Kardinali Pizzaballa: edhe në Tokën Shenjte zemrat mund të ndryshojnë
R.SH. / Vatikan
Mirënjohje për vëmendjen e vazhdueshme të Papës dhe shpresën se zemra e njerëzve mund të ndryshojë. Patriarku Latin i Jeruzalemit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, i shprehu këto ndjenja për ditën e agjërimit dhe të lutjes për paqe, drejtuar nga Papa Leoni XIV besimtarëve kudo në bot për sot, 22 gusht, që t'i luten Zotit "t'u japë paqe e drejtësi" atyre që vuajnë për shkak të konfliktit të armatosur, me shikimin kthyer nga Toka e Shenjtë dhe Ukraina.
Të lutemi, të agjërojmë e të shikojmë Zotin
"Jemi mirënjohës për këtë vëmendje ndaj temës së paqes, në të cilën Papa është rikthyer kaq shpesh, gati gjithmonë" - kujtoi Kardinali Pizzaballa duke folur për mediat e Vatikanit - Është temë tepër delikate, e ndjerë thellë nga ne. E nuk është hera e parë që ia kushtojmë ditët tona lutjes dhe agjërimit; e kemi bërë këtë në të kaluarën, e është e vetmja gjë që mund të bëjmë edhe sot: lutje dhe agjërim, për ta pasur vëmendjen tonë të përqendruar te Zoti: kjo është e vetmja gjë që mund të bëjmë në këtë kohë, për t’i ndryshuar zemrat e njerëzve".
Lutja nuk është një formulë magjike
Megjithatë, kardinali Pizzaballa shqetësohet kur mendon se nuk duhet t’i besojmë lutjes, si të ishte "formulë magjike që i zgjidh problemet". Lutja shërben për të ndryshuar zemrat; në çdo mënyrë tjetër do të përfundonte duke krijuar "vetëm zhgënjim". Lutja, shpjegon Patriarku Latin i Jeruzalemit, shërben për të hapur zemrat në atmosferën e urrejtjes dhe të refuzimit ndaj të tjerëve, siç është ajo që krijohet sot nga lufta dhe mungesa e paqes. "Zemra, përkundrazi, duhet të mbetet gjithmonë e hapur për besimin, për dëshirën që të bëjë mirë, për ta ndërtuar të mirën. E kjo është forca e lutjes, veçanërisht në Tokën Shenjte, ku ta njohësh tjetrin është pothuajse e pamundur në këtë çast".
Zemra njerëzore mund të ndryshojë
Prandaj, lutja dhe agjërimi do t'u japin forcë edhe atyre që jetojnë në një vend të shkatërruar nga vdekja e nga dhuna, ku fjala paqe nuk duket se gjen më terren. "Ajo nuk gjen terren në institucione - vazhdon kardinali -nuk e gjen në organizata të mëdha, qofshin ato politike apo, mjerisht, edhe fetare, por gjen terren ndërmjet shumë njerëzve, lëvizjeve, grupeve, shoqatave dhe individëve, që nuk e pranojnë këtë prirje. Lutja shërben edhe për të krijuar lidhjen me njerëz të të gjitha besimeve që, pavarësisht nga gjithçka, duan të besojnë ende se zemra njerëzore, edhe në Tokën e Shenjtë, mund të ndryshojë."
Forca që të jep lutja
Dita e sotme dëshmon se "Krishti nuk mungon në Gaza", siç tha vetë kardinali Pizzaballa gjatë konferencës për shtyp me Patriarkun Ortodoks të Jerusalemit, Teofilus III, më 22 korrik, pas kthimit nga një vizitë në bashkësinë e krishterë në Gaza, pas bombardimit të Kishës Katolike të Familjes Shenjte.
"Duke e njohur bashkësinë - shpjegoi ai - mund të them se forca e besimtarëve vjen pikërisht nga lutja, nga aftësia për të rezistuar në situata të tmerrshme. Jemi në prag të kush e di se çfarë situate, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me këtë pushtim, çfarë do të na ndodhë ne, fqinjëve tanë, të gjithëve. Por forca në rezistencë, në përpjekjen për t’i ndihmuar të gjithë, pavarësisht gjithçkaje, në sjelljen e ushqimit, në shpërndarjen e ilaçeve, kjo forcë vjen pikërisht nga lutja dhe nga bashkimi, që vetëm lutja mund ta japë".
Do të jehojnë lutjet sot në Tokën Shenjte. Besimtarët do të luten për veten dhe për fqinjët e tyre, që të ngadhënjejë paqja, të marrë fund shqetësimi se do të na braktisë kush e do të rikthehet ankthi që nuk lë askënd të qetësohet, sepse nuk mund të mos shqetësohemi për atë që mund të ndodhë në Gaza, përfundon kardinali Latin i Jeruzalemit: "Njoftimet që po marrim nga trojet është i ngatërruar. Nuk ka pasur urdhër të drejtpërdrejtë evakuimi, por luftimet po i afrohen gjithnjë e më shumë zonës sonë. Zonat përreth tonës janë zbrazur, kështu që ne jemi atje, në pritje që të kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë".