MAP

Assumption of the Blessed Virgin Mary

Pse festohet Ferragosto - Zoja e Madhe?

Rreth shekullit VII, filloi të kremtohej, në vend të Ferragosto-s - festë pagane me zanafillë në kohën e perandorit romak Otavian Augusti - Zoja e Ngritur në Qiell, vendosur më pas nga Kisha më 15 gusht

R.SH. - Vatikan

Emri i festës së sotme, që për katolikët është ajo e të Ngriturit të Zojës në Qiell, por që në italisht njihet edhe si “ferragosto”, e ka zanafillën tek latinishtja. Vërtet, “ferragosto” do të thotë “feriae Augusti” (pushimi i Augustit), në nder të perandorit të parë romak, Otavian Augusti, nga i cili merr emrin edhe muaji i gushtit.

Ishte periudhë pushimesh e festimesh, caktuar nga vetë perandori në vitin 18 para Krishtit. Bazohej në traditën e Consualia-ve, festa, që kremtonin fundin e punimeve në bujqësi, kushtuar Conso-s, zotit romak të tokës e të pjellorisë. Në të gjithë perandorinë organizoheshin festa e gara me kuaj dhe, kafshët shtëpiake, që nuk punonin më në ara, zbukuroheshin me lule. Ishte zakon që gjatë këtyre ditëve, fshatarët t’u bënin urimet pronarëve të tokës, duke marrë si shpërblim një bakshish të vogël. Në lashtësi, kjo festë pagane kremtohej më 1 gusht, por ditët e pushimit e të festës vijonin gati gjithë muajin, duke arritur kulmin më 13 gusht, ditë kushtuar perëndeshës Diana.

Nga festë pagane në festë katolike

Rreth shekullit VII, filloi të kremtohej, në vend të Ferragosto-s, Zoja e Ngjitur në Qiell, fiksuar më pas nga Kisha më 15 gusht. Dogma e të Ngjiturit të Zojës në Qiell (e njohur si e tillë vetëm në vitin 1950) thotë se Shën Maria Virgjër u ngjit në qiell me korp e me shpirt.

Si kremtohet Zoja e Madhe nëpër botë

Në gjithë botën, Zoja e Madhe kremtohet në mënyra të ndryshme, por gjithnjë me madhështi. Nga Madridi, me festën e Palomës, në Kanada me Acadian Day, e deri në Irlandë me “Féile Mhuire ‘sa bhFomhar”. Në Itali, veçojmë Marche-n me “Cavalcata dell’Assunta”, që festohet që nga viti 1182: ndër kortezhet me kostume të lashta, kremtime liturgjike e turne sportive. Në Sardegna, vlen të përmendet “Faradda de li candareri”, në zemër të Sassari-t. Procesioni fetar lind në vitin 1652, nga ndjeti për Zojën Mari, e cila e shpëtoi qytetin nga murtaja. Në vitin 2013, Unesco e konsideroi këtë kremtim Trashëgimi orale dhe jomateriale të njerëzimit.

Në trevat shqiptare

 Po në viset shqiptare? Zoja e Madhe festohet kudo, por sot veçojmë kremtimin në ishullin e Sardës apo të Shurdhahut, vetëm pak kilometra nga Shkodra. Emrin e Sardës e gjejmë në një nga letrat e Shën Gjonit, i cili i drejtohet pikërisht kësaj Kishe. Sipas gojëdhënave, dikur ngriheshin aty 365 altarë, një për çdo ditë të vitit, por kisha kushtuar Zojës së Madhe është edhe sot. E çdo vit, për të mos e humbur kujtesën e kësaj lashtësie biblike, dioqeza e Sapës e organizon aty kremtimin e Meshës, më 15 gusht. 

Po kulti i nderimit të Zojës së Bekuar në trojet shqiptare mori hov njëherësh me kultin marian në Evropën perëndimore në kulmin e mesjetës. Prej 275 kishave, të regjistruara nga jezuiti Atë Fulvio Kordinjano S.J., 42 i kushtoheshin Shën Mërisë. Kishë kushtuar Zojës së Bekuar kishte në Ulqin, Shurdhah, Dejë, Drisht, Naraç, Hajmel e Rrenc (Shkodër); Fishtë, Troshan, Kalivaç e Lezhë (Lezhë); Mërtur (Pukë); Surroj (Kukës); Shpërdhazë, Malaj, Ndërshena, Ndërfana (Mirditë); Lurë, Çidhna (Dibër); Gur i Bardhë (Mat); Sebaste, Mbret (Laç); Kurcaj(Krujë); Kepi i Rodonit apo Bishti i Muzhlit (Durrës); Brar (Tiranë-shek XII), Skuterrë, Pëllumbas, Buçimas, Linzë (Tiranë) dhe Bishqem (Peqin).

Këtyre tempujve katolikë, kushtuar Zojës së Bekuar në trojet e Shqipërisë së sotme, i shtohet edhe një numër i madh Kishash dhe manastiresh ortodokse, të përhapura në të gjithë vendin. Ndërmjet tyre, Labova e Kryqit, në Gjirokastër (shek X); Manastiri i famshëm i Ardenicës në Apolloni (Lushnje) (shek. XIII); Kisha e Zojës në Voskopojë (shek XVIII); Manastiri i Shën Marenës në Mokër të Pogradecit, me shpellën e mrekullueshme, që i ngjet asaj të Lurdës (shek XVIII) e disa Kisha të tjera, njëlloj të lashta. 

Mos të harrojmë Kosovën

Shenjtërorja kombëtare e shqiptarëve, ajo që ngrihet rrëzë Kështjellës Rozafa në Shkodër, i kushtohet Zojës së Këshillit të Mirë; ndërsa një Shenjtërore tjetër, njëlloj e famshme, është Kisha e Zojës Crnagore, në fshatin Letnicë të Vitisë në Kosovë, ajo e Zojës Ndihmëtare në Prizren (konkatedrale), ajo e Zojës së Madhe në Zym të Hasit në komune të Prizrenit, Kisha e Zojës Rruzare në Bishtazhin të Gjakovës, Kisha e Zojës së Vogël në Bec të Gjakovës, Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë në Klinë e tjera e tjera. Po kështu duhet kujtuar Kisha kushtuar nderimit të Virgjërës Mari në kryedioqezën e Tivarit në Mal të Zi e në treva tjera shqiptare.

15 gusht 2025, 14:14