkuar duket në lumnimin së bashku të 19 martirëve, sepse të gjithë e rrezikuan jetën e tyre së bashku. Për më tepër, lumnimi u kremtua në Shenjtëroren e Santa Cruz, në Oran, në veri të një vendi mysliman, që kishte pasur qindra mijëra viktima myslimane. Kisha jonë nuk i vë aq rëndësi numrave. Megjithatë, qeveria pranoi që lumnimi të kremtohej në territorin e tyre. Sepse vëllazëria, në këtë botë individualizmi, ka ende diçka për të thënë".
Nadjia Kebour: toka ime duhet të mbetet vend takimi
Nadjia Kebour, profesoreshe në Institutin Papnor për Studime Arabe dhe Islame, si algjeriane dhe myslimane, dje u përqendrua në krizën ekzistenciale që provoi në ato vite: "Unë, si të gjithë algjerianët, u rrita me figurën e një Zoti të mirë, Zotit tonë i cili, megjithatë, u ndryshua plotësisht nga terrorizmi. Në vitet kur u vranë kaq shumë nga bashkatdhetarët e mi të pafajshëm, nuk e dija më asnjë nga 99 emrat me të cilët Kurani e quante Zotin tonë. Kjo është arsyeja pse ky martirizim më prek. Për mua, të krishterët e vdekur janë dëshmitarë të faktit që, pavarësisht urrejtjes, tregon se toka ime ishte dhe duhet të mbetet një vend takimi ndërmjet feve".
Për ta siguruar këtë, Thomas Georgeon, Abati i Manastirit të La Trappe dhe postulatori i çështjes së lumnimit e martirëve të Algjerisë, theksoi se si duhet interpretuar kjo dëshmi: "Martirët nuk bënë plane para se të vdisnin. Ata nuk kishin ndërmend të vdisnin, për të mësuar diçka. Dhanë jetën për besnikëri ndaj Krishtit, duke na ftuar të reflektojmë mbi kuptimin e bujarisë, në një botë ku asgjë nuk është falas".