MAP

Besimtarët në lutje në festën e Zojës së Madhe Besimtarët në lutje në festën e Zojës së Madhe

Festa e Zojës së Madhe dhe devocioni i shqiptarëve

Solemniteti i 'Të Ngriturit të Zojës në Qiell' është një nga festat më të dashura për devocionin popullor edhe në trevat shqiptare. ‘Të Ngriturit të Zojës në Qiell’ na fton të kemi besim e shpresë, pra është ftesë për të pasur besim në Hyjin, ftesë për t’i përngjarë Marisë, ashtu siç ka thënë Ajo vetë: jam shërbëtorja e TënZot, jam në dorë të Zotit.

R.SH. - Vatikan

Solemniteti i 'Të Ngriturit të Zojës në Qiell' është një nga festat më të dashura për devocionin popullor. Më 15 gusht, besimtarët katolikë në të gjithë botën kremtojnë të 'Të Ngriturit e Virgjrës Mari në Qiell', apo 'Zojën e Madhe', siç njihet ndër shqiptarë.

Vërtet, besimtarët shqiptarë i kanë kushtuar shumë Kisha a Shenjtërore Zojës së Madhe, si ajo e Barbullushit në kryedioqezën metropolite të Shkodër-Pultit, ajo e Mamurrasit, në kryedioqezën metropolite të Tiranë-Durrësit, ajo e Kaçë-Naraçit në dioqezën e Sapës, ajo e Grudës dhe ajo në fshatin Kollomzë afër Ulqinit, në kryedioqezën e Tivarit, ajo e Letnicës në Karadak dhe ajo e Zymit të Hasit, në dioqezën Prizren-Prishtinë në Kosovë.

Në trevat shqiptare Kishat a Shenjtëroret kushtuar Virgjërës Mari janë dëshmi identiteti shpirtëror e kombëtar, thesar feje e arti. E po kujtojmë se Shën Maria Virgjër ka qenë gjithnjë tejet e nderuar ndër shqiptarë, qysh në fillime të predikimit të Ungjillit në trevat shqiptare, në epokën e apostujve. Gjatë gushtit, për shembull, Kisha katolike romake përkujton disa herë figurën e së Lumes Mari Virgjër, siç dëshmojnë festat e kalendarit liturgjik  të Kishës për nder të Nënës Hyjnore, ajo e 15 gushtit dhe e 22 gushtit.

Po kulti i nderimit të Zojës së Bekuar në trojet shqiptare mori hov njëherësh me kultin marian në Evropën perëndimore në kulmin e mesjetës. Prej 275 Kishave, të regjistruara nga jezuiti Atë Fulvio Kordinjano S.J., 42 i kushtoheshin Shën Mërisë. Kishë kushtuar Zojës së Bekuar kishte në Ulqin, Shurdhah, Dejë, Drisht, Naraç, Hajmel e Rrenc (Shkodër); Fishtë, Troshan, Kalivaç e Lezhë (Lezhë); Mërtur (Pukë); Surroj (Kukës); Shpërdhazë, Malaj, Ndërshena, Ndërfana (Mirditë); Lurë, Çidhna (Dibër); Gur i Bardhë (Mat); Sebaste, Mbret (Laç); Kurcaj(Krujë); Kepi i Rodonit apo Bishti i Muzhlit (Durrës); Brar (Tiranë-shek XII), Skuterrë, Pëllumbas, Buçimas, Linzë (Tiranë) dhe Bishqem (Peqin).

Këtyre tempujve katolikë, kushtuar nderimit të Zojës së Bekuar në trojet e Shqipërisë së sotme, i shtohet edhe një numër i madh Kishash dhe manastiresh ortodokse, të përhapura në të gjithë vendin. Ndërmjet tyre, Labova e Kryqit, në Gjirokastër (shek X); Manastiri i famshëm i Ardenicës në Apolloni (Lushnje) (shek. XIII); Kisha e Zojës në Voskopojë (shek XVIII); Manastiri i Shën Marenës në Mokër të Pogradecit, me shpellën e mrekullueshme, që i ngjet asaj të Lurdës (shek XVIII) e disa Kisha të tjera, njëlloj të lashta.
Mos të harrojmë Kosovën.

Shenjtërorja kombëtare e shqiptarëve, ajo që ngrihet rrëzë Kështjellës Rozafa në Shkodër, i kushtohet Zojës së Këshillit të Mirë; ndërsa një Shenjtërore tjetër, njëlloj e famshme, është Kisha e Zojës Crnagore, në fshatin Letnicë të Vitisë në Kosovë, ajo e Zojës Ndihmëtare në Prizren (konkatedrale), ajo e Zojës së Madhe në Zym të Hasit në komune të Prizrenit, Kisha e Zojës Rruzare në Bishtazhin të Gjakovës, Kisha e Zojës së Vogël në Bec të Gjakovës, Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë në Klinë e shumë tjera. Po kështu duhet kujtuar Kisha kushtuar nderimit të Virgjërës Mari në kryedioqezën e Tivarit në Mal të Zi e në treva tjera shqiptare.

Ndërmjet shumë festave kushtuar nderimit të Zojës së Bekuar, ajo që i bashkonte gjithë të krishterët shqiptarë në rrjedhë shekujsh ishte, pa dyshim, Festa më e madhe e fundit të verës, të Ngjiturit e Zojës së Bekuar në qiell (për të katolikët), Fjetja e Shën Mërisë (për ortodoksët), që kremtohej e kremtohet më datën 15 gusht.

Kështu, besimtarët katolikë në të gjithë botën kremtojnë të Ngriturit e Zojës në Qiell, apo Zojën e Madhe, siç njihet ndër shqiptarë. Vërtet, besimtarët shqiptarë i kanë kushtuar shumë Kisha a Shenjtërore Zojës së Madhe, si ajo e Barbullushit në kryedioqezën metropolite të Shkodër-Pultit, ajo e Mamurrasit, në kryedioqezën metropolite të Tiranë-Durrësit, ajo e Kaçë-Naraçit në dioqezën e Sapës, ajo e Grudës dhe ajo në fshatin Kollomzë afër Ulqinit, në kryedioqezën e Tivarit, Shenjtërorja e Letnicës në Karadak dhe Kisha e Zojës Madhe në Zym të Hasit, në dioqezën e Prizren-Prishtinës, në Kosovë.

Ja si i e përshkruan imzot Pjetër Bogdani kremtimin në Pashtrik, rreth viteve 1630-1689, duke theksuar edhe natyrën meditative të festës e të shtegtimeve, që kremtoheshin me këtë rast në kulmin e verës: “Ngjiten në maje dhe e kalojnë atje gjithë natën, me uratë, kangë e valle të përshpirtshme. Mbas mesnate nis procesioni, në të cilin marrin pjesë të krishtênë e myslimanë, me qira të ndezun. Gjatësia e qirit përkon me moshën e atij, që e mban në dorë. Kështu, me qira ndezë, zdathë, shtegtarët ecin kah majet ma të nalta për tri orë rresht. Vetëm myslimanët ngjiten kaluer...”

Në Shqipërinë e Mesme, gratë që nuk kishin fëmijë, shtegtonin kah bregdeti i Kavajës e i Durrësit. Laheshin në det e luteshin. Ky shtegtim, që bënin gratë, me shpresën se Nëna e Krishtit do të ndërmjetësonte për to e do t’u falte dhantinë e foshnjeve, aq të dëshiruara, vijoi fshehurazi edhe në kohën e persekutimit të madh nën thundrën e diktaturës. Në Seltë, krahinë e Shpatit, në Shqipërinë e Mesme, për festën e Shën Mërisë së gushtit flijohej një lopë. Këto e zakone të tjera, të shoqëruara me Meshë solemne, procesione, meditime e lutje në gjirin e natyrës, mbeten të gjalla edhe sot e kësaj dite në të gjithë botën e krishterë.

Festa e 'Të ngriturit të Zojës në Qiell’ na fton të kemi besim e shpresë në Hyjin, na fton t’i përngjajmë Marisë, ashtu siç ka thënë Ajo vetë: jam shërbëtorja e TënZot, jam në dorë të Zotit. Të ecim në rrugën e saj. Të japim jetë e jo të marrim jetë. E pikërisht kështu jemi në rrugën e dashurisë, që do të thotë ta humbasësh vetveten e që, megjithatë, është e vetmja rrugë në të cilën duhet të ecim, për ta gjetur vërtetë vetveten, për të gjetur jetën e vërtetë në Zotin.

14 gusht 2025, 15:04