MAP

Papas Raffaele De Angelis, peshkop i ri i Horës së Arbëreshëve

Papas Raffaele De Angelis, nga kleri i Ungrës është emëruar nga Papa Leoni XIV peshkop i ri i Eparkisë së Horës së Arbëreshëve, në Sicili

R.SH. / Vatikan

"Një falënderim i madh për Papën Leoni XIV, i cili i dha një bari të ri Kishës së Heparkisë së Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi), në Sicili. Me mbërritjen e peshkopit të ri, hap një të ardhme dhe mundësi ecjeje shpirtërore e j o vetëm për besimtarët arbëreshë të kësaj Kishe të lashtë e të lavdishme që është Eparkia e Horës së Arbëreshëve në Sicili. Është, pra, një çast i rëndësishëm për Papas Raffaele, për Kishën e Eparkisë së Horës së Arbëreshëve, por edhe për Kishën e Ungrës, që shikon me gëzim një bir të zgjedhur, si pasardhës i apostujve". Peshkopi i Ungrës, imzot Donato Oliverio e bëri këtë deklaratë të shtunën, në Katedralen e Ungrës, Kalabri, në një mesazh të shkurtër pas njoftimit të emërimit të Papas Raffaelit De Angelis si peshkop i ri i Eparkisë së Horës së Arbëreshëve në Sicili

"Ky çast na nxit të jetojmë ndjenja të veçanta: para së gjithash, lavdërimin e Krishtit, Bariut tonë, sepse në trashëgiminë e barinjve duhet ta njohim Krishtin", pohoi peshkopi i Ungrës. "Është Ai që e prin, e udhëzon dhe e mbështet Kishën; kjo duhet të na mundësojë të njohim vazhdimësinë e pranisë së Krishtit, Bariut tonë".

Duke theksuar rolin e Kishave Heparkiale, Ipeshkvi imzot Oliveri theksoi: "Në përkim me Koncilin II të Vatikanit, na takon ne t’i kuptojmë më mirë thesaret e mëdha shpirtërore, që përmban tradita Lindore". "Ne kemi rol të privilegjuar - vazhdoi ai - ta mbajmë gjallë e ta ringjallim flakën e unitetit të shumëpritur ndërmjet Kishave motra të Lindjes dhe Perëndimit". Për Ipeshkvin Oliverio, "këto Kisha janë të pajisura me një mision të veçantë ekumenik".

Duke iu drejtuar Papasit De Angelis, e nxiti të sigurohej se shërbesa e tij  do të jetë "shërbesë shpalljeje, gëzimi, sigurie të krishterë". Si përfundim, "ne duhet ta shohim të ardhmen me shpresë, sepse Kishat tona Arbërshe Italo-Shqiptare kanë ardhmëri të shkëlqyer, si nga ana shpirtërore, ashtu edhe fetare, kulturore  dhe  njerëzore"- theksoi në përfundim Imzot Oliveri.

Kujtojmë se Eparkia e Horës (qytezës) së Arbëreshëve u themelua me Vulën Papnore “Apostolica Sedes” të  26 tetorit të vitit 1937 nga Papa Piu XI. Ky institucion kishtar u krijua për besimtarët që ndjekin ritin kishtar bizantin. Me Vulën e sipërmendur Hora e Arbëreshëve u bë seli Eparkiale (dioqezane) dhe Kisha e shën Dhimitrit u ngrit në dinjitetin e Kishës Katedrale.  Kjo Eparki, përveç Eparkisë tjetër arbëreshe në Ungro të Kalabrisë, përbëhet prej pesë vendbanime të arbëreshëve në Sicili.

31 gusht 2025, 14:46