ÐÓMAPµ¼º½

Rripi i Gazës. Famullitari Romanelli: "Paqja në Gaza për të nxitur paqen botërore"

Nga Gaza, dëshmia e priftit të famullisë, Atë Gabriel Romanelli. Një muaj më parë, famullia e Familjes Shenjte u sulmua nga ushtria izraelite, duke shkaktuar tre të vdekur dhe më se 10 të plagosur. "Bombardimet - tregon - vazhdojnë, ndërsa ndihma që vjen, është e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e popullit. Furnizimet mjekësore mungojnë plotësisht". Mes kaq shumë shkatërrimesh, një siguri mbetet: "Pa paqe në Jerusalem, nuk do të ketë kurrë paqe në botë. Duhet paqja në Gaza, në se dëshiro

R.SH. / Vatikan

"Situata mbetet jashtëzakonisht serioze këtu, në Rripin e Gazës, ku lufta vazhdon pa pushim. Çdo ditë numri i të vdekurve dhe i të plagosurve rritet, i shoqëruar nga shkatërrimi i infrastrukturës. Shihen vetëm rrënoja: disa lagje po zhduken nga harta e qytetit".

"Por gjëja më serioze është se popullsia nuk sheh asnjë shenjë përmirësimi në kushtet e jetës. Jemi të gjithë shumë të lodhur...".

Atë Gabriel Romanelli, famullitar i Familjes Shenjte, famullia e vetme katolike në Gaza, përpiqet të përshkruajë atë që "sheh" në Rripin e Gazës. Më 17 korrik, famullia u sulmua nga një tank izraelit, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur 11. Refugjatët u prekën nga paniku, pasi shpërthimi ndodhi pranë kryqit, në çatinë e kishës, duke shkaktuar rënien e copëzave dhe të mbeturinave në oborr. Numri i të vdekurve palestinezë, që nga 7 tetori 2023, siç raportohet nga Ministria e Shëndetësisë (Hamas), është rreth 62,000 vetë, 18,000 prej të cilëve, fëmijë. Numri i të plagosurve është mbi 154,000. Viktimat ndër ushtarët izraelitë, sipas njoftimit të Ushtrisë së Izraelit, që nga fillimi i operacionit tokësor në tetor 2023, janë 454 ushtarë izraelitë të vrarë dhe 2,872 të plagosur.

Nxehtësia dhe bombat

Kaloi më shumë se një muaj, po situata nuk ndryshoi: "Këtu në zonën al Zaitoun të Qytetit të Gazës, dëgjojmë veç bombardimet. Ndonjëherë godasin zona të largëta, herë të tjera bombat bien fare pranë, me shrapnelë që arrijnë drejt e në famulli. Kështu po u kërkojmë të gjithë njerëzve të zhvendosur, që jetojnë me ne - janë 450 - të kthehen në dhomat e tyre sepse situata është shumë e rrezikshme. Në këto raste, po pezullojmë veprimtaritë për fëmijë e të rinj, që organizojmë në oborrin tonë. Këto janë ditë të vala, përvëluese në çdo kuptim, me temperatura që arrijnë 50°C. Nxehtësia është e tmerrshme dhe i bën të sëmurët dhe të moshuarit edhe më të prekshëm. Ka disa në famullinë tonë".

Atë Romanelli shton: "Morëm urdhër evakuimi nga qyteti e dje na u tha se Izraeli do të fillonte shpërndarjen e tendave. Më shumë se një milion njerëz duhet të largohen nga qyteti për në jug ose në qendër. Dorëzimi i tendave është i lidhur me urdhrin e evakuimit".

Situata në terren.

Gjatë javës së kaluar, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), forcat izraelite vazhduan të kryejnë sulme ajrore, tokësore dhe detare në të gjithë Rripin e Gazës, përveç operacioneve të vazhdueshme tokësore. Pati raportime për raketa nga grupe të armatosura palestineze në Izrael dhe përleshje me forcat izraelite. E edhe raportime të vazhdueshme për viktima, për shkak të sulmeve kundër shkollave, strehimoreve dhe ndërtesave të banimit, si dhe ndërmjet njerëzve që përpiqen të arrijnë në pikat e shpërndarjes së furnizime ushqimore të GHF-së (Fondacioni Humanitar i Gazës, organizata amerikane përgjegjëse për shpërndarjen e ndihmës në Rrip), të militarizuar ose ndërsa presin karvanet e ndihmës humanitare. Edhe ndërtesat e banimit janë shembur, infrastruktura civile, shkatërruar, zhvendosjet vijojnë në shkallë të gjerë.

Gjithsesi, ndihma vazhdon

Pavarësisht nga gjithçka jetohet, famullia kishtare e Gazës vazhdon t’i ndihmojë refugjatët, "me shpresën" - shton prifti i famullisë së Gazës, me origjinë argjentinase - se së shpejti do të mbërrijnë lajme të qarta dhe të mira lidhur me armëpushimin: me armëpushimin dhe me fundin e konfliktit e edhe me lirimin e të gjitha pengjeve e të burgosurve. Për më tepër, edhe mbërritja e ndihmës për popullsinë - ushqim, ujë, karburant dhe ilaçe -  absolutisht urgjente."

Në lutje për paqen

Në këto ditë, kur Kisha universale festoi solemnitetin e Ngjitjes së Zojës Mari në Qiell, Atë Romanelli ripohon angazhimin e "grigjës së vogël të krishterë të Gazës" për të kërkuar dhuratën e paqes, duke iu përgjigjur kështu thirrjes së Papës Leoni XIV në lutjen e Engjëllit të Tënzot të kësaj së diele që kaloi "që të jenë të suksesshme përpjekjet për t'u dhënë fund luftërave dhe për t’i hapur rrugën paqes; që e mira e përbashkët e popujve të  jetë gjithmonë në vendin e parë".

"Çdo ditë - përfundon Atë Romanelli nga Gaza - i lutemi Zotit dhe kërkojmë ndërmjetësimin e Zojës sonë për të marrë dhuratën e paqes për këtë pjesë të Tokës Shenjte, që është Gaza. Do të ishte një e mirë për të gjithë: “për Gazën, për Palestinën, për Izraelin dhe për mbarë botën".

18 gusht 2025, 15:41