MAP

Presidenti i Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta Presidenti i Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta

Kisha në Shqipëri me Leonin XIV në lutje dhe agjërimi për paqe

Lutje e agjërim për paqe, të premten më 22 gusht. Edhe Kisha katolike në Shqipëri i përgjigjet ftesës së Papës për t'iu përgjëruarr Zotit të na japë paqe e drejtësi

R.SH. / Vatikan

Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Kishës Katolike në Shqipëri, KISH, e ipeshkvi i dioqezës së Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, fton të gjitha dioqezat dhe komunitetet kishtare të vendit që, "si Kishë e Hyjit në Shqipëri, t’i përgjigjemi thirrjes së Atit të Shenjtë që na ka ftuar të gjithëve që t’ia kushtojmë ditën e premte, më 22 gusht 2025, Përkujtimi i Zojës Mbretëreshë, agjërimi  dhe lutjes për paqen. Të lartësojmë fuqishëm zërin të gjithë së bashku drejt Hyjit, me ndërmjetësinë e Zojës Mbretëreshë, për paqen në botë".

Në vijim Letra e Presidentit të KISH-it.

Prot. Nr. 55/2025

Rrëshen, 20.08.2025

 

Shumë të Nderuar Ipeshkvinj,

Të nderuar meshtarë,

Rregulltarë e rregulltare,

Besimtarë e besimtare të Krishtit,

Vëllezër e motra,

Sot, në Audiencën e Përgjithshme, Ati i Shenjtë, Papa Leoni XIV, na ka ftuar të gjithëve që t’ia kushtojmë ditën e premte, më 22 gusht 2025, Përkujtimi i Zojës Mbretëreshë, agjërimit dhe lutjes për paqen. Ja fjalët me të cilat Papa Leoni na drejtohet të gjithëve:

“Të premten e ardhshme, më 22 gusht, kremtojmë përkujtimin e së Lumës Mari Virgjër, Mbretëreshë. Maria është Nëna e besimtarëve këtu mbi tokë dhe thirret gjithashtu si Mbretëresha e paqes. Ndërsa toka jonë vazhdon të plagoset nga luftërat në Tokën e Shenjtë, në Ukrainë dhe në shumë rajone të tjera të botës, i ftoj të gjithë besimtarët që ta jetojnë ditën e 22 gushtit me agjërim dhe lutje, duke iu përgjëruar Zotit që të na japë paqe e drejtësi dhe të fshijë lotët e atyre që vuajnë për shkak të konflikteve të armatosura që janë në zhvillim.

Maria, Mbretëresha e paqes, ndërmjetësoftë që popujt ta gjejnë udhën e paqes!”

Prandaj edhe ne, si Kishë e Hyjit në Shqipëri, t’i përgjigjemi kësaj thirrjeje të Atit të Shenjtë në Dioqezat tona, në famullitë, Institutet regulltare, Lëvizjet e Bashkësitë kishtare dhe të sensibilizojmë përgjatë këtyre ditëve të gjithë besimtarët tanë edhe nëpërmjet platformave të ndryshme digjitale.

Të lartësojmë fuqishëm zërin të gjithë së bashku drejt Hyjit, me ndërmjetësinë e Zojës Mbretëreshë, për paqen në botë.

Në Krishtin

 

+ Gjergj Meta

Ipeshkëv i Rrëshenit

President i KISH-it

20 gusht 2025, 17:12