ÐÓMAPµ¼º½

Motër Loreta Lekaj: Zoti në vend të parë, ne pranë të afërmit

Eprorja e re e Përgjithshme e Kongregatës së Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer (F.I.C.), Motër Loreta Lekaj flet për misionin dhe praninë e këtyre Motrave Rregulltare në vende të ndryshme të botës

R.SH. / Vatikan

Motër Loreta Lekaj, është zgjedhur, në ditët e para të gushtit, Eprore e re e Përgjithshme e Kongregatës së Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer (F.I.C.), gjatë Kapitullit të Përgjithshëm që u mbajt nga data 4 gusht deri me 14 gusht në (Haus der Stille) afër Graci të Austrisë. Motoja e kapitullit të përgjithshëm 2025 ishte: "Së bashku të bëjmë gjëra të mëdha në besnikëri ndaj origjinës sonë", ndërsa temat kryesore të këtij takimi ishin: kushtetutat dhe rikonstruimi i Kongregates, formimi rregulltar, karizma dhe administrimi i të mirave në shërbim të karizmës, si dhe e ardhmja e Kongregatës.

Kujtojmë se Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer, janë themeluar më 29 shtator të vitit 1843 nga Franciska Antonia Lampel, e cila jetoi sipas logjikës ungjillore, sikur kokrra e grurit, e cila jep fryt vetëm nëse hedhet në tokë dhe vdes. Ajo jetoi e veproi, në thjeshtësi, vetëmohim të përhershëm, por edhe me shpirt të madh profetik duke i lexuar shenjat e kohës, për të bërë në mënyrë që Krishti të dëshmohet sa më mirë.

Me rastin e misionit të ri që simotrat Françeskane të Zojës së Papërlyer i kanë besuar Eprores së tyre të re, Motër Loreta Lekaj, nga famullia e Gjakovës, Kosovë, për të drejtuar Kongregatën e lartpërmendur, ne biseduam me Motrën Loreta për disa çështje. 

Biseda jonë me Motër Loreta Lekaj:

Biseda jonë me Motër Loreta Lekaj

Motër Loreta, së pari si e keni pritur zgjedhjen tuaj si Eprore e re e Përgjithshme?

Pranimi i kësaj zgjedhjeje ka qenë një vendim i vështirë për mua, sepse kërkon një përgjegjësi të madhe e përballim të shumë sfidave. E kam përjetuar edhe më të rendë, duke qenë se nuk jam vendase. Megjithatë, lutjet e simotrave, të miqve e te shoqëruesve të mi më dhanë kurajo e më forcuan bindjen se Hyji, i cili zë vendin e parë në jetën time, do t’i përmbushë premtimet e Tij. Unë thjesht jam vetëm një vegël në duar e Tij.

Na i thuani dy fjalë për Kongregatën e Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer (F.I.C.) që Ju drejtoni, kur dhe nga kush është themeluar?

Kongregata jonë u themelua me 29 shtator 1843 në Grac (Austri), nga Nëna Franciska Maria Antonia Lampel së bashku me pesë mësuese anëtare të rregullit të tretë të Shën Françeskut; e cila i drejtohet ipeshkvit Zängerle, me kërkesën për themelimin e një instituti rregulltarQëllimi fillestar ishte edukimi dhe arsimi i vajzave të varfra. Motoja e saj themelore ishte dhe mbetet edhe për ne: të jetojmë në bashkim të pandërprerë me Hyjin, me përvujtëri dhe thjeshtësi si vegla në duart e Tij. Forcat e bashkuara kur lidhen me Hyjin, mund të kryejnë vepra të mëdha.

Motër Loreta, sot, në sa vende jeni të pranishme dhe cili është misioni juaj sot si Motra Françeskane?

Me kalimin e viteve, Kongregata u zhvillua dhe mori përmasa ndërkombëtare duke e zgjeruar shërbimin e saj në fusha të tjera: kujdesin pastoral, ndihmen për të varfrit, për të sëmurët dhe me misione bamirëse. Sot Kongregata është e pranishme në shume vende të botes si: Austri, Slloveni, Brazil, Afrikën e Jugut, Francë, Mali i Zi, Kosovë, Shqipëri, Bregun e Fildishtë, Gjermani, Zvicër, Itali, Shtete të Bashkuara të Amerikës etj.

Cilat janë, sipas jush, sfidat që keni si Motra Rregulltare Françeskane në realitetin bashkëkohor?

Ndër sfidat kryesore me të cilat përballemi janë:mungesa e thirrjeve të reja rregulltare, mosha e shtyrë e shumë motrave si dhe ndryshimet e shpejta shoqërore dhe kulturore në mjediset ku jetojmë dhe shërbejmë. Megjithatë, me besim të plote në Hyjin, ne vazhdojmë të qëndrojmë të përkushtuara në misionin tonë.

Motër Loreta, duke ju falënderuar për bisedën, së fundi, porosia juaj që ua drejtoni simotrave tuaja françeskane të Zojës së Papërlyer (F.I.C.)?

Në këtë vit Jubilar, dëshiroj që simotrat e mia të jenë shtegtare të shpresës, të mbeten të bashkuara me Hyjin, duke e lartuar shikimin drejt Kryqit të Krishtit e duke u forcuar nga shpresa e Ringjalljes. Si motra françeskane, dëshiroj që në jetën tonë ta lavdërojmë gjithmonë Hyjin dhe të jemi mbartëse të paqes, dashurisë dhe dritës në botë.

Faleminderit e Zoti Ju bekoftë!

Në emër të redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News, Ju urojmë Bekime e të mira prej Zotit në misionin e ri që sapo keni filluar!

25 gusht 2025, 12:28