Pse agjërimi për paqe, siç na fton të bëjmë Leoni XIV, nuk është veprim bosh, por konkret
R.SH. / Vatikan
"Ky lloj djalli nuk mund të dëbohet vetëm me lutje dhe agjërim", lexojmë në Ungjill (Marku 9,29). Janë fjalë që na flasin sot, përballë demonëve të dhunës, të urrejtjes dhe të përçarjes. "Emri im është Legjion, sepse jemi shumë", thotë Djalli në Ungjillin sipas Markut (5,9). Agjërim dhe lutje do të thotë të besosh se Zoti mund t’i thyejë zinxhirët që duken të pathyeshëm.
Ekziston një praktikë që përshkon historinë e Kishës dhe kthehet sa herë që njerëzimi përballet me tmerrin e luftës: agjërimi dhe lutja për paqe. Leoni XIV e kujtoi këtë edhe gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, 20 gusht, duke i ftuar të gjithë në këtë praktikë të premten, më 22 gusht. Agjërimi dhe lutja nuk janë gjeste anësore, as strehë intime: janë gjuha e zemrës që kërkon Zotin dhe, duke vepruar kështu, ka fuqinë shpëtimtare për ta shndërruar historinë që po jetojmë, në një çast kaq delikat dhe vendimtar për fatet e botës, pas samitit të Alaskës dhe negociatave të Uashingtonit.
Agjërimi nuk është thjesht heqje dorë nga ushqimi. Është stërvitje e trupit dhe e shpirtit për të rizbuluar themeloren! Është, si t’i thuash "jo" teprisë për t’i hapur udhën e gjërave që kanë vërtet rëndësi: vëllazërisë, solidaritetit, drejtësisë, paqes. Vetë Jezusi agjëroi për 40 ditë.
Lutja së bashku është më shumë se të flasësh me vete: është ta lëshosh mbarë botën, me gjithë plagët e saj, në duart e Zotit.
Në kohë lufte, zërat e të krishterëve - të bashkuar me ato të shumë burrave dhe grave me vullnet të mirë - lartohen drejt Qiellit për të kërkuar dhuratën e paqes. Edhe Papa Françesku kujtonte vazhdimisht se "paqja ndërtohet me duar dhe me zemër" dhe se "agjërimi e lutja janë armë të fuqishme shpirtërore".
Pasardhësi i tij nuk devijon nga ky mësim.
Lutja na hap sytë për nevojat e të tjerëve, për lotët e viktimave, për urgjencën që të mos i dorëzohemi logjikës së armëve.
Agjërimi, po ashtu, bëhet gjest konkret i bashkëndarjes: çka kursejmë mund të bëhet ndihmë për ata që nuk kanë asgjë, duke e shndërruar flijimin vetjak në shenjë dashurie universale. Kështu, kur Kisha bën thirrje për ditë agjërimi dhe lutjeje për paqe, nuk na kërkon të kryejmë rituale të thjeshta, por të ndihemi pjesë e një bashkësie që mban mbi supet e veta dhimbjen e botës.
Paqja nuk është utopi: është përgjegjësi. Ajo fillon në zemrat tona, të ushqyera nga lutja dhe, paradoksalisht, nga agjërimi: bëhemi, kështu, të aftë për ta lartuar zërin drejt qiellit - e për t'iu kushtuar tokës!