MAP

Kardinali László Nemet Kardinali László Nemet

Serbi: trazira e protesta. Kard. Nemet, “ndaleni dhunën. Të zgjedhim rrugën e dialogut dhe të paqes”

Mendimi dhe lutja e kryeipeshkvit të Kishës katolike të Beogradit, kardinalit Nemet shkojnë së bashku me një “shqetësim serioz” për “ata që janë plagosur në trazirat e ditëve të fundit ose janë viktima të dhunës së panevojshme të këtyre ditëve”. “Fati i Serbisë, është në duart tona, të të gjithë qytetarëve, prandaj le të zgjedhim rrugën e paqes”.

R.SH. / Vatikan

Në Serbi është qetësia para stuhisë. Pas përshkallëzimit të dhunshëm të protestave që prej nëntë muajsh tronditin vendin, presidenti serb Aleksandar Vuçiç nënshkruan një armëpushim. Pak ditë, thotë ai, për të përgatitur «kornizën ligjore dhe formale» për përgjigjen që do të jetë «shumë ndryshe nga ajo që keni parë deri më tani». Një përgjigje «e ashpër» në të cilën «do të shihni gjithë vendosmërinë e shtetit serb».

“Po e ndjek me shqetësim të thellë situatën aktuale në Serbi, trazirat që po shndërrohen në dhunë dhe tensionin e përhapur në të gjithë vendin”. Kështu deklaron kardinali Ladislav Nemet, kryeipeshkvi katolik i Beogradit, në një deklaratë të shpërndarë nga Zyra e Shtypit e dioqezës së kryeqytettit.

Prej nëntë muajsh, vendi ballkanik është skenë e protestave masive të qytetarëve kundër korrupsionit dhe kundër qeverisë së Aleksandër Vuçiç, njeriut të fortë të Beogradit në 11 vitet e fundit. Më 15 gushtin e kaluar, manifestimet çuan në përleshje të ashpra mes protestuesve dhe policisë, duke shkaktuar disa të plagosur. Kardinali Nemet është thellësisht “i bindur se çdo formë dhune është e papranueshme dhe sjell vetëm vuajtje dhe ndarje të mëtejshme”. Prandaj, thirrja e kryeipeshkvit katolik të Beogradit për të gjithë ata që duhet të vendosin fatin e vendit, por edhe për qytetarët e thjeshtë, është “ndaloni dhunën!”. “Inkurajoj çdo person të zgjedhë rrugën e dialogut, të durimit dhe të drejtësisë – vazhdon ai – sepse vetëm kështu mund të arrijmë një zgjidhje reale dhe të qëndrueshme për problemet tona sociale”.

Kardinali Nemet beson gjithashtu “se Serbia ka mundësinë të rindërtohet nëse refuzon urrejtjen dhe angazhohet për paqen dhe humanizmin”. Duke iu drejtuar të gjithëve, kardinali Nemet thekson: “Tani kemi nevojë për koherencë, mençuri dhe respekt të ndërsjellë për të ardhmen e vendit tonë”.

Mendimi dhe lutja e kryeipeshkvit të Kishës katolike të Beogradit shkojnë së bashku me një “shqetësim serioz” për “ata që janë plagosur në trazirat e ditëve të fundit ose janë viktima të dhunës së panevojshme të këtyre ditëve”. “Fati i Serbisë – përfundon kardinali i Beogradit Nemet – është në duart tona, të të gjithë qytetarëve, prandaj le të zgjedhim rrugën e paqes”.

19 gusht 2025, 11:40